Zgjedhjet e 30 Qershorit, tre pyetjet e Kushtetueses për Venecian

Gjykata Kushtetuese bëri sot publike pyetjet që ajo i ka dërguar Komisionit të Venecias për të marrë prej tij një Opinion lidhur me vlefshmërinë ose jo të zgjedhjeve të 30 Qershorit. Çështja është ngritur në Gjykatë nga Shoqata e bashkive të vendit.

Pas seancës së zhvilluar më 23 Qershor, ku u dëgjuan pretendimet e të gjitha palëve anëtarët e Gjykatës vendosën që t’i drejtohen Komisionit të Venecias, pavarësisht se ky organ e ka trajtuar këtë temë në një tjetër opinion kërkuar nga parlamenti shqiptar lidhur me interpretimin e kompetencave të Presidentit të Republikës për përcaktimin e datës së zgjedhjeve.

Pasi ka marrë dhe pyetje nga palët e përfshira në proces, Gjykata Kushtetuese i është drejtuar Komisionit me 3 pyetje. Pyetja e parë është se “A mund të interpretohet neni 131, pika 1, shkronja “e”, i Kushtetutës se Gjykata Kushtetuese ka juridiksion për të vlerësuar kushtetutshmërinë e procesit zgjedhor?”. Kjo pyetje lidhet me pretendimet e ndryshme të ngritura mbi kompetencën e Gjykatës për këtë çështje.

Neni për të cilin kërkohet interpretim saktëson në pikën 1, shkrona “e” se “çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmëritë në ushtrimin e funksioneve të Presidentit të Republikës, të deputetëve, të funksionarëve të organeve të parashikuara në Kushtetutë, si dhe me verifikimin e zgjedhjes së tyre”. Pikërisht këtij neni i është referuar ndër të tjera dhe Shoqata e Bashkive. Siç shpjegon në shkresën dërguar Venecias, vetë Gjykata Kushtetuese, ky moment është përfshirë në Kushtetutë pas ndërhyrjes së bërë në kuadër të reformës së dekriminalizimit, për t’i njohur të drejtën e ankimimit personit që preket, duke qenë se bëhet fjalë për një kufizim të një të drejte kushtetuese.

Dy pyetjet e tjera në përmbajtje kërkojnë përgjigje për çështje të cilat janë prekur në Opinionin e mëparshëm të Komisionit të Venecias, ndonëse mënyra si janë shtruar ngjan me tepër sikur kërkojnë një përgjigje në aspektin e doktrinës dhe jo kontekstit konkret. “Duke qenë se parimi i periodicitetit të zhvillimit të zgjedhjeve vendore dhe ai i pluralizmit politik janë parashikuar si parime themelore kushtetuese, cili do të ishte raporti mes tyre në një situatë ku rrezikohet cenimi i secilit parim? Cili parim do të prevalonte mbi tjetrin?”, është pyetja e dytë. Në fakt çështja që ngrihet ka gjetur një argumentim relativisht të gjerë të Komisionit, në Opinionin e tij të vitit 2019.

Ngjashëm dhe pyetja e tretë ngre një çështje po ashtu të prekur. “Në një situatë të një klime pasigurie juridike, a ka cenuar sjella e autoriteteve publike dhe e partive politike të drejtën e votuesve për të pasur mundësi kuptimplotë zgjedhjeje? A duhej ata të siguronin interesin më të lartë të votuesve?”, është formulimi i bërë nga Gjykata Kushtetuese, e cila shpjegon se “nisur nga momenti kohor kur është bërë anulimi i zgjedhjeve (gati 3 javë para mbajtjes së tyre sipas datës së dekretuar fillimisht shën. red.) organet e përfshira në procesin zgjedhor të datës 30 qershor 2019 kanë mbajtur qëndrime të ndryshme. Kjo për shkak të faktit se gjatë kësaj periudhe Gjykata Kushtetuese nuk ka qenë funksionale dhe se nuk ka patur asnjë kërkesë tjetër gjyqësore t paraqtur në asnjë instancë gjyqësore”.

Kërkesa e Gjykatës Kushtetuese është pranuar nga Komisioni i Venecias i cili ka parashikuar të shprehet në seancën e vet plenare të datës 14 Tetor.