Zhvillohet mitingu i madh kremtues për 100-vjetorin e themelimit të PKK-së

Më 1 korrik, në sheshin "Tiananmen" të Pekinit, u zhvillua mitingu i madh kremtues për 100-vjetorin e krijimit të Partisë Komuniste të Kinës. Në këtë miting ishte i pranishëm edhe sekretari i përgjithshëm i PKK-së, kryetari i shtetit dhe kryetari i Komisionit Qendror Ushtarak Xi Jinping, i cili mbajti fjalimin e rastit.

Partitë e ndryshme demokratike, Konferederata Pankineze e Industrisë dhe e Tregtisë dhe personat pa parti dërguan një mesazh të përbashkët urimi. Edhe përfaqësuesit e Lidhjes së Rinisë Komuniste dhe të Pionierëve të Rinj çuan mesazh urimi. Mbi 70 mijë anëtarë të PKK-së dhe qytetarë morën pjesë në këtë miting.

Presidenti Xi Jinping u shpreh në fjalimin e tij që, pas betejave të vazhdueshme të PKK-së dhe të popullit kinez, Kina ka ndërtuar një shoqëri të begatë dhe tani po ecën përpara drejt objektivit për t'u bërë një vend i fuqishëm modern socialist. Ky është një nder i madh për kombin kinez, popullin kinez dhe për PKK-në!

Xi says no more 'bullying' as China marks party centenary | Politics News | Al Jazeera

Xi theksoi po ashtu që, gjatë 100 vjetëve, të gjitha përpjekjet, sakrificat dhe krijimet nga populli kinez i drejtuar nga PKK-ja në fakt kanë një temë: mëkëmbjen e madhe të kombit kinez. Nën drejtimin e PKK-së, revolucioni i ri demokratik krijoi kushtet themelore shoqërore; revolucioni socialist formoi parakushtet politike dhe bazën sistemore; reforma e hapja dhe modernizimi socialist ofruan garanci sistemore me gjallëri të re dhe kushte materiale për zhvillimin e shpejtë; socializimi me karakteristika kineze në epokën e re ka krijuar një sistem më të përmirësuar, bazë materiale më të fortë dhe fuqi shpirtërore më aktive.

Xi Jinping-u theksoi se gjatë 100 vjetëve, PKK-ja ka zhvilluar frymën e ndërtimit të partisë, duke krijuar origjinën shpirtërore të komunistëve dhe karakterin e tyre të veçantë politik. Xi u shpreh se kjo frymë duhet të trashëgohet më tej në të ardhmen.

Ai vuri në dukje se shpirti themelues, i zhvilluar nga pionierët e komunizmit në Kinë, përbëhet nga parimet e mbështetjes te e vërteta dhe idealet, qëndrimi besnik ndaj aspiratës fillestare dhe misionit themelues, lufta me guxim e vetëmohim dhe besnikëria ndaj Partisë dhe ndaj popullit. Këto janë burimi i shpirtit të Partisë.

Xi i bëri homazh brezit të vjetër të komunistëve. Ai tha se komunistët kinezë, si Mao Ce Dun, Ten Hsiao Pin, Jiang Zeming e Hu Jintao, dhanë kontribute madhështore për përtëritjen e madhe të kombit kinez, duke shprehur nderimin më të lartë për ta. Njëkohësisht, ai shprehu ngushëllime për revolucionarët e brezit të vjetër dhe dëshmorët që dhanë kontribut për revolucionin, ndërtimin e reformën dhe për krijimin, konsolidimin, zhvillimin e PKK-së, si edhe nderim për njerëzit që luftuan për pavarësinë kombëtare dhe çlirimin e popullit në kohët moderne.

Në emër të Komitetit Qendror të PKK-së, Xi Jinping-u shprehu respekt për popullin e mbarë vendit, përshëndetje për bashkatdhetarët e Hong-Kongut, të Makaos e të Tajvanit, si dhe falënderim për popujt e miqtë e vendeve të ndryshme që përkrahin revolucionin, ndërtimin dhe reformën e Kinës.

Xi vuri në dukje se pa PKK-në nuk mund të ketë Kinë të Re dhe nuk mund të arrihet përtëritja e madhe e kombit kinez. Historia dhe populli kinez zgjodhën PKK-në dhe drejtimi i PKK-së duhet të ruhet.

Ai u shpreh se PKK-ja dhe populli kinez mësojnë aktivisht nga të gjitha rezultatet e zhvillimit të njerëzimit, mirëpresin të gjitha këshillat e kritikat e arsyeshme, por nuk pranojnë asnjë predikim.

Xi Jinping-u theksoi gjithashtu se socializmi me karakteristika kineze është rruga e duhur për realizimin e përtëritjes së kombit kinez. PKK-ja dhe populli kinez do të përparojnë në këtë rrugë që kanë zgjedhur vetë, duke i marrë në dorë fatet e tyre. Marksizmi është ideologjia udhërrëfyese e Kinës dhe duhet të vijojë të nxitet modernizimi i marksizmit në Kinë, u shpreh ai.

Xi tha gjithashtu se populli kinez e mbështet drejtësinë e nuk ka frikë nga forca, dhe kombi kinez ka krenari e vetëbesim të fortë. Populli kinez nuk ka shtypur ose skllavëruar kurrë popujt e tjerë dhe nuk do ta bëjë këtë as në të ardhmen. Njëkohësisht, populli kinez nuk pranon shtypjen ose skllavërimin nga asnjë forcë e huaj. Kush guxon ta provojë këtë, do të dështojë patjetër para popullit kinez mbi 1.4 miliardësh.

Kina do t'i përmbahet rrugës së zhvillimit paqësor, do të nxitë formimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të tipit të ri, do të krijojë bashkësinë e fateve të përbashkëta të njerëzimit dhe do të nxitë ndërtimin e përbashkët të nismës "Një brez, një rrugë", duke i dhënë botës mundësi të reja zhvillimi, u shpreh Xi Jinping-u.

Ai theksoi se Kina është gjithmonë një ndërtuese e paqes botërore, kontribuese në zhvillimin global dhe mbrojtëse e rendit ndërkombëtar. PKK-ja do t'i përmbahet bashkëpunimit e jo kundërvënies me të tjerët, hapjes e jo mbylljes dhe bashkëpunimit me leverdi reciproke e jo lojës ku fituesi i merr të gjitha, duke kundërshtuar hegjemonizmin dhe politikën e forcës.

Xi Jinping-u vërejti gjithashtu se vetërevolucioni është një karakteristikë tipike e PKK-së. Sipas tij, duhet të forcohet lufta kundër korrupsionit brenda partisë dhe të zhduken të gjitha viruset që rrezikojnë trupin e shëndetshëm të Partisë.

Xi Jinping-u u bëri thirrje anëtarëve të PKK-së të mbajnë mend fort misionin origjinal, idealin dhe besimin, të zbatojnë kursin e Partisë dhe të punojnë për jetën e bukur të popullit.

Xi tha gjithashtu se zgjidhja e çështjes së Tajvanit dhe bashkimi i plotë i vendit është misioni historik dhe angazhimi i palëkundur i PKK-së. Askush nuk duhet të nënvlerësojë vendosmërinë e fortë, vullnetin e patundur dhe aftësinë e madhe të popullit kinez për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial të vendit.

Ai vuri në dukje se duhet të zbatohet në mënyrë të gjithanshme dhe të saktë parimi “Një vend, dy sisteme”, sipas të cilit banorët e Hong-Kongut administrojnë Hong-Kongun dhe banorët e Makaos administrojnë Makaon, me një shkallë të lartë autonomie. Duhet të zbatohet qeverisja gjithëpërfshirëse e qeverisë qendrore mbi Rajonet e Posaçme Administrative të Hong-Kongut e Makaos, si edhe të zbatohen sistemet ligjore dhe mekanizmat e zbatimit të Rajoneve të Posaçme Administrative, për të ruajtur përparimin dhe stabilitetin afatgjatë të Hong-Kongut dhe Makaos.

Xi theksoi se PKK-ja gjithmonë përfaqëson interesat themelore të popullit dhe zhvillohet bashkë me popullin. PKK-ja nuk ka interesat e veta të veçanta dhe nuk përfaqëson ndonjë grup interesi, grup ose klasë të privilegjuar. Çdo përpjekje për ta ndarë PKK-në nga populli dhe për ta vënë PKK-në kundër popullit, do të dështojë! Xi vuri në dukje gjithashtu se PKK-ja duhet të ngulë këmbë në parimin e shërbimit ndaj popullit, të qëndrimit bashkë me popullin, të nxitjes së zhvillimit të popullit dhe të arritjes së përparimeve të dukshme për realizimin e bagëtisë së përbashkët të popullit./CRI