Zv.kryeministri shqiptar i Malit të Zi, Dritan Abazoviç vizitë zyrtare në Tiranë, pritet nga Presidenti dhe Kryeministri i vendit

Zv. kryeministri shqiptar në Malin e Zi, Dritan Abazoviç ka mbërritur në Tiranë në një vizitë zyrtare ku është takuar me krerët e lartë të politikës. Në takimet dypaleshe  theksohen marrëdheniet dhe bashkëpunimi i mirë ndërmjet dy vendeve tona.

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në një takim Zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, z.Dritan Abazoviç.

Kreu i Shtetit shqiptar e përgëzoi Zëvendëskryeministrin Abazoviç për përparimin që ka shënuar Mali i Zi, veçanërisht sa i përket procesit të integrimit europian, aq jetik për të gjitha vendet e rajonit.

Presidenti Meta shprehu dëshirën, që bashkëpunimi i mirë, që ekziston midis dy vendeve tona, të përshpejtohet dhe të thellohet më tej në të gjitha fushat, duke patur si objektiv parësor ndërlidhjen gjithnjë e më të mirë mes qytetarëve në të dy anët e kufirit.

Kreu i Shtetit shqiptar theksoi se partneriteti në NATO duhet të frymëzojë marrëdhënie më të ngushta dhe të afërta ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe se të dy Qeveritë i kanë të gjitha mundësitë ta modelojnë këtë bashkëpunim në përçim të vlerave më të mira të Aleancës.

Presidenti Meta apeloi për një përfaqësim më përfshirës dhe më të drejtë të shqiptarëve në institucionet qendrore dhe lokale të Malit të Zi.

Gjatë takimit, Presidenti Meta i kushtoi vëmendje të veçantë disa projekteve konkrete në mbështetje të zonave ku banojnë shqiptarët, siç janë:  hapja së shpejti e Pikës se Kalimit Kufitar në Grabon, mundësia e bashkëpunimit për hapjen e Pikës së Kalimit Kufitar Skejë – Zogaj, rindërtimi i i shkollës së djegur në fshatit Dacaj në Rozhajë, ura mbi lumin “Buna”, që do të lidhte Velipojën me Shtojin, përmirësimi i infrastrukturës rrugore në Plavë dhe Guci, konkretisht rregullimi i rrugës për në fshatin Hot në Plavë, hapja e disa pikave kufitare në këtë zonë si edhe në Ulqin, rregullimi i çështjes se shtetësive të shtetasve shqiptare të martuara në Mal të Zi, si dhe  punësimi i shqiptarëve në institucionet qendrore dhe lokale.

Presidenti Meta shprehu kënaqësinë që faktori shqiptar në Mal të Zi vazhdon të kontribuojë pozitivisht dhe në mënyrë të qëndrueshme në të gjitha proceset demokratizuese dhe zhvillimore, duke qenë faktor kyç për qasjen euro-atlantike dhe europiane të vendit.

Po ashtu Z.Abazoviç është pritur nga Kryeministri Edi Rama i cili e ka cilësuar këtë takim shumë të frytshëm, duke theksuar se kanë rënë dakord në çdo pikë, por duke mos dhënë detaje se ku u përqendrua biseda mes tyre.

“Kënaqësi e posaçme takimi i parë me zv.kryeministrin shqiptar të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, me të cilin kaluam si dy miq të vjetër dhe patëm dakordësi në çdo pikë”, tha Rama.

Zv. kryeministri i Malit të Zi u takua edhe me Kreun e Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Ballën. Pas takimit, Balla dha detaje nga biseda që u zhvillua mes tyre, ndërsa tha mes të tjerash se në fund të muajit do të kemi një pikë tjetër kufitare me Malin e Zi.

 “Të rrisim dhe forcojmë bashkëpunimin e eksperiencave sepse kemi shumë çështje që ngjajnë. Në Shqipëri kemi probleme me reformën zgjedhore dhe kështu ndodh edhe në Malin e Zi. E rëndësishme është që qoftë Shqipëria, qoftë Mali i Zi kanë një kontribut cilësor dhe të ketë bashkëpunim mes vendeve tona. Deri në fund të këtij muaji do të kemi një pikë tjetër kufitare me Malin e Zi. Kjo tregon rritjen e intensitetit mes dy vendeve tona dhe kjo tregon një proces integrimi në marrëdhënien në Ballkanin Perëndimor”, tha Balla.

Abazoviç me Bashën në selinë blu: Të punojmë për të mirën e dy vendeve

Zv.kryeministri shqiptare në Malin e Zi, Dritan Abazoviç ka përfunduar takimin me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën. Në fund të takimit kreu i Partisë Demokratike theksoi se ishte kënaqësi takimi me Abazaviç dhe shtoi se diskutuan mbi zhvillimin e popujve tanë dhe integrimin në BE.

‘Kam një kënaqësi unike, kënaqësinë e mikpritjes së zv.kryeministrit shqiptar të Malit të Zi, Dritan Abazoviç. Karriera politike e tij është ndërtuar mbi përvojën e gjatë të një aktivisti, të një studiuesi dhe përpiluesi të tezave politike për Ballkanin, Evropën dhe globalizmin dhe është faktuar në luftën e pabarabartë midis forcave për liri dhe rrezikut të autokracisë.

Është një kënaqësi e veçantë, sepse interesi i PD dhe i imi personal për fqinjin tonë verior e në veçanti për bashkëkombasit tonë në Malin e Zi ka qenë dhe mbetet permanent, dhe gjatë bisedës së sotme konstatova se përkushtimi i Abazoviç bën diferencën e dëshiruar prej dekadash nga shqiptarët aty, por edhe nga PD qoftë në qeverisje apo në opozitë. Temat tona të diskutimit kanë variuar nga demokracia te politikat reale, zhvillimi i popujve tanë dhe integrimi në BE i dy vendeve tona. Abazoviç është një etalon i guximit’- tha Basha.

Ndërkohë nga ana tjetër, Abazoviç tha se është koha për një frymë të re evropiane për të gjitha trevat tona.

‘Të gjithë së bashku duhet të merremi me politikë dhe të bëjmë një impakt në shoqëritë tona Besoj se koha është një frymë të re evropiane në të gjithë trevat tona. Detyra jonë është se si politikanë, si njerëz që e shohim është të bëjmë maksimumin që të fusim më shumë etikë në jetën politike, të bëjmë gjëra konkrete. Të gjithë bashkë që t’i përshtatemi vlerave evropiane.’- tha Abazoviç.

Argumentum.al