Afganët e parë mbërrijnë nesër, Rama për ‘The Guardian’: Shkatërrohem kur shoh njerëz të braktisur, ne e dimë ç’do të thotë të jetosh në diktaturë

Kryeministri Edi Rama ka komentuar strehimin e afganëve në Shqipëri, pas pushtimit të vendit të tyre nga talebanët, operacion që nis ditën e nesërme.

Në një prononcim për ‘The Guardian’, kryeministri Rama është shprehur se ndihet i shkatërruar kur sheh se si ata njerëz janë lënë të braktisur, pasi vetë shqiptarët e dinë se si është të jesh i huaj e të kërkosh strehë, referuar emigrantëve të vendit tonë.

Kreu i Qeverisë shton më tej se nuk e kupton se si vende më të pasura se Shqipëria u kanë kthyer kurrizin afganëve, duke kundërshtuar vlerat që ata vetë predikojnë.

“Unë ndihem i shkatërruar kur shoh njerëz të lënë pas dhe dua t’u jap atyre të paktën mundësinë për të marrë frymë përsëri. Ne e dimë se si është të jetosh nën një diktaturë dhe si është të jesh i huaj që kërkon strehim diku. Bëhet fjalë për ata që jemi; është nder dhe detyrë ta bësh këtë. Nuk mund ta kuptoj se si vende më të pasura mund tu kthejnë shpinën. Kjo bie në kundërshti me vlerat që ne predikojmë. Shqipëria nuk mund ta zgjidhë problemin, por gjithashtu nuk duam të jemi pjesë e tij”, tha Rama ndër të tjera.

Nesër pritet që në Tiranë të zbresin afganët e parë nga grupi që pritet të strehohet në Shqipëri, pas pushtimit të Afganistanit nga talebanët.

Ende nuk dihet numri i afganëve që pritet të mbërrijnë nesër në Rinas, por mësohet se ata do të akomodohen në tre godina në Qytetin Studenti, vende të cilat janë bërë gati dhe janë zbrazuar nga studentët shqiptarë.

Strukturat shtetërore janë në gatishmëri për të pritur nesër avionin e parë me emigrantët afganë. Të paktën 2 mijë afganë do strehohen përkohësisht mes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Në vendin tonë ata do të vendosen në konviktet e Qytet Studenti në Tiranë dhe në disa hotele në Durrës.

Shpenzimet e akomodimit dhe ushqimit të tyre do të mbulohen nga NATO.