Ballkani i hapur? Faleminderit, mirë e kemi BE-në.

Andrej Nikolaidis, CdM[i]

Përktheu për Argumentum.al: Xhelal FEJZA

Open Balkans. Ose, sikurse pohojnë Vuçiçi, Rama dhe Zaevi- Open Balkan. Mbi seriozitetin e autorëve të kësaj iniciative flet mjaft mirë edhe fakti se edhe emrin e krijesës së tyre e shkruajnë gabim. Nëse vërtetë kanë dashur ta shkruajnë në anglisht, nuk duhej ta shkruanin Balkan, por Balkans. Emër i ri për iniciativën Vuçiç-Rama. Tingëllon paska si turne tenisi: US Open, Australian Open, French Open, Balkans Open.

Por për fat të keq nuk është kështu.

Ministrat e financave të qeverisë së Malit të Zi dhe Serbisë, respektivisht Millojko Spajiç dhe Sinisha Malli, këto ditë kanë biseduar për “përparësitë e iniciativës Open Balkans”. A do të ishte keq sikur këto përparësi ministri Spajiç ti ndante edhe me qytetarët e Malit të Zi? Nëse mundet më parë se, prapë “në mënyrë të fshehtë dhe të organizuar”, të na rrasë në ndonjëfarë federate ballkanike për të cilën Mali i Zi nuk ka kurrfarë interesi? Por jo: përveç historive të zbrazëta mbi “bashkëpunimin rajonal” dhe “lidhjet”, askush nuk ka dëgjuar ende asgjë mbi përparësitë e krijesës Vuçiç-Rama. Qeveria malazeze hesht. Opinioni publik hesht. Derisa një ditë, në vend të BE-së së premtuar, të cilën e dëshiron një numur tejet i madh qytetarësh të Malit të Zi, të zgjohemi në njëfarë Unioni Ballkanik, për të cilin qytetarët askush nuk i ka pyetur, madje as i ka informuar për të.

Ndërsa Malli dhe Spajiçi numërojnë përparësitë, më lejoni tu përmend disa mangësi të këtij projekti shtetomadh të ripaketuar dhe të riemëruar.

E para. Hyrja në Open Balkans do të thotë “mirupafshim BE”. Mediat europiane kanë shkruar tashmë për këtë. Mundet edhe kështu, por duhet që dikush ti pyesë qytetarët: a jeni për këtë që, pas vitesh e vitesh bisedime me BE-në dhe harmonizimi të kuadrit të brendshëm ligjor me “trashëgiminë ligjore të BE-së”, pasi u’a lejuam ambasadave të vendeve të BE-së që, në emër të antarsimit të ardhshëm në “klubin prestigjoz”, praktikisht të drejtojnë vendin  tonë, ti flakim tej të gjitha dhe të përfundojmë në mejhanen e vjetër balkanike tashmë të zbukuruar me një tabelë të re neoni në gjuhën  angleze?

Dy. Open Balkans është kopja e procesit ekzistues të Berlinit, vetëm se këtë  bofl-iniciativë nuk e udhëheq Berlini, por Beogradi dhe Tirana. Kjo gjë asaj frazës “nga kali në gomar” i jep një domethënie tërësisht të re...

Tre. “Open Balkans” është “Shengeni i vogël” i riemërtuar, bash njëlloj sikurse fraza e sotme “Bota serbe” është riemërtimi i asaj të dikurshmes “Serbia e Madhe”. Vuçiçi dhe Rama deklaruan se kjo nuk është ndonjëfarë Jugosllavie e re. Kjo është e vërtetë. Por bëhet fjalë për diçka shumë më të keqe- replikë e Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve (SKS). Ose më saktë: ajo që ata përpiqen të bëjnë është Mbretëria e Serbëve dhe e Shqiptarëve (nxirja është bërë nga përkthyesi). Sigurisht kjo nuk ka për të qënë mbretëri. Por ama nuk do të jetë as demokraci- përkundrazi, do të jetë një grumbull liderësh autoritarë, nga të cilët, secili praktikisht do të jetë mbret në territorin që do të kontrollojë. Gjithsesi do të ketë edhe grumbuj nacionalizmash, dhe akoma më shumë korrupsion se ç’ka patur deri tani...

Megjithatë ky shtet/federatë nuk ka për tu shpallur menjëherë- që të “mos e marrin  vesh vllahët” (shprehje serbe në kuptimin - të mos e marrin vesh naivët. Shën. i përkth.)...Do të fillojë me tregtinë e lirë dhe fluksin e njerëzve, sepse kjo, siç edhe na e thonë, është “marrëveshje ekonomike dhe jo politike”. Njëlloj sikurse edhe BE-ja filloi me qymyrin dhe çelikun. Dhe do të përmbyllet me parlamentin e përbashkët dhe kontrollin e përbashkët të kufinjve.

Përse mendoj kështu? Sepse na e tha vetë Vuçiçi. Ja deklarata e tij e para pak ditëve: “Serbët, shqipratë dhe maqedonasit nuk janë kurrgjë më pak të mençur  dhe të vlefshëm sesa francezët, gjermanët, italianët dhe të tjerët të cilët nëpërmjet Bashkësisë për qymyrin  dhe çelikun filluan ndërtimin e BE-së”. Ky njeri, sëbashku me Ramën, bëjnë versionin e tyre të BE-së, në të cilin Beogradi do të jetë Berlini, ndërsa Tirana-Parisi. Ose anasjelltas. Sido që të jetë, në këtë rregullim me siguri Podgorica do të jetë Dobroesti- një fshat afër Bukureshtit.

Një federatë e tillë ndoshta i shkon për shtat natyrës megalomane, thellësisht anakronike të nacionalizmit serbomadh dhe shqiptaromadh, por nuk i shkon për shtat Malit të Zi të cilin, në këtë arranxhim, si territor do ta ndajnë në sfera interesi vetëm këta dy nacionalizma (nxirja është bërë nga përkthyesi) Sepse ja... Një shekull pasiqë  fuqitë e mëdha krijuan Mbretërinë e SKS, ato (osë sëpaku disa prej tyre) po përpiqen të “implementojnëe” në Ballkan një eksperimet me ngjashmëri të tmerrshme.

Pas Luftës së Parë Botërore, Franca dhe shtetet e tjera fituese dëshironin Antantën e Vogël në Ballkan: e kësisoj krijuan Jugosllavinë e Karagjorgjeviçit. Është punë tjetër se ky ishte shteti më i keq që mund të krijonte qoftë njeriu qoftë madje edhe kafsha- sepse, ai shtet, e përmbylli ekzistencën e tij me egërsi. Sikur të mos ishte Titoja dhe partizanët, të cilët në gërmadhat e këtij shteti krijuan diçka krejt tjetër, si të thuash të kundërtën e tij 180-gradëshe, ideja e bashkësisë jugosllave, pas tiranisë së Karagjorgjerviçit, do të mbetej e shkruar me germa dhe bojë të zezë, më të zezë se Dora e Zezë, në librin imagjinar të historisë së përbashkët.

E kemi parë pra që në vitin 1918 sesi Perëndimi krijon në Ballkan një shtet të ndërlikuar në përputhje me nevojat e tij. Në përputhje me projeksionet e atëhershme gjeopolitike, kryesisht të Francës, u shua, le ta themi kësisoj. U përmbys dinastia e tij, u shkatërruan parlamenti dhe sistemi politik malazez, u fshi çdo subjektivitet i shtetit atëbotë të njohur ndërkombëtarisht, dhe vetëm më pas Serbisë i’u lejua ta aneksojë. Më vonë, para disa vitesh, francezët u kërkuan ndjesë publikisht trashëgimtarëve të Dinastisë Petroviç Njegosh dhe Malit të Zi. Sikur mbretërisë ti krijoheshin kushtet edhe sot do të ndodhte e njëjta gjë. Çfarë tu them: vetëm ai që është budalla dhe i cili beson në sinqeritetin  e përrallës mbi “vlerat civilizuese” të mbretërive meriton gjithçka që i bëjnë mbretëritë.

“Shengeni i vogël” i Vuçiçit dhe Ramës i riemëruar në “Open Balkans” është model që, në vend që të flaken tej dhe të shuhen, dy projektet shtetmëdha që janë kërcënimi më i madh i këtij rajoni- të shpërblehen dhe të realizohen. Në këtë rrumpallë shtetërore që po bëjnë Vuçiçi dhe Rama vërtetë që ka për tu realizuar ajo ideja: “të gjithë serbët/ të gjithë shqiptarët në një shtet”. Si edhe në vitin 1918 kjo është ide e ripaketuar gjoja “progresive” e bashkësisë dhe bashkëpunimit”. Hajde pastaj e refuzoje atë që është “përparimtare” dhe në “frymën e integrimit”...

Po pyes diçka... E kush na i paska penguar deri tani Vuçiçin dhe Ramkën të bashkëpunojnë? Cila ka qënë ajo pengesa e bashkëpunimit dhe e normalizimit të marrëdhënieve, nëse jo nacionalizmat e tyre që tani na u dashka të ushqehen me Bosnjën, Malin e Zi dhe Maqedoninë?

Për “Shengenin e vogël”, e njëjta gjë vlen edhe për “Open Balkans”, kur është prezantuar, po citoj autorët e idesë, nënkupton edhe “forcim të bashkëpunimit ndërkufitar në fushën e sigurisë”. “Fushë e sigurisë” është vallë edhe ekonomia?. Nënkuptohet edhe eleminimi i kufinjve dhe lëvizja e lirë e njerëzve.

E katërta. A është “Interesi ekonomik” i Malit të Zi dhe i turizmit të tij që të huajt të blejnë dhe të japin me qera shtëpi në bregdetin malazez dhe të mos paguajnë taksë për këtë? A është në interesin e Malit të Zi që paratë nga turizmi malazez të rrjedhin në arka jashtë Malit të Zi? A është interesi i qytetarëve malazezë që fuqia punëtore e lirë nga Serbia, Maqedonia dhe Shqipëria të vërshojë në bregdetin malazez dhe të marrë të gjithë punimet në të? Por nuk ka rëndësi: nga ana tjetër, qytetarët malazezë mund të punojnë në kantieret e ndërtimiut në Tetovë, Surdulicë dhe në Korçë, e kësisoj jemi barabar apo jo? Të gjithë të njëjta shanse apo jo? A është interesi i Malit të Zi që Serbia të blejë ndërmarrjen Elektroindustria- sepse nëse jemi në bashkësi, e kemi të përbashkët edhe rrymën elektrike, të përbashkët kemi edhe detin apo jo? Kështu është.

Meqë ra fjala... Këto, medemek, synime të “Ballkanit të hapur” janë pas reealizuar edhe në vitin  1992. Sepse atëbotë është realizuar plotësisht “bashkëpunimi ndërkufitare në fushën e sigurisë” mes Serbisë dhe një pjese të Bosnjë e Hercegovinës- sot quhet entiteti Republika Srpska. Siç duket për këtë bashkëpunim pati  rastin të bindej edhe vetë Aleksandër Vuçiçi, kur atëbotë pati vizituar pozicionet e artilerisë serbe mbi Sarajevë. Atëherë ai nga Beogradi në Sarajevë pati udhëtuar pa pasaportë dhe duke mos iu nënështruar asnjë kontrolli doganoro-kufitar, gjë që do të thotë se që atëherë na qenka siguruar lëvizja e lirë e njerëzve (në mënyrë të veçantë e atyre me armë). Si edhe lëvizja e lirë e mallrave (në mënyrë të veçantë e armëve).

Pesë. Ideja se “bashkëpunimi ekonomik” do ti pacifikojë nacionalizmat ballkanikë është gjithashtu sa e rrezikshme aq edhe qesharake në idiotizmin e saj. E rrezikshme mbi të gjitha sepse shpërbërja  (jo dhe aq e largët)  e paevitueshme e kësaj bashësie do të thoshte një luftë të re.

Kështu është. Këtë Spajiçi nuk do t’ua përmendë, por unë do ta mendohesha mirë po të isha në vendin tuaj... A kemi eksperiencë me shpërbërjen e krijesave shtetërore të ndërlikuara? Kemi. A solli shpërbërja kasaphanë në vitin 1941? Po. A u shpërbë pa gjak në vitin 1991? Jo. Përse pra mendoni se do të kalojë pa kasaphanë edhe kjo Mbretëria Vuçiç-Rama e Serbëve dhe Shqiptarëve?

Përfaqësuesit e “shkollës së mendimit” sipas së cilës ekonomia dhe tregu i lirë është ilaçi kundër nacionalizmit përpiqen të na e mbushin mendjen se konfliktet lindin për shkak të varfërisë, ndërsa zhvillimi i ekonomisë nxit stabilitet. Po ju a kujtoj: Jugosllavia e Titos u shpërbë dhe kasaphana, filloi jo atëherë kur ishim të vërfër, por pikërisht atëherë kur ishim më të pasur se kurrë më parë në historinë tonë. Atëherë kur Markoviçi (Ante Markoviç, kryeministër i Jugosllavisë qershor 1989- dhjetor1991. Shën. i përkth.) e ngriti në këmbë ekonominë jugosllave, atëherë kur dukej se do të ndodhte çudia ekonomike.

Nuk ka çudira. Ekzistojnë vetëm truke dhe iluzione. Ballkani i hapur, idetë shtetmëdha, të veshura me ekonominë dhe fqinjësinë e mirë, nuk janë gjë tjetër veçse truke amatorësh të denja për panairet e fshatrave.

*Autori është shkrimtar, gazetar dhe opinionist malazez.

[i] https://www.cdm.me/kolumne/otvoreni-balkan-hvala-dobra-je-nama-i-eu/