Cila do të jetë gjurma e luftës amerikane në Afganistan?

Lufta nën udhëheqjen e SHBA në Afganistan filloi pas sulmeve të 11 shtatorit 2001. Forcat amerikane ndërhynë për të dëbuar nga pushteti talibanët, të cilët u kishin ofruar strehë të sigurtë terroristëve të Al-Qaidas. 20 vjet më pas, lufta ka marrë fund dhe talibanët janë rikthyer në krye të Afganistanit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine i hedh një vështrim gjurmëve që ka lënë kjo luftë:

Më 11 shtator 2001, terroristët e al-Qaidës goditën Shtetet e Bashkuara duke përdorur avionë si armë sulmi në një akt që la 2997 të vdekur.

Presidenti George W Bush reagoi menjëherë:

“Ju dëgjoj. E gjithë bota ju dëgjon. Ata që rrëzuan këto ndërtesa do të na dëgjojnë së shpejti,” tha zoti Bush.

Presidenti urdhëroi bombardimin e kampeve stërvitore të al-Qaidës në Afganistan. Forcat ajrore amerikane, në bashkërendim me grupe luftarake fisnore rrëzuan brenda pak javësh talibanët.

Në rrugët e Kabulit, banorët kërcenin. Burrat filluan të rruajnë mjekrrat në shenjë sfide ndaj rregullave të talibanëve.

Presidenti Bush vendosi ta zgjerojë operacionin në Afganistan dhe të ndërhyjë në Irak për të krijuar shoqëri të ngjashme me demokracinë amerikane.

Në Afganistan me mbështetjen e SHBA, u krijuan programe për fuqizimin e grave e vajzave. Por talibanët filluan të riorganizohen dhe u hodhën në kryengritje duke ndërmarrë goditje ushtarake e sulme vetëvrasëse.

Disa ekspertë thonë se mungesa e synimeve të qarta në fillim të ndërhyrjes në Afganistan mund të ketë qenë gabimi i parë madhor për këtë luftë 20-vjeçare.

“Presidenti Bush donte që trupat amerikane, kur të largoheshin, ta linin Afganistanin më mirë se e gjetën. Nuk ishte ideja e shtet-formimit medoemos. Ndërsa Sekretari i Mbrojtjes Donald Rumsfeld donte që trupat të tërhiqeshin sa më parë që të ishte e mundur. Ky tension pati ndikim negativ në praninë amerikane në Afganistan që misioni nuk e kapërceu dot kurrë,” thotë analisti Jonathan Schroden me organizatën “CNA”.

Në 2009, Presidenti Obama shtoi numrin e trupave dhe specialistëve në Afganistan, por disa vite më pas njoftoi tërheqjen e afro 2/3 të asaj force.

Pasuesi i tij, Donald Trump u betua se do t’i kthente trupat amerikane në atdhe. Zyrtarë të tij të lartë nënshkruan një marrëveshje paqeje me talibanët në shkurt 2020 për tërheqje brenda 14 muajsh.

Këtë tërheqje, pas një lufte që zgjati tre administrata të mëparshme, po e përmbyll Presidenti Joe Biden.

Zoti Biden i doli në mbrojtje vendimit për tërheqje, megjithë kaosin që ka krijuar dhe tha se Shtetet e Bashkuara i kishin arritur objektivat për të rrëzuar talibanët dhe për të vrarë udhëheqësin e al-Qaidës, Osama bin Laden.

“Misioni ynë kurrë nuk ishte menduar të ishte shtet-formimi. Apo krijimi i një demokracie të centralizuar. Interesi ynë i vetëm, jetik, mbetet ai që ka qenë: parandalimi i një sulmi terrorist në tokë amerikane,” tha zoti Biden.

Por për afganët në atë vend dhe në botë, ishte tepër e rëndë të shihnin atdheun e tyre përsëri në duart e talibanëve, ndërsa të huajt largoheshin.

"Duhet ta kuptojmë se shtet-ndërtimi nuk realizohet për 20 vjet. SHBA dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të ishin të përkushtuara ndaj këtij vizioni,” thotë Noorallaq Nasimi, themelues i një shoqate bamirëse në Londër, në ndihmë të afganëve.

Profesore Samar Ali thotë për Zërin e Amerikës se imazhi i SHBA do të varet edhe nga veprimet që pasojnë këtë tërheqje:

“Mendoj se besimi mes afganëve dhe Amerikës është dëmtuar rëndë. Një ndër gjërat që mund të bëjmë pa vonesë është të eliminojmë pengesat burokratike për refugjatët afganë,” thotë profesorja.

Përmbyllja e shpejtë e misionit amerikan në Afganistan duke lënë pas një kaos të përgjithshëm ka gjasa të bëhet mësim lidhur me angazhime të tjera ushtarake në të ardhmen.

“Trashëgimia e 20 viteve të fundit do të jetë një Amerikë shumë më e rezervuar dhe ngurruese për t’u hyrë sipërmarrjeve të tilla shtet-formuese në botë,” thotë analisti i Grupit për Euroazinë, Ian Bremmer.

Ekspertë të tjerë thonë se besueshmëria e Amerikës do të vuajë një goditje afatshkurtër nga kjo tërheqje, por shtojnë se është ende herët të thuhet nëse aleancat kritike të Uashingtonit do të pësojnë dëme afatgjata./voa