DASH, thirrje amerikanëve: Rishqyrtoni udhëtimet në Shqipëri për shkak të COVID dhe krimit. Kujdes, në Lazarat nuk ju mbrojmë dot!

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar sot  një njoftim për të gjithë shtetasit amerikanë që duan të vijnë në Shqipëri.

Në njoftimin e  DASH, i ripostuar nga Ambasada Amerikane apelohet që amerikanët të rimendojnë udhëtimet në Shqipëri, për dy arsye: Covid-19 dhe krimi në Lazarat.(Kliko)

“Rishqyrtoni udhëtimet në Shqipëri për shkak të COVID-19. Ushtroni kujdes të shtuar në Shqipëri për shkak të krimit”, thuhet ndër të tjera në mesazh.

“Situata e sigurisë në Lazarat mbetet e paqëndrueshme për shkak të krimit dhe dhunës që lidhen me kultivimin e marihuanës. Policia lokale ka aftësi të kufizuar për të mbrojtur dhe ndihmuar udhëtarët. Qeveria amerikane nuk është në gjendje të ofrojë shërbime emergjente për qytetarët amerikanë në Lazarat pasi punonjësve të qeverisë amerikane u ndalohet të udhëtojnë atje”, mbyllet mesazhi i DASH.

Departamenti Amerikan i Shtetit duket se nuk është shumë koherent me informacionet që merr për vendet e ndryshme të botës, konkretisht për Shqipërinë. Në njoftimin paksa kontradiktor, DASH njofton qytetarët e  vet amerikane të kenë kujdes për ata që udhëtojnë drejt Shqipërisë, jo vetëm për shkak të Covid-19, e cila padiskutim që ka prekur çdo shtet, por iu rikujton dhe Lazaratin,  që për hirë të vërtetës prej vitesh ka dalë nga vëmendja jo vetëm politike, por dhe mediatike. Fshati i njohur për kultivimin e drogës ka që prej vitit 2014 që është hequr nga harta e zonave që mbjellin kanabis. Departamenti thotë se situata e sigurisë atje është e paqëndrueshme dhe Policia lokale ka aftësi të kufizuara për të mbrojtur udhëtarët.

Ndonëse DASH i ka mbetur ora te marihuana e Lazaratit ( flasim për Lazaratin e disa viteve më parë), duket se nuk është përditësuar me  informacionet  e qindrave ton kokainë që kapen herë pas here në kontenieret me banane nga Amerika Latine në Shqiperi(!)

DASH u rikujton qytetarëve të kenë kujdes gjithashtu përballe krimit në Shqipëri, pikërisht në këtë vend i cili ka dalë garant për pritjen e 3000 afganeve që nuk janë as më shumë e as më pak por bashkëpunëtorët e ngushtë të vetë Amerikës në Afganistan.

Ky njoftim i çuditshëm për një vend mik dhe partner strategjik i SHBA-së, tregon se sa larg jemi nga njëri-tjetri , aq sa informacionet i shkojnë me vonesë DASH-it , ose Ambasada amerikane në Tiranë është shumë e zënë për tu marrë seroizisht me Shqipërinë  / argumentum.al