“Delta” infekton njësoj të vaksinuar dhe të pavaksinuar/ Rajoni ashpërson masat ndaj Covid-19, po Shqipëria?

Editorial

Ndërsa jemi në mbyllje të sezonit turistik dhe në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, në gjithë vendin raportohen çdo ditë me qindra raste të infektuar me virusin Covid-19, ku dyshohet për  variantin “Delta” të saj. Edhe pse nuk ka një konfimim të saktë se bëhet fjalë për variantin “Delta”, për shkak të mungesës së laboratoreve te veçante, e verteton fakti se shumë prej të infektuarve janë dhe ata që kanë marrë dozën e  parë dhe të dytë të vaksinës kundër koronavirusit.

Në Shqipëri nga Ministria e Shëndetësisë bëhet thirrja për vaksinim të popullsisë, por duhet thënë se fatkeqësisht asnjë masë tjetër nuk eshtë ndërmarrë deri tani.

Kështu koncertet, dasmat, apo çdo grumbullim tjetër i mundshëm i gjen kudo nëpër qytetet e Shqipërisë. Ndryshe nga rajoni ku Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kosova, kanë marrë masat e menjëhershme duke ashpërsuar masat ndaj covid-19.

Për shembull, Maqedonia e Veriut ishte vendi i parë në rajon që ndryshoi masat për të gjithë ata që hyjnë në territorin e saj.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme njoftoi  mbi rregullat e reja që do të zbatohen nga data 1 shtator, për të hyrë në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Sipas një njoftimi për shtyp, çdo udhëtar duhet të paraqesë certifikatë ose vërtetim për imunizimin e kryer nga virusi SARS-CoV-2, marrjen e të paktën dy dozave të vaksinës kundër sëmundjes infektive COVID-19.

Në mungesë të vërtetimit të vaksinimit, qytetarët mund të paraqesin vërtetim për kalimin e COVID-19 në 45 ditët e fundit, duke llogaritur nga dita e rimëkëmbjes, ose vërtetim mjekësor me rezultat negativ nga testi RT PCR SARS-CoV-2, i bërë 72 orë para hyrjes në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut që do të kthehen në vend pas 1 shtatorit dhe nuk kanë test PCR, ose certifikata për vaksinim ose që e kanë kaluar COVID-19, do të caktohet masë karantine prej 7 ditësh izolim në shtëpi me vendim të Inspektoratit Shëndetësor.

Shtetasit e huaj që kalojnë tranzit nëpër Republikën e Maqedonisë së Veriut do të mund ta bëjnë këtë në afat prej 5 orëve, me deklaratë të nënshkruar paraprakisht në hyrje të vendit, të cilën duhet ta dorëzojnë para kontrollit kufitar në dalje nga vendi.

Maqedonia e Veriut po kështu në ndryshim nga Shqipëria ka arritur të siguroje udhëtimin e lirë drejt dhe brenda bllokut Europian, pasi (BE) nga 20 gushti ka pranaur certifikatat e vaksinimit kundër koronavirusit të ri (COVID-19) të Maqedonisë së Veriut Ky vendim i Komisionit Evropian është njohje për Maqedoninë e Veriut për hapat aktive të ndërmarrë nga ana jonë në kontekst të ndërveprimit me rregullat e BE-së në këtë drejtim. Kjo do të thotë konfirmim për autenticitetin, vlefshmërinë dhe integritetin e vendimeve, hapave dhe masave që ndërmerren nga institucionet tona kur bëhet fjalë për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve tanë", tha në një njoftim Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut.

Organi ekzekutiv i BE-së miratoi vendime ekuivalente për certifikatat COVID-19 të lëshuara nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, Turqisë dhe Ukrainës.

Personat që posedojnë certifikatën COVID-19 të lëshuar nga këto tre vende nga nesër do të lejohen të udhëtojnë në bllokun evropian me të njëjtat kushte si qytetarët e BE-së.

Në këmbim, qytetarët e BE-së do të mund të përdorin kartat e tyre COVID-19 kur do të hyjnë në Maqedoninë e Veriut, Turqi apo Ukrainë.

Po ashtu për të hyrë në Mal të Zi jane katër kritere të përcaktuara:

-Certifikatën e vaksinimit me dy doza ose me një dozë.

-Test PCR jo më shumë 72 orë.

-Vërtetim që ke kaluar COVID-19 jo me pak se 14 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë nga testimi pozitiv me COVID-19

-Test antigen negativ jo më shumë se 48 orë.

“Nëse personat, pavarësisht nëse janë shtetasit tanë apo të huaj, me vendbanim të përhershëm në Malin e Zi, nuk posedojnë asnjë nga katër provat, ata dërgohen në një izolim katërmbëdhjetë ditor i cili mund të përfundojë pas ditës së gjashtë për të hyrë në Malin e Zi me një test PCR negativ ”, tha drejtori i Institutit të Shëndetit Publik Igor Galić në njekonferencën për shtyp.

Gjithashtu, në dasma,  ditëlindje dhe festa të tjera pjesëmarrja do jetë me masat e më sipërme. Këto masa vlejnë nga data 20 gusht deri në 10 shtator.

Ndonëse qeveria e Malit të Zi i ka përjashtuar vendet e rajonit nga këto rregulla, ajo ka rritur vigjilencen për qindra turistë që vizitojnë këtë vend.

Shqipëria raporton çdo ditë me qindra të vaksinuar, e njëkohësisht ditët e fundit janë po me qindra qytetarë të infektuar me covid 19. Nga mosha 17 vjeç e sipër, të vaksinuar ose jo, spitalet po mbushen çdo ditë e më tepër.

Vaksinat nuk arriten të na bëjnë imunë ndaj virusit, megjithatë është me rëndësi vaksinimi si një shpresë që të paktën ky virus të bëhet  më pak vdekjeprurës, edhe pse  as kjo e fundit nuk është totalisht e sigurtë.

Vetë  kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj me anë të një statusi në rrjetet sociale ka ndarë një studim të publikuar në “British Medical Journal”, sipas të cilit, varianti “Delta” i koronavirusit është po aq i transmetueshëm dhe i rrezikshëm mes të vaksinuarve dhe të pavaksinuarve.

Postimi i plotë i Skënder Bratajt:

Covid-19 dhe varianti Delta. Të infektuarit e vaksinuar dhe të pa vaksinuar kanë të njëjtën ngarkesë virale.

Studimi i BMJ (British Medical Journal)

Përhapja e variantit Delta kërcënon strategjitë e vaksinimit që synojnë imunitetin e tufës kundër Sars-cov-2. Në fakt, e njëjta ngarkesë virale u zbulua midis personave të vaksinuar dhe të pavaksinuar, që infektohen me variantin Delta. Kjo theksohet nga një artikull i botuar në British Medical Journal (BMJ), në lidhje me të dhënat që dolën nga një shtim i numrit të infeksioneve në Massachusetts. Në thelb, vaksinimi mbetet mbrojtës shumë i lartë, por nuk është i mjaftueshëm për të ndaluar përhapjen e variantit delta.

Testet e kryera nga data 3 deri në 17 korrik midis banorëve të Massachusetts në Provincetown, një vend i njohur pushimesh në Shtetet e Bashkuara, zbuluan se 75 % e njerëzve të infektuar ishin të vaksinuar. Midis të vaksinuarve dhe të pa vaksinuarve ngarkesa virale ishte e njëjtë. Ky zbulim sugjeron që të dy grupet kanë të njëjtën ngarkesë virale dhe përhapja e infeksionit është pothuajse e njëjtë nga të dy grupet ka paralajmëruar Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Rezultatet vërtetojnë se të vaksinuarit gjatë verës po luajnë një rol të rëndësishëm në përhapjen e infeksionit të variantit delta, prandaj CDC rekomandon që personat e vaksinuar të mbajnë maska në ambjente të mbyllura. Por CDC konfirmon se vaksina vazhdon të ofrojë mbrojtje të fortë kundër formave të rënda të sëmundjes. Nga 346 personat e vaksinuar që rezultuan pozitivë në epideminë e Provincetoën, 79% e tyre ishin simptomatikë dhe testi i gjenomës tregoi se 90% kishin variantin delta. Vlen për tu theksuar se vetëm katër të infektuar u shtruan në spital dhe nuk pati asnjë humbje jete.

Disa ditë më parë, profesor Anthony Fauci, konsulent i Presidentit amerikan Joe Biden, paralajmëroi se varianti Delta mund të shkaktojë të njëjtin nivel infektimi si te personat e vaksinuar dhe te ata të pavaksinuar.

Disa të dhëna nga rezultatet e testit të ngarkesës virale ishin marrë paraprakisht nga Washington Post, e cila u konsultua me epidemiologët e njohur në këtë fushë. Jeffrey Shaman, epidemiolog në Universitetin e Columbias, komenton se vaksinimi tani ka të bëjë me mbrojtjen personale, mbrojtjen nga format e rënda të sëmundjes. Imuniteti i tufës nuk është i rëndësishëm pasi po shohim dëshmi të shumta të infeksioneve edhe në të vaksinuar.

Drejtoresha e Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC), Rochelle Walensky deklaroi se, ky zbulim është shqetësues dhe ka qenë një faktor që ka çuar në udhëzimet e reja, që rekomandojnë përdorimin e maskave në ambiente të mbyllura edhe për personat e vaksinuar.

Ky studim tashmë është kthyer në këmbanë alarmi për gjithë botën, vetëm për Shqipërinë JO(!)

As ky studim, as masat që ndërmorën fqinjët tanë, madje as numrat në rritje të viktimave dhe të prekurve me virusin Covid-19 në Shqipëri nuk po e zgjon nga gjumi qeverinë.

E gjithë makineria qeveritare, mediatike dhe jo vetëm janë të fokusuar të refugjatet afganë dhe tek mbrojtja e tyre  (një tjetër bombë me sahat sa i përket covid-19), duke harruar  të mbrojnë “pragun e shtëpisë” dhe të kujdesen për qytetarët e tyre. / Argumentum.al