Dikur Beniamin, Sot i Anatemuar e i Përzënë nga SHBA

Genc Mlloja

Një thirrje 'pranuan!', që lëshoi një ish - diplomat i lartë në Departmentin e Shtetit amerikan, çoi në këmbë Dr. Sali Berishën e të ndjerin Gramoz Pashko dhe mbështetësit e tyre, në një restorant në Uashington.

Është fjala për praninë e udhëheqësit të Partisë Demokratike të opozitës, Sali Berisha dhe numrit 2 Gramoz Pashko në këtë formacion politik në krijim në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit, që ndodhi  në Sallen e Traktateve në  Departamentin e Shtetit në Uashington më 15 mars 1991.

Fakt historik- Dokumenti u nënshkrua nga Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Raymond Seitz dhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Muhamet Kapllani më 15 mars 1991.

Për këtë ngjarje historike është shkruar shumë se është e asaj natyre që kërkon rikujtime në lidhjen shqiptaro-amerikane. Po kështu janë përmendur edhe protagonistët kryesore të saj se u desh një vit e pak bisedime në Nju Jork për të arritur atë marrëveshje.

Por po i kthehem si ngjarje, kuptohet e paharrueshme, lidhur me angazhimin e një segmenti të diplomacisë amerikane që të ishin të pranishëm politikanet opozitare Berisha e Pashko.

Ish - diplomati amerikan, që për etike diplomatike nuk po i përmend emrin (të interesuarit mund të lexojnë për ngjarjen e treguar prej tij në google), ishte i gzëuar që u pranua pjesmarrja e Sali Berishës në ceremoni sepse sipas një marrëveshje midis Misionit shqiptarë pranë OKB-së e Departamentit të Shtetit në listen e asnjërës pale nuk figuronte as ai e as i ndjeri Pashko. Secila pale kishte ftuar nga 30 vete që u miratuan bashkarisht për të asistuar në ceremoni që nuk është më sekret u konsultua edhe me të ndjerin Anthony Athanas, figure epikale në rilidhjen shqiptaro-amerikane, me qender në Boston tek restoranti legjende 'Pier 4'.

E vërteta është që kur po prisnim ministrin e jashtëm shqiptar të asaj kohe Muhamet Kapllani të vinte nga Parisi, vonë në mbrëmje në Uashington ish diplomati amerikan me befason për ftesën që u kishin bërë zotërinjeve Berisha e Pashko.

Ai dukej në siklet të paktën nga pamja e jashtme për këtë prerje në besë e më kërkoi t'ia thoja unë fillimisht ministrit Kapllani. Pata kohë ti kujtoj si ishte rënë dakort por po luante rolin e një servili me nënkuptimin se ky urdhër kishte ardhur nga tepër lart.

Tashmë dihet se Berisha mori pjesë por nuk e kam kuptuar kurrë atë diplomat mashtrues që pretendonte në një media shqiptare se unë 'cinovniku', siç më cilësonte në 'kujtimet' e tij, po e pengoja t'ia thoja këtë ministrit, e kujt ministrit shqiptar(!)

Mashtrim dyfish: shkelja e marrëveshjes në minutën e fundit dhe komunikimi i tij me mua në aeroport plot gënjeshtra.

Asnjëherë nuk kemi patur keqkuptime me diplomaten Suzan Sutton, e cila merrej me Shqipërinë; përkundrazi ka qenë shembull i etikes diplomatike që bëri të mundur edhe një takim të Ministrit të Jashtëm Kapllani me Zotin James Baker i cili erdhi siç dihet për bisedime në Tiranë.

Kujtojmë po kështu vizitën historike të një Presidenti në detyrë të SHBA, Presidentit George Bush më 10 qershor 2007, e cila është edhe e para e një presidenti amerikan në Shqipëri, kur President ishte Alfred Moisu dhe Kryeministër Sali Berisha ishin në pushtet.

Nuk besoj se ishte largim nga tema por diçka e domosdoshme për tu ritreguar kur i përkdheluri, madje i përzgjedhuri i Uashingtonit- Sali Berisha, i pritur me përshëndetje ceremoniale në Shtëpinë e Bardhë, vihet në gryken e topit të udhëheqësjes më të lartë amerikane.

Të paktën kështu tregon Ambasadorja amerikane Yuri Kim në kumtimet gati të përditshme kundër 'djalit plangeprishës', veteranit themelues të PD-së.

Nuk kam patur asnjë lidhje pune me Berishen e PD si me asnjë force tjetër politike të djathtë apo të majte; gazetaria diplomatike ka qenë pasioni im çka ma kanë bërë të mundshme gazeta  prestigjioze Albanian Daily News  që më 15 gusht 1997 e në vijim.

Por si ndjekës i interesuar i diplomacisë, i zbatuesës të politikës të jashtme, i zhvillimit të Shqipërisë, ku SHBA-të na ka dalë zot, zelli i shefes diplomatike amerikane në Tiranë, për ta përzënë me presion aspak diplomatik, madje armiqësor, Sali Berishën nga parlamenti i ardhshëm, më ka habitur. Në kumtimet e saj për këtë çështje ajo ka përdorur urdhërin 'kërkoj' disa herë. Ah, sikur kjo 'kërkoj' e Kim të ishte për një jetë më të mirë të këtij populli që e pati menduar Amerikën e mrekullive në 1991 se do të sillte dollare si shi.

Tanket e luftanijet shëtiten nëpër territorin e këtij vendi këtë pranverë në kuadrin e NATO-s të kryesuar nga Uashingtoni. Arkivat tregojnë se Berisha ishte garanti për këtë aleance e SHBA-të e besuan. Ata në fakt i kanë dhënë shumë lëvdata në 30 vjet e ai është krenuar ndonjëherë me të drejtë e pa të drejte.

Rama e mallkoi Trumpin në derë të shtëpisë së tij para se të bëhej president, e bëri mik më vonë, e kuptohet edhe Ambasadorën Kim pa problem.

Ish- Presidenti Berisha sot për sot është i braktisuri i asaj fuqie që e vendosen në krye të shtetit, e kishin 'idhull' të antikomunizmit në Ballkan.

Ai,  ish- diplomati amerikan i 'paemër' i viteve 90, a thua ka ndryshuar mendim për Sali Berishën e simpatinë që kishte për të?

Kurse politikani veteran, doktor i shquar me profesion, Berisha, po e mëson në kurrizin e tij e të familje së tij së nuk është me 'flamurtari' i rivendosjes së lidhjeve shqiptaro-amerikane, ishte rrjedha e zhvillimeve globale. Ndoshta akoma atij i buçasin në mendje të shtënat e topave kur u prit në Shtëpinë e Bardhë. Por sot Ambasadorja Yuri Kim nuk don me i pa fytyrën, madje as në parlamentin e populliit shqiptarë.

Ky është, me pak fjalë, fati i të 'braktisurit' nga aleati strategik. Je përson i padëshirueshëm në SHBA!

/Argumentum.al