Forcat e Armatosura Kineze Drejt ‘Klasit Botëror’ në Mbrojtje të Vendit, Sigurisë Ndërkombëtare

Genc Mlloja

Kur u hodh e shtëna e parë e rezistencës së armatosur në Kryengritjen e Nanchang-ut, kryeqendër e provincës Jiangxi ne Kinën qendrore jugore me 1927, e organizuar nga Partia Komuniste e Kinës (PKK) pak vite pas krijimit te saj (1921), populli kinez por edhe mbare opinioni publik botëror u lajmëruan se ishte krijuar një forcë ushtarake e mbiquajtur Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës (UÇP) detyra e të cilës ishte që ti jepte fund pushtimit skllavërues e poshtërues të gjatë kolonialist, të çlironte vendin nga pushtuesit e kolaboracionistët e tyre të çdo ngjyre e armiqt e tjerë, ti kthente lirinë dhe dinjitetin masave të gjëra popullore dhe të kontribuonte që vendi ti futej rrugës së zhvillimit të ëndërruar prej motesh. Që në atë kohë, pra 94 vjet më parë, u bë leitmotif për veprim kumtimi i udhëheqësit veteran kinez, Mao Ce Dun se kush kishte ushtrinë kishte pushtetin. Ajo bërthamë e vogël luftarake, e cila u shndërrua me shpejtësi në një ortek të vërtetë me emrin Ushtria Çlirimtare Popullore në radhët e të cilës u bashkuan me miliona atdhetarë, ia doli me vetëmohim, nën udhëheqjen e PKK-së, të realizojë misionin historik që solli shpalljen e Kinës Republikë Popullore më 1 tetor 1949.

Historia tregon se hapat e parë të formësimit të ushtrisë popullore datojnë më 1 gusht 1927 kur PKK organizoi Kryengritjen e Nanchang-ut për ti bërë ballë spastrimeve anti-komuniste të Kuomintang-ut dhe kësisoj ajo datë u bë simbol që përkujtohet si Dita e Ushtrisë në Republikën Popullore të Kinës. Ishte largpamësia e PKK-së, e cila festoi në korrik të këtij viti 100-vjetorin e themelimit të saj, të hidhte themelet dhe të ndërtonte mbi bazën e tyre një platforme të qartë te instrumentit kyç – ushtrisë së organizuar- për të çliruar vendin, për të rivendosur sovranitetin kombëtar, për të ruajtur integritetin tokësor, sigurinë dhe interesat e zhvillimit kombëtar të popullit kinez.

“Në rrugën historike për të ndërtuar plotësisht një vend modern socialist dhe për të arritur objektivin e qindvjeçarit të dytë, duhet ti kushtohet rëndësi më e madhe forcimit të mbrojtjes kombëtare dhe forcave të armatosura”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PKK-së, Xi Jinping duke folur në një sesion të grupit të punës të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së më 30 korrik 2021 në prag të përvjetorit të 94-të të krijimit të UÇP-së. Duke përshëndetur oficerët, ushtarët dhe personelin civil të ushtrisë dhe të forcave të tjera të policisë dhe rezervistët, Xi, që është gjithashtu President dhe kryetar i Komisionit Ushtarak Qendror, bëri thirrje për vullnet të fortë dhe vendosmëri për të punuar që të arrihen objektivat e vendosura për 100-vjetorin e UÇP-së.

Vendimin e Komitetit Qendror të PKK-së dhe Komisionit Ushtarak Qendror lidhur me objektivat e 100- vjetorit Xi e quajti ‘tejet të rëndësishëm’ sepse, sipas tij, kjo është një detyrë kritike sa i përket sigurisë kombëtare dhe zhvillimit të përgjithshëm. Duke bërë një rikapitullim të përpjekjes së PKK-së gjatë 100 viteve të kaluara, Xi vuri në dukje se “Partia komandon pushkën” dhe ndërtimi i forcave të armatosura janë konkluzione të arritura nëpërmjet luftërave të ashpra.

Me atë rast Xi deklaroi se realizimi i objektivave është një reformë e thellë për ndërtimin e përgjithshëm të tërë ushtrisë dhe bëri thirrje për transformim në filozofinë e zhvillimit për të siguruar zhvillim të nivelit të lartë. Ai nënvizoi domosdoshmërinë e përshtatjes në raport me kursin global të zhvillimit ushtarak dhe të përballimit të kërkesave për fuqizimin e kapacitetit strategjik të forcave të armatosur duke kërkuar përpjekje për të çuar përpara reformën e mbrojtjes kombëtare dhe të forcave të armatosura.

Epokë e re, detyra të reja…

Çdo veprim në fushën ushtarake nuk është karakterizuar nga ndonjë ambicie e Kinës për hegjemoni në kohërat moderne, dhe gara e ethshme e armatimit e fuqive të mëdha nuk ka qenë synim e moto e fuqizimit të ushtrisë, por përpjekje logjike për të qenë në një hap me zhvillimet botërore si në politikë, diplomaci dhe ekonomi edhe në ‘teatrin global ushtarak’. E janë pikërisht forcat e armatosura që e kanë detyrën e mbrojtjes së sigurisë kombëtare, sigurisë së popullit dhe stabilitetit shoqëror, të mbajnë larg, të frenojnë dhe të mposhtin çdo aventurë të kujtdo fuqie hegjemoniste.

Duke patur parasysh zhvillimin ekonomik dhe social si dhe rolin në rritje si ndër aktorët më kryesorë në skenën politike rajonale dhe botërore një ushtri e fortë është domosdoshmëri për Kinën, e cila, sikurse e tregon historia, nuk ka sulmuar kënd, përkundrazi e kanë sulmuar dhe e kërcënojnë përsëri. Është në logjikën e realitetit botëror deklarata e Presidentit Xi se një vend i fortë duhet të ketë një ushtri të fortë sepse veç atëhere mund të garantohet siguria kombëtare. Gjej rastin të bëj një paralelizëm të kësaj direktive të Xi-së më thënien e Mao Ce Dunit të përmendur më lart se kush kishte ushtrinë kishte pushtetin.

Si një forcë e madhe në skakierën gjeopolitike botërore, forcat e armatosura të Kinës janë objekt vëzhgimi e vlerësimi në arenën ndërkombëtare si çdo aspekt i jetës së saj. Ndërsa pjesa dërmuese e vendeve të botës e shikojnë potencialin ushtarak të saj si balancues të ekuilibrit të forcave në botë dhe deri diku frenues të aventurave ushtarake globale, disa fuqi perëndimore e konsiderojnë çdo hap përpara të Kinës në forcimin e mbrojtjes si përpjekje të saj për të shtrirë zonat e influencës, për të demonstruar muskulin e forcës ushtarake. Janë më se të shpeshta pyetjet rutinë sa i fuqishëm është arsenali bërthamor i Kinës, sa është buxheti që shpenzon për ushtrinë, cili është potenciali i forcave të saj detare dhe ajrore, sa është numri i trupave nën armë i një populli prej 1.4 miliard banorësh etj. etj. Në fakt, e gjithë kjo tregon se ushtria, niveli i saj luftarak dhe pajisjet në përdorim si dhe objektivat e ardhshme strategjike, shërbejnë edhe për të formësuar qëndrimin e botës ndaj këtij vendi në çdo moment. “Ne nuk kemi qenë të implikuar në luftëra për një kohë të gjatë. Por është pikërisht ushtria që i ka siguruar dinjitetin dhe paprekshmërinë Kinës… Ndërsa vihet re një shkallëzim i konfrontimit kino-amerikan, UÇP-së i duhet të kryejë më shumë detyra për të mbrojtur interesat kombëtare,” thekson Hu Xijin, kryeredaktor i Global Times, veteran ushtarak në një shënim me titull ‘UÇP siguron paqen e Kinës edhe kur nuk është në luftë’ botuar më 1 gusht 2021.

Ushtri e klasit botëror në mesin e shekullit 21

Kina synon në thelb të përfundojë modernizimin e mbrojtjes së saj kombëtare dhe forcave të armatosura deri në vitin 2035, dhe të transformojë plotësisht forcat e saj të armatosura në forca të klasit botëror deri në mesin e shekullit 21. Nuk ka asnjë sekret në këtë mes; Presidenti Xi dhe autoritetet kompetente kanë konfirmuar disa herë këto objektiva, madje duke dhënë edhe argumente e detaje të ecurisë së këtij procesi në të gjitha etapat e tij.

‘Ëndrra kineze’ përfshin ‘ëndrrën e forcave të armatosura të forta, çka do të thotë modernizimi i UÇP-së rreth vitit 2035 duke e bërë atë të ‘klasit botëror’ rreth mesit te këtij shekulli, e ka shpallur botërisht Presidenti Xi.

Konkretisht, ndryshime të mëdha strukturore ndodhën në forcat e armatosura pas fundit të nëntorit 2015, kur Xi nisi një reformë gjithëpërfshirëse ushtarake. Ai i kushton një rëndësi të madhe stërvitjes ushtarake. Aftësia luftarake u krijua si standardi "i vetëm dhe themelor" i ushtrisë. Vetëm ata që janë të aftë për të luftuar mund të ndalojnë betejat, dhe vetëm ata të përgatitur për luftë nuk kanë pse të bien në luftë, tha Xi.

Që në 1978 kur u shpall hapja e madhe e Kinës edhe ushtria u përfshi në procesin e reformave dhe një hop cilësor filloi në 2015 teksa një udhëheqje ushtarake, një forcë raketash dhe një forcë mbështetëse strategjike u krijuan në UÇP. Por në fakt, që nga viti 2013 një program i ri reformash në fushën e mbrojtjes ushtarake dhe të forcave të armatosura u vendos si përparësi në axhendën e udhëheqësve të sapozgjedhur të partisë dhe shtetit të kryesuar nga Presidenti Xi Jinping. Krijimi i Komisionit të Sigurisë Kombëtare (NSC) më 17 Mars 2013 me detyrë për të bashkërenduar punën në lidhje me sigurinë kombëtare dhe përmirësimin e sistemit dhe strategjisë të sigurisë kombëtare është konsideruar si pjesë vitale e reformës ushtarake. Shumë masa vendimtare janë marrë në kuadrin e një ndryshimi strategjik me synimin për të transformuar ushtrinë në një forcë gjithëpërfshirëse moderne.

Si rezultat i kësaj reforme ushtria kineze aktualisht ka pesë degë të pavarura, duke përfshirë ushtrinë, marinën, forcën ajrore, forcën raketore - operatori strategjik dhe taktik i raketave - dhe forcën mbështetëse strategjike, e cila është përgjegjëse për kibernetikën, hapësirën dhe luftën elektronike.

Një reformë tjetër kryesore ka qenë krijimi i "pesë zonave operacionale" më 1 shkurt 2016. Xi theksoi se krijimi i zonave operacionale lindore, jugore, perëndimore, veriore dhe të mesme, duke formuar një komandë të përbashkët operacionesh në secilën zonë, është vendim strategjik i marrë me synimin për të realizuar ëndrrën e Kinës, është masa ikonike për përmbushjen e strategjisë së fuqizimit të forcave të armatosura nëpërmjet reformës, është një përparim historik në ndërtimin e sistemit të përbashkët të operacioneve ushtarake kineze. Sipas Presidentit, zona operacionale ka misionin e përballimit të kërcënimeve ndaj sigurisë, ruajtjen e paqes, frenimin e luftërave dhe fitimin e luftërave në drejtimin e tij strategjik, dhe luan një rol jetësor në zbatimin e strategjisë së sigurisë kombëtare dhe strategjisë së përgjithshme ushtarake. Një hap i rëndësishëm ishte edhe vendimi i marrë më 3 dhjetor 2016 për reformën në madhësinë dhe strukturën e forcave të armatosura. Menjëherë pas kësaj, ushtria u shndërrua nga 18 grupe ushtarake në 13 grupe. Nga 18 Prill 2017, filluan të funksionojnë 84 njësi të reja të nivelit ushtarak të të gjithë ushtrisë, duke përfshirë ushtrinë, marinën, forcën ajrore, forcën e raketave dhe forcën mbështetëse strategjike, si dhe sistemin komandues të zonës ushtarake krahinore.

Ndërkohë UÇP ka shkurtuar forcat tokësore si pjesë e 'ndryshimit transformues' në ushtri. "Reforma e kaluar u përqendrua kryesisht në zvogëlimin e trupave. Sidoqoftë, në reformën që filloi nga viti 2013, jo vetëm madhësia e ushtrisë u zvogëlua me 300.000 trupa, por sistemi i administratës dhe ai i komandës u ristrukturua totalisht dhe forcat janë riformuar”, koloneli Liu Xingjiang, ish-atasheu ushtarak ne Ambasadën kineze në Tiranë, i deklaroi Albanian Daily News më 24 korrik 2019. Ato masa çuan në rezultatin që ushtria kineze të ketë një strukturë drejtuese direkte, struktura e saj organizative është optimizuar dhe njësitë e saj bazë janë integruar gjithnjë e më shumë. Kjo reformë ka sjellur ndikim të gjerë për të ardhmen e UÇP-së sa i përket potencialit të raketave nëpërmjet forcës mbështetëse strategjike.

"Ne duhet të përqendrojmë të gjithë mendjen dhe energjinë tonë në përmirësimin e aftësive luftarake dhe të sigurohemi që jemi plotësisht të përgatitur, të aftë për të luftuar dhe të aftë për të fituar në çdo kohë kur Partia ose njerëzit kanë nevojë", tha Xu Dawei, një oficer ushtrie, brigada e të cilit punon në teknologjinë e dronëve.

Ndërsa Kina vazhdon të forcojë mbrojtjen e saj kombëtare dhe forcat e armatosura, natyra mbrojtëse e politikës kombëtare të mbrojtjes së vendit mbetet e pandryshuar. "Kjo është e shkruar në Ligjin e Mbrojtjes Kombëtare, duke u bërë një politikë themelore, e qëndrueshme dhe afatgjatë që ne mbështesim", tha He Lei, një ligjvënës kombëtar dhe ish- nënkryetar i Akademisë së Shkencave Ushtarake.

Që në fillimet e kohërave moderne, populli kinez ka vuajtur nga agresione dhe luftëra dhe nuk është fakt arkive por realitet se që nga krijimi i Republikës Popullore të Kinës më 1949 ky vend nuk ka filluar ndonjë luftë ose konflikt. Edhe pse është bërë vendi i dytë më i madh ekonomik në botë me një popullsi prej më tepër se 1.4 miliard banorësh asnjëherë nuk janë ushqyer ambicjet për ‘’hapësira jetike’.

Por nuk ka se si të vihet në pikëpyetje sovraniteti i saj mbi Tajvanin, pjesë e pandashme e këtij vendi. “Kina nuk bën asnjë premtim të heq dorë nga përdorimi i forcës, dhe rezervon të drejtën të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme… UÇP do të mposhtë me vendosmëri këdo që përpiqet të ndaj Tajvanin nga Kina dhe do të mbrojë unitetin kombëtar me çdo çmim”, nënvizon një koment i Xinhua botuar me rastin e përvjetorit forcave të armatosura të këtij viti.

Po kështu është jashtë çdo logjike veprimtaria separatiste për një ‘Tibet të pavarur’ apo përpjekjet për të krijuar ‘Turkistanin e Lindjes’ apo nxitja armiqësore për destabilitet në Xinjiang, Hong Kong apo zonë tjetër të vendit.

Sistemi i mbrojtjes i Kinës synon të frenojë dhe ti bëjë ballë cdo agresioni por edhe të mbrojë interesat kineze përtej detit. Prandaj Kina ka bërë hapa të mëdha në zhvillimin e forcave të saj detare dhe ajrore. Më lejohet të kujtoj se në vitet 1960 provokacionet e forcave ajrore amerikane në hapësirën ajrore të Kinës ishin të shpeshta. Tani u duhet të mendojnë mirë çdo ndërhyrës apo dhunues të kësaj hapësire apo të të të drejtave dhe interesave të zonave detare të saj sepse çdo provokim është paralajmëruar me përgjigjen e merituar të forcave përkatëse të ushtrisë popullore.

Në ndihmë të popullit…

Forcat e armatosura kineze kanë një vlerësim të lartë në mes të masave të gjëra të popullit dhe gëzojnë simpatinë e tyre jo vetëm se ushtria ka lindur nga populli dhe bijt e bijat e tij mbushën radhët e saj, por se mbeti popullore në mendim e veprim e shprehur kjo në kontributin e saj në çdo fatkeqësi natyrore apo shëndetësore apo rrezik tjetër.

Për të qenë aktual mjafton të kujtohet angazhimi i tyre gjatë përmbytjeve të mëdha në Kinën qendrore në muajin korrik. Digat dhe brigjet e lumenjve, rezervuarët dhe zonat e përmbytura ishin skenat e betejave të forcave të armatosura kundër përmbytjeve. Ka një histori të tërë mbresëlënëse ky aspekt për faktin se disa zona të Kinës janë të prirura të goditen sistematikisht nga përmbytje fatale dhe duke vënë njeriun në plan të parë ata kanë qenë sheshi i betejës së tyre duke bërë sakrificat më sublime.

Nuk më duket aspak propagandë parrulla që mbanin mjetet e tyre të transportit: “Populli i Pari, Jeta e Para”!

Po me këtë vetëmohim forcat e armatosura u angazhuan në përballjen për mposhtjen e Covid-19, dhe është vlerësuar kontributi i tyre i gjithanshëm jo vetëm në pikat e nxehta të epidemisë vdekjeprurëse por në të katër anët e vendit.

Shumë analistë ndërkombëtarë nuk e kanë anashkaluar këtë aspekt, duke e parë e vlerësuar si pjesë e kulturës së ‘disiplinës’ kineze të ngulitur në një ushtri që nuk qëndron e mbyllur në kazermë, por është një me popullin e hallet e tij.

Ndërkohë duhet përmendur se veteranët nuk u lanë në mëshirë të fatit si pasojë e reformave në forcat e armatosura dhe për këtë qëllim u krijua një ministri e posaçme për të trajtuar çështjet në mbrojtje të interesave të tyre. Konkretisht Ministria e Çështjeve të Veteranëve filloi funksionimin më 16 prill 2018 si pjesë përbërëse e reformës institucionale. Janë disa shembuj konkretë interesantë: pushtetet lokale u siguruan punë civile 80.000 ish- oficerëve dhe ndihmuan 400.000 ushtarakë të dalë në pension që të sistemohen në vitin 2018.

Për Kinën nuk janë ‘jashtë mode’ paqeruajtësit e OKB-së

Modernizimi hap pas hapi i forcave te armatosura si dhe rritja e përgatitjes luftarake dhe profesionale e efektivave të armëve të ndryshme është shoqëruar me përpjekjen e pandalshme të Kinës për bashkëpunim reciprok ndërkombëtar edhe në aspektin ushtarak.

Ky bashkëpunim ka marrë përparësi me kontributin e saj në OKB në kuadrin e forcave paqeruajtëse, që nuk ka asgjë të përbashkët me ndërhyrje në punët e brendshme apo përpjekje për të imponuar vullnetin e saj vendeve të tjera. Ajo që bie në sy në politikën e bashkëpunimit të jashtëm ushtarak të Kinës është partneriteti dhe jo krijimi i aleancave. Është fakt se Kina nuk bën pjesë në asnjë bllok ushtarak dhe linja e saj përkon me kundërshtimin e hegjemonizmit dhe përpjekjet për krijimin e zonave të influencës.

Që nga viti 1990, forcat e armatosura të Kinës kanë dërguar më shumë se 40.000 personel ushtarak në 25 misione të ndryshme paqeruajtëse në kuadrin e OKB-së. Aktualisht, vetëm në Afrikë janë mbi 2000 ushtarakë kinezë aktive në detyrë në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

Ndërkohë, nga të dhënat zyrtare Kina është kontribuuesi i dytë më i madh në buxhetin paqeruajtës të OKB -së dhe tarifat e anëtarësimit në OKB. Vlera e kontributit të saj llogaritet të jetë sa 15.21% e buxhetit të destinuar për misionet paqeruajtëse.

Por angazhimi i Kinës ka qenë po aq jetik në drejtim të sigurimit të lundrimeve detare dhe deri në maj 2021 ajo kishte administruar 38 eskorta detare, përfshirë 114 anije, dhe mbi 31.000 personel ushtarak është angazhuar për të shoqëruar anijet të autorizuara nga Kombet e Bashkuara në Gjirin e Adenit dhe ujërat pranë Somalisë. Ata kanë shoqëruar kalimin e sigurt të mbi 7000 anijeve nga e gjithë bota.

Kundrejt një angazhimi gjithnjë e më të madh të Kinës në misionet paqeruajtëse të OKB-së është interesant por edhe e çuditshme të konstatohet një rënie e interesit të disa vendeve perëndimore në këtë aspekt. Kështu për shembull Kanadaja kryeministri i të cilës Lester Pearson ishte iniciator i misionit të parë paqeruajtës të OKB-së 65 vjet më parë dhe mori Çmimin Nobel për këtë, tani ka disa dhjetëra trupa nga 3300 trupa të angazhuar në misione paqeruajtëse në vitet 1990.

“Misioni paqeruajtës i OKB-së po del jashtë mode”, citohet nga The Americas më 22 korrik 2021 të ketë thënë majori Tim Dunne, një oficer i dalë në pension, i cili kishte organizuar një numër misionesh të kësaj natyre në vitet 1970. Por nuk është vetëm Kanadaja që ka këtë qëndrim për vlerën e paqeruajtësve të OKB-së, të cilët tani janë të angazhuar në 13 misione të tilla 7 prej të cilave në Afrikë.

Por Kina nuk mendon kështu, dhe misionet paqeruajtëse nuk i konsideron të dala ‘jashtë mode’. Madje kontributi i saj në veprimtarinë humanitare paqeruajtëse të OKB-së sa vjen e diversifikohet dhe merr vlerë në kushtet e vështira të botës së sotme. Pekini zyrtar e ka njoftuar kohët e fundit Sekretarin e Përgjithshëm António Guterres se Kina do ti dhurojë 300.000 doza të vaksinave COVID-19 paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara me përparësi misione të tilla në Afrikë. Ky veprim humanitar është vazhdim i zotimit të Kinës për të përmbushur premtimin që vaksina të bëhet një produkt publik global për t’iu ardhur në ndihmë veçanërisht vendeve të varfëria që nuk kanë mundësi të subvencionojnë blerjen e tyre.

Kina ka mbështetur paqen dhe stabilitetin dhe sigurinë ndërkombëtare me vepra konkrete, të cilat vlerësohen lart nga pjesa më e madhe e njerëzimit, i cili e ka të qartë se edhe një ushtri e fortë e saj i shërben paqes botërore jo luftës, ruajtjes së stabilitetit jo destabilizimit, zhvillimit jo shkatërrimit, bashkëpunimit jo frymës hegjemoniste. Përballë një ushtrie kineze të klasit botëror çdo politikan sado aventurier qoftë në SHBA apo aleatë të tyre do të stepen, frenohen e kuptojnë sa naivitet por edhe rreziqe ka ndjekja e një kursi armiqësor e kërcënues ndaj Kinës. Do të ishte në të mirë të mbarë njerëzimit fryma paqësore e dialogu konstruktiv duke mos shkelur në të ashtuquajturat ‘vijat e kuqe’.

Në atmosferën e këtij përvjetori të Ushtrisë Çlirimtare Popullore nuk ka mesazh më kuptimplotë se ai që jep Kina nëpërmjet Ministrisë së saj të Mbrojtjes Kombëtare, të transmetuar nga CRI në shqip më 1 gusht 2021, se disa nga veprimtaritë e Lojërave Ushtarake Botërore 2021 do të organizohen në Kinë nga 22 gushti deri më 4 shtator, dhe në të njëjtën kohë do të dërgojë ekipe në Rusi, Bjellorusi, Uzbekistan, Iran etj. për të marrë pjesë në veprimtari të tjera. Veprimtari të tilla ofrojnë miqësi e paqe, dhe aktivizimi serioz dhe i sinqertë i Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës gjithnjë e më shumë në të tilla raste, duke u bërë madje shpesh organizatore e tyre, dëshmon për karakterin e misionit të saj në mbrojtje të vendit dhe të paqes në botë!/CRI