Hapet pika e përbashkët kufitare me Malin e Zi, Rama: Lehtësim i lëvizjes drejt Ballkanit të Hapur,

Shqipëria dhe Mali i Zi hapën sot pikën e përbashkët kufitare në Grabom, Malësi e Madhe, në vazhdën e lehtësimit të lëvizjes drejt një Ballkani të Hapur, si një rajon i 4 lirive të Bashkimit Europian.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, në ceremoninë e organizuar me këtë rast në pikën e përbashkët kufitare, se “Open Balkan është e ardhmja e përbashkët europiane e rajonit tonë dhe më herët se vonë, këtë do ta kuptojnë e do ta mbështesin të gjithë”.

“Sot është një ditë e mirë, sepse bie një tjetër mur mes nesh, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Malit të Zi. Është një lajm i mirë për të gjithë ata që e përdorin këtë rrugë dhe nga sot kanë një pikë kalimi dinjitoze dhe një mundësi për të kaluar përmes kësaj pike duke u ndjerë qytetarë të denjë të të dyja vendeve tona”, tha Rama.

Megjithatë, ai tha se nuk mjafton të ndërtosh infrastrukturë dinjitoze dhe as të hapësh një pikë të re doganore, nëse së bashku ne nuk i heqim të gjitha barrierat jotarifore dhe nuk e bëjmë kalimin e qytetarëve tanë pa humbur asnjë minutë në pritje të identifikimit të dokumenteve.

Pavarësisht se kjo pikë ofron kushte me standarde të BE-së, Rama theksoi se “përsëri kamionët që do të lëvizin nga Mali i Zi drejt Shqipërisë apo anasjelltas, duhet të presin për të kryer kontrolle dhe duhet të bëjnë edhe 2 kontrolle në një numër të konsiderueshëm rastesh. “Kjo nuk shkon dhe ne duhet ta ndryshojmë pa humbur kohë”, tha ai.

Kryeministri informoi se së shpejti do të angazhohemi për të ndërtuar urën që lidh Velipojën me pjesën e Malit të Zi, ndërsa tha se “nuk e kupton dot se si ne do të ndërtojmë një urë e cila është në radhë të parë një rrugë kalimi turistike dhe aty do të kemi përsëri kontrolle”.

“Shpresoj që paralelisht e ndërtimin e urës, ne të bëjmë edhe shembjen e të gjitha barrierave të natyrës burokratike, të gjitha barrierave jotarifore të identifikimit të njerëzve dhe ajo urë të jetë një urë kalimi nga njëra anë e lumit në anën tjetër për turistët, vizitorët e qytetarët, pa pasur nevojë të ndjehen sikur po ndahen nga një shtet dhe po shkojnë në shtetin tjetër”, tha Rama.

Kryeministri kujtoi se “kjo është ajo që ndodh në BE dhe kudo ku ka ura kalimi mes dy vendeve të BE-së nuk ka barriera, nuk ka pritje, nuk ka kontrolle dhe identifikim dokumentesh”.

“Ne nuk kemi nevojë të shpikim asnjë gjë të re, por të angazhohemi të bëjmë këtë hapësirë, hapësirën mes dy vendeve dhe hapësirën e rajonit, një hapësirë ku sundojnë 4 liritë e BE-së: liria e lëvizjes së njerëzve, e lëvizjes së mallrave, e lëvizjes së kapitaleve dhe e lëvizjes së shërbimeve”, tha Rama.

Ky, tha ai, “është edhe qëllimi i nismës që kemi ndërmarrë në kuadër të Procesit të Berlinit, së bashku me Presidentin e Republikës së Serbisë dhe Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut”.

“Kjo është një nismë gjithëpërfshirëse dhe jo përjashtuese që synon pikërisht këtë, që në të gjitha vendet e rajonit tonë, përfshirë Malin e Zi, Kosovën dhe Bosnjën, njerëzit të ndjehen të lirë, të lëvizin të lirë dhe të gjithë sipërmarrësit të ndjehen me të njëjtin dinjitet si sipërmarrësit europianë kur lëvizin brenda përbrenda BE-së. Nëse sot për të hyrë në BE të gjithëve iu duhet të presin, nuk ka pse presin kur hyjnë nga një vend i rajonit tonë në një tjetër”, tha Rama.

Në përfundim, Kryeministri falënderoi palën malazeze për investimin, ndërsa shtoi se “ne nga ana jonë e kishim kryer tashmë investimin”.

“Tanimë pika doganore që na bashkon dhe që nuk duhet të na ndajë, por duhet të na bashkojë edhe më shumë, është e hapur. Uroj shumë që bashkë me gjithë qeverinë e Malit të Zi, ne të përparojmë me shpejtësi dhe Mali i Zi të përfshihet pa hapur kohë në iniciativën e ‘Ballkanit të hapur'”, tha Rama.