Jo 1 mijë, as 2 mijë por 4 mijë refugjatë afganë priten të vijnë në Shqipëri, të paktën deri tani…

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se Shqipëria do të strehojë rreth 4 mijë afganë, ndërsa nuk e përjashtoi mundësinë që ata mund të qëndrojë përgjithmonë, nëse e duan një gjë të tillë. Rama pati kritika për shtetet anëtare të NATO-së që i thanë "jo" strehimit të afganëve. 

Ndërsa fillimisht u fol për disa qindra afganë që priten të vijnë në Shqipëri, duket se vonesa e tyre ka rritur dhe numrin e afganëve. Në çdo interviste që kryeministri Rama jep për mediat ndërkombëtare, këta refugjatë shtohen me mijëra.

Rreth 4000 afganë që po largohen nga vendi i tyre pritet të strehohen në Shqipëri, specifikoi sot kryeministri Rama në një intervistë për gazetaren e CNN, Biana Golodryga në Amanpour Show.

“2000 që i kemi në listë dhe 2000 të tjerë që po punojmë për t’i pritur. Do të jenë rreth 4000 mijë”, u shpreh Rama.

Rama tha se para 30 vitesh shqiptarët kanë qenë për italianët siç janë tani afganët për ne, ndaj vendi ynë mund ta kuptojë thellësisht situatën e tyre, duke iu ofruar mbrojtje.

“Nuk mund të mos i ndihmojmë ndërkohë që rrezikojnë të vdesin”, tha Rama.

I pyetur nga gazetarja nëse është i gatshëm t’i strehojë afganët në mënyrë të përhershme në Shqipëri, Rama u përgjigj se janë të mirëpritur.

“Ky është një vend ku Kushtetuta e parë, Kanuni i më shumë se 100 viteve më parë, në paragrafin e parë kishte të shkruar ‘Shtëpia e shqiptarit i përket Zotit e mikut’; ata do të jenë miqtë tanë, nëse duan të qëndrojnë, janë të mirëpritur”, tha ai.

Qeveria miratoi sot zyrtarisht vendimin për mbrojtje të afganëve për një periudhë të përkohshme 1-vjeçare.

/ argumentum.al