Kabuli ra...kush është i interesuar për këtë situatë dhe cilat janë interesat dhe konseguencat e vendeve fqinje me Afganistanin?

Dritan DEMIRAJ
Kolonel. Ish-Ministër i Punëve të Brendshme 
Ndërkohë që Kabuli ra krejtësisht nën kontrollin e Talebanëve, presidenti i vendit Ashraf Ghani u largua në Taxhikistan së bashku me zv/presidentin Amrullah Saleh dhe 30 milionë dollarë kesh, kaosi ka mbërthyer gjithë vendit, një krizë e madhe ekonomike, sigurie dhe refugjatësh duket se sapo ka filluar dhe zgjidhja duket e pamundur.
Por si erdhëm në këtë situatë, kush është i interesuar për këtë situatë dhe cilat janë interesat dhe konseguencat e vendeve fqinje me Afganistanin?
Qeveria afgane e përkrahur nga SHBA-të, ka qenë në pushtet në Afganistan prej pushtimit amerikan në dimrin e vitit 2001. Që nga ajo kohë, Talebanët kanë fituar kontroll të madh në disa pjesë të vendit dhe sipas marrëveshjes së nënshkruar mes SHBA-ve dhe Talebanëve në Doha në muajin shkurt 2020, të gjitha forcat e huaja duhet të largoheshin nga Afganistani deri në fund të muajit maj të vitit 2021, në këmbim të garancisë për siguri nga ana e grupit të Talebanëve. Këto negociata u urdhëruan nga ish Presidenti amerikan Donald J. Trump, i cili që në mesin e vitit 2020 kishte kërkuar që të përshpejtohej procesi i tërheqjes së trupave amerikane, duke deklaruar se dëshironte që ata të ktheheshin në shtëpi për festat e Krishtlindjeve.
Ky konflikt në Afganistan gjatë dy dekadave ka krijuar rivalitet në marëdhëniet midis SHBA-ve dhe Iranit, Pakistanit dhe Indisë. Armiqësia e Iranit ndaj SHBA-ve ka shërbyer si një katalizator për Iranin për të bërë një lojë të dyfishtë në Afganistan. Irani fillimisht mbështeti ndërhyrjen ushtarake të SHBA-ve kundër Talebanëve dhe luaji një rol të rëndësishëm në krijimin e qeverisë së parë të Afganistanit, por njëkohësisht më pas në mënyrë të fshehtë vazhdoi mbështetjen e Talebanëve afganë gjatë viteve pasuese kundër misionit të ISAF-it.
Irani ndodhet në perëndim të Afganistanit, ndan me të 901 km vijë kufitare dhe ka lidhje të rëndësishme fetare, kulturore me popullin e tij. Pas rënies së regjimit të Talebanëve, qeveria e Afganistanit e ka cilësuar Iranin si: “Vëllezër dhe partnerë që na kanë ndihmuar shumë”. Të dyja vendet kanë njohur rritje të bashkëpunimit ekonomik nga fundi i vitit 2001, duke e bërë Iranin eksportuesin e dytë më të madh në vend pas Pakistanit. Por marëveshjet bilaterale për sigurinë midis Afganistanit dhe SHBA-ve janë kundërshtuar me forcë nga Irani, pasi prania e trupave amerikane dhe të NATO-s në “oborrin” e tyre konsiderohej e papranueshme. Në mënyrë të vazhdueshme Irani ka bërë thirrje për largimin e amerikanëve nga Afganistani.
Pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, e cila rrëzoi regjimin 26 vjeçar të Shah Pahlavit shënoi përfundimin e marëveshje së CENTO-s. Pas krizës së ambasadës amerikane dhe deri në ditët e sotme midis Iranit dhe SHBA-ve ekziston një konflikt i gjatë. Revolucioni Islamik qetësoi marëdhëniet e tensionuara me Bashkimin Sovjetik, megjithëse pushtimi i Afganistanit në vitin 1979 nga ana e Bashkimit Sovjetik shikohej si një kërcënim për Iranin. Gjatë këtij konflikti, Irani nuk ishte shumë aktiv në lidhje me mbështetjen e muxhahedinëve nga SHBA-të, Arabia Saudite dhe Pakistani. Kjo për shkak edhe të përplasjeve si pasojë e pushtimit të Iranit nga Iraku gjatë konfliktit 1980-1988 dhe mbështetjes së SHBA-ve për Sadam Hysein-in.
Pas tërheqjes së Sovjetikëve nga Afganistani në vitin 1989, Irani filloi të angazhohej më shumë në rajon, duke vazhduar të mbështesë me mjete financiare dhe armatime aleatët e saj të Aleancës së Veriut, të cilët kishin lidhje fetare dhe të vjetra me Iranin. Ata u mbështetën në vitet 1992-2001 nëpërmjet njësive të forcave speciale al-Quds nën drejtimin e gjeneral brigade Qasim Sulejmanit. Irani e zgjeroi përfshirjen dhe mbështetjen e komunitetit Shia Hazara në Afganistan dhe të grupeve muxhahedine që përfaqësonin ata.
Në vitin 1994 u shpall lëvizja e Talebanëve dhe shumica e vendit ra nën kontrollin e tyre. Në këtë moment Irani filloi mbështetjen e Aleancës së Veriut, e cila drejtohej nga gjenerali i famshën afgan me origjinë nga Taxhike Ahmad Shah Masoud. Kjo do të përbënte, bërthamën më të fortë të rezistencës anti-talebane nga viti 2006-2001.
Pakistani me ndihmën e parave të Arabisë Saudite dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe ndihmoi në krijimin e Talebanëve Afganë, duke bërë që të tre këto vende të sfidonin influencën Shia të Iranit në Azinë juglindore. Në kohën kur Talebanët vranë tetë diplomatë dhe një gazetar iranian në qytetin verior të Mazar-e-Sharif-it në vitin 1998, ushtria e Iranit dislokoi rreth 120.000 trupa në kufirin me Heratin, e gatshme për të pushtuar Afganistani.
Irani e përshëndeti pushtimin e Afganistanit nga SHBA-të, pasi ky pushtim ndryshoi balancën e fuqisë në interes të Iranit. Pas rrëzimit të regjimit të Talebanëve, Irani-India-Rusia filluan të bashkëpunojnë me qëllim krijimin e një qeverie të re në Afganistan. Influenca e Iranit tek Aleanca e Veriut ishte shumë e rëndësishme për krijimin e qeverisë së Hamid Karzait. Presioni diplomatik i Iranit gjatë bisedimeve të paqes për krijimin e qeverisë i zhvilluar në Bonn të Gjermanisë, bëri që të arrihej një marëveshje për ndarjen e pushtetit në Afganistan. Qeveria e re i ofroi shumë pozicione ministrash Aleancës së Veriut dhe me këtë rast duke rritur influencën e Iranit në të ardhmen e Afganistanit.
Për të forcuar ndikimin e tij, Irani përdori fuqinë e butë me qëllim ruajtjen e influencës në Afganistan, duke kundërshtuar në mënyrë të fshehtë SHBA-të dhe Talebanët gjatë gjithë kohës. Një nga mjetet e vazhdueshme që Irani ka përdorur në Afganistan, ka qënë fuqia e butë nëpërmjet përdorimit të mediave, duke harxhuar rreth 100 milionë dollarë në projekte civile, media sociale dhe ndërtimin e shkollave Shia.
Në vitin 2002-2003, Irani dhuroi 570 milionë dollarë dhe rreth 100 milionë dollarë të tjera në vitin 2006 për procesin e rindërtimit të Afganistanit, shumica e të cilave u bënë realitet. Gjatë viteve 2012-2013, sasia e tregtisë midis dy vendeve i kalonte 2 miliardë dollarë, duke e pozicionuar Iranin në rreth 35-40 për qind të sasisë së përgjithshme të tregtisë që Afganistani realizonte me vendet e tjera.
Si Irani dhe SHBA-të ndajnë disa qëndrime të njëjta rreth Afganistanit. Të dy vendet dëshirojnë një qeveri të qëndrueshme me qëllim që të parandalojë kthimin e qeverisë së Talebanëve dhe të al-Qaedës në pushtet. Marëdhëniet e tyre u përkeqësuan shumë kur presidenti Bush iu referua Iranit në vitin 2002 si “Boshti i së keqes” dhe në vitin 2003 kur u zbulua se Irani po ndërtonte fabrika për energji nukleare dhe përdorim ushtarak.
Në kohën kur qeveria e Afganistanit firmosi një marëveshje strategjike me SHBA-të në vitin 2005, Irani kërkoi nga qeveria e Afganistanit që të firmosnin një marëveshje ku të theksohej se SHBA-të nuk do të përdornin territorin e tyre për të realizuan operacione ushtarake kundër Iranit. Por SHBA-të i ushtruan presion Afganistanit që të mos e firmosnin një marëveshje të tillë.
Marëdhëniet e Iranit me SHBA-të u acaruan shumë gjatë presidencës së Donald J. Trump-it. Kjo fillimisht pas largimit të njëanshëm të SHBA-ve nga marëveshja bërthamore JCPOA (midis SHBA, Rusisë, Kinës, Francës, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë me Iranin) në vitin 2018. Kjo për shkak edhe të retorikave të vazhdueshme të SHBA-ve kundër Iranit, sanksioneve të shumta ekonomike, presionit të madh diplomatik, por sidomos pas vrasjes në datën 3 janar 2020 të gjeneral leitnant Qasem Suleimanit në Irak bashkë me Abu Mahdi al-Muhandis dhe të vrasjes së gjeneral brigade Mohsen Fakhrizadeh në datën 27 nëntor 2020 në Absard të Teheranit. Kjo klimë e tensionuar, ndikoi në marëdhëniet midis Iranit dhe Afganistanit pas firmosjes së marëveshjes bilaterale ushtarake Afganistan-SHBA.
Sipas Iranit, përpjekjet e ushtrisë amerikane dhe të aleatëve të tyre nga viti 2001-2021 kanë dështuar që të normalizojnë situatën e sigurisë në Afganistan. Sipas tyre, Talebanët dhe al-Qaeda kanë qënë të suksesshëm që të kenë nën kontrollin e tyre shumicën e territorit të Afganistanit dhe është e panevojshme që ata të vazhdojnë të qëndrojnë në këtë rajon.
Dokumentat e deklasifikuara të kapura gjatë operacionit për kapjen/vrasjen e bin Ladenit në kompleksin e Abbottabad-it në Pakistan përfshinin një raport që përbëhej nga 19 faqe të një zyrtari të lartë të al-Qaedës në Afganistan. Në dokument deklarohej se operativi i al-Qaedës Abu Hafs al-Mauritani kishte negociuar një marrëveshje që disa operativë të al-Qaedës të strehoheshin në Iran pas rënies së qeverisë së Talebanëve në Afganistan, pas sulmeve në SHBA-ve në muajin tetor-nëntor 2001.
Menjëherë lind pyetja se si mundet që iranianët shia të kenë mbështetur salafistët ose wahabistët të cilët sulmuan Amerikën!!
Është fakt i njohur se një numër i madh i udhëheqësve të al-Qaedës u larguan në Iran në vitin 2001 pas rënies së qeverisë së Talebanëve në Afganistan. Këtu përfshiheshin një numër i madh i familjes së bin Laden-it dhe disa nga figurave më të larta të al-Qaedës. Regjimi iranian, përmes forcave speciale al-Quds të IRGC-së, i mbronte dhe monitoronte anëtarët kryesorë të al-Qaedës në vende të sigurta, me qëllim që ata të vazhdonin operacionet e tyre terroriste dhe të shmangnin arrestimin nga autoritetet ndërkombëtare.
Një nga ngjarjet më të rëndësishme sa i përket marëdhënieve midis Iranit dhe Talebanëve është vizita e delegacionit të Talebanëve, me kërkesë së qeverisë së Iranit në Teheran në muajin qershor 2013. Pas këtij takimi, janë zhvilluar edhe disa takime të tjera me Iranin. Qëllimi i këtyre takimeve ishte normalizimi i marëdhënieve midis Talebanëve dhe Iranit. Gjatë këtyre takimeve, Teherani ka shfaqur shqetësimin rreth popullsisë Hazara në Afganistan, ndërkohë që Talebanët i kërkuan Iranit që të mos mbështesnin më kundërshtarët e tyre pas largimit të trupave amerikane nga Afganistani.
Afganistani ndodhet në një rajon sensitiv gjeopolitik. Kjo ka bërë që disa nga fuqitë më të mëdha të botës të zhvillojnë bashkëpunim në nivel të ndryshëm që të mbrojnë interesat e tyre në Afganistan, por edhe më gjërë në rajon. Irani, India dhe Rusia kanë qënë mbështetësit më të mëdhenj të Aleancës së Veriut kundër Talebanëve gjatë viteve 1990.
Duhet theksuar se të tre këto shtete kanë meritë në stabilizimin e Afganistanit, duke mos mbështetur ardhjen e Talebanëve në pushtet. Por në të njëjtën kohë, ata mbështetën edhe procesin e bisedimeve për arritjen e një marëveshje për mos përdorimin e dhunës, pranimin e Kushtetutës së Afganistanit dhe shkëputjen një herë e përgjithmonë nga al-Qaeda dhe grupet e tjera terroriste në rajon.
Irani dëshiron që Afganistani të jetë një shtet ku të gjithë grupet etnike të jetojnë në paqe, por kjo është shumë e vështirë të realizohet tani që Talebanët po marrin pushtetin. Këtë e kundështon edhe Rusia, pasi ata ardhjen në pushtet të Talebanëve e shikojnë si një mundësi për frymëzimin e grupeve militante, si psh: në krahinën e tyre të Dagestanit, Ingushetisë dhe Çeçenisë. Në të njëjtën kohë, India është e shqetësuar se ardhja e Talebanëve në pushtet mund të krijojë efekte serioze sa i përket stabilitetit në provincat kufitare të Jammu-së dhe Kashmir-it, ku operojnë nën mbështetjen e Pakistanit shumë grupe terroriste.
Për këtë qëllim, Irani dhe India kanë realizuar shumë projekte të qëndrueshme me regjimin aktual në Afganistan. Një nga këto shembuj është edhe ndërtimi në vitin 2009 i autostradës 217 km të gjatë në Chabahar-Zaranj-Delaram. India e ndërtoi këtë rrugë, me qëllim që të lidhte Afganistanin me portin e Chabahar-it në Iran. Kjo autostradë u ndërtua me asistencën e Indisë, për të krijuar një rrugë alternative për tregti nga Afganistani me qëllim që të anashkalohej Pakistani. Prodhimet Indiane shkojnë në Afganistan nga Azia Qëndrore përmes Iranit, pasi Pakistani nuk i lejon prodhimet Indiane të kalojnë përmes territorit të tyre. Tregtia aktive midis Iranit, Kinës dhe Afganistanit ka qënë e suksesshme, pasi sejcili nga këto vende e shikon njëri tjetrin si aleat potencial në mbajtjen e balancës së gjeostrategjisë kundër SHBA-ve. Megjithatë ka dhe kundërshtime midis këtyre katër shteteve.
Kina frikësohet se Afganistani mund të përdoret si bazë operacionale për separatistët e krahinës së Ujgurëve në perëndim të rajonit të Xinjiang-ut. Për këtë arsye, nuk e ka kundërshtuar shumë prezencën e trupave ushtarake dhe të NATO-s në Afganistan me të njëjtën forcë siç e ka kundështuar Irani. Rajoni i Xinjiang-ut ndodhet në kufi me Afganistanin, ndërkohë që Kina prej kohësh ka akuzuar geupet ekstremiste nga vendet fqinje si Uzbekistani, Taxhikistani, Turkmenistani dhe Afganistani për mbështetjen e separatistëve Ujgurë në këtë rajon. Kina i ka ofruar disa herë Afganistanit bashkëpunim që të luftojnë së bashku “grupet terroriste” në vendin e tyre.
India në mënyrë të vazhdueshme ka mbështetur misionin ndërkombëtar ushtarak të SHBA-ve dhe të NATO-s në Afganistan. Një nga objektivat kryesore të Indisë në Afganistan është parandalimi i dominimit të Pakistanit në këtë vend, ndërkohë që Irani e ka kundështuar marëveshjen bilaterale të sigurisë midis SHBA-ve dhe Afganistanit (BSA).
Edhe Rusia nuk ndihet e qetë, me rastin e prezencës së trupave të dislokuara në afërsi të kufirit të saj, pasi e parandien rrezikun e përhapjes së trafikut të drogës dhe të fuqizimit të grupeve terroriste në afërsi të kufijve të saj. Për këtë qëllim, Rusia ka dislokuar disa kontigjenteve të saj ushtarake me forca speciale dhe aviacion dhe këto ditë po zhvillon stërvitje antiterrori përgjatë kufirit Taxhikistan-Afganistan, me qëllim ndalimin e trafikut të drogës dhe të akteve terroriste. Rusia në mënyrë të prerë, nuk lejon influencën e huaj në Kaukaz dhe në Azinë Qëndrore, pasi këto rajone kanë një influencë të madhe në çështjet e sigurisë së brëndshme të Rusisë, por edhe të rajonit në përgjithësi.
D.D. Michigan.