Kosova ndan Medaljen Presidenciale për Beau Biden

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të dielën, ka ndarë Medaljen Presidenciale për Sundim të Ligjit për Beau Biden, djalin e ndjerë të presidentit amerikan, Joe Biden, i cili ka vdekur në vitin 2015 nga kanceri në tru.

Ai ka shërbyer në Kosovë pas mbarimit të luftës, përkatësisht më 2001, në trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve vendorë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e dhënies së Medaljes Presidenciale për Sundim të Ligjit për Beau Biden, ka deklaruar se me ndarjen e kësaj medaljeje, Kosova njeh kontributin që ai dha për Kosovën.

“Sa i përket Beau, trashëgimi e tij vazhdon të jetojë. Veprimet e tij vazhdojnë të na inspirojnë sot në Kosovë dhe të atyre njerëzve që ua ndryshoi jetën në Shtetet e Bashkuara”, deklaroi Osmani.

Sipas Osmanit, në të gjallë, Beau Biden, me punën e tij preku jetë njerëzish dhe bëri ndryshime.

“Siç është edhe shprehja ‘njerëzit e mirë janë si qiriu. Ata digjen që t’iu bëjnë dritë të tjerëve’. Dhe njerëzit më të mirë e bëjnë këtë pa e kuptuar. Besoj se njeriu i mirë matet me gjatësinë e ndikimit që lënë pas. Kjo ka të bëjë me njerëzit që inspironin gjatë jetës tuaj, zemrat që prekni dhe jetët që ndryshoni pa e kuptuar. I ndjeri Beau Biden ishte një njeri i tillë. Ai është qiriu i djegur që ka dhënë dritë për shumë njerëz”, tha Osmani.

Presidentja Osmani tha se ndihmën që SHBA-ja i ka dhënë Kosovës sa i përket lirisë dhe “të drejtës për të ekzistuar”, kalon përtej çdo partneriteti që mund të shihet në mbarë botën.

"Zoti President, më lejoni t’jua them juve dhe gjithë qytetarëve të Shteteve të Bashkuara: Kosova është edhe shtëpia juaj. Burrave e grave të vendit tuaj, anëtarëve të stafit tuaj, stafit diplomatik dhe gjithë njerëzve të Amerikës, të cilët dëshirojnë ta vizitojnë këtë vend, u themi se do t'i shohim gjithmonë sikur të ishin njëri prej nesh. Institucionet tona dhe, më e rëndësishmja, secili qytetar yni, do t’i mirëpresë ata përherë krahëhapur", tha Osmani.

Biden: Vlerësimi i trashëgimisë së Beau, nder i madh

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, përmes një video-mesazhi ka thënë se Kosova “është në zemrat e gjithë familjes Biden” dhe e ka falënderuar Kosovën për medaljen, të cilën e ka ndarë për të birin e tij të ndjerë.

“Ne thjesht duam të themi se kjo është e pabesueshme, dhe unë dua ta falënderoj Republikën e Kosovës për këtë medalje. Është një nder i madh, është një nder i madh ta vlerësosh trashëgiminë e djalit tonë Beau dhe babait të tij. Punën në Kosovë, Beau e kishte të përzemërt, ai u dashurua me vendin. Ne jemi përgjithmonë mirënjohës për të gjithë njerëzit e Kosovës me të cilët Beau u dashurua”, ka thënë presidenti Biden përmes video-mesazhit.

Ai ka shtuar se i biri i tij Beau ka besuar thellë në pavarësinë e Kosovës dhe se si avokat në Departamentin e Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara, doli vullnetar për të ardhur në Kosovë, “për të mbështetur pavarësinë tuaj dhe demokracinë tuaj të re, dhe mbi të gjitha sundimin e ligjit”.

Presidenti Biden ka shprehur vlerësimin për përparimin, siç e ka quajtur ai, të jashtëzakonshëm që Kosova ka bërë gjatë njëzet vjetëve të fundit, me porosinë që “ka mbetur ende për t’u bërë”.

"Unë kam qenë atje disa herë dhe (kam parë) të gjithë njerëzit që punojnë pa u lodhur, për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur, në të cilën Beau besonte për popullin e Kosovës. Ka ende më shumë punë për t’u bërë, nuk kam nevojë t’ju them. Më shumë punë për ta luftuar korrupsionin, për të mbrojtur të drejtat e pakicave etnike dhe fetare. Për të ndërtuar marrëdhënie pozitive me kombet fqinje, dhe për të forcuar zhvillimin ekonomik. Unë angazhohem për ju, dhe Shtetet e Bashkuara do të mbeten partneri i palëkundur i Kosovës në këtë drejtim", është shprehur presidenti Biden.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, ka pranuar medaljen në emër të familjes Biden.

Ai tha amerikanët janë krenarë me rolin që kanë luajtur në mbështetjen e Kosovës dhe tha se qytetarët e Kosovës duhet të jenë krenarë për përparimin që ka bërë shteti.

"Beau Biden ka përfaqësuar më të mirën që SHBA-ja ofron. Ai e dinte që në mënyrë që të ketë prosperitet, amerikanët duhet të angazhohen me botën. Prandaj, mijëra amerikanë, si Baeu, disa me çizme ushtarake e disa me kostume të biznesmenëve, kanë shërbyer në Kosovë në këto dy dekadat e fundit. Ata kanë punuar përkrah miqve kosovarë për të ndihmuar në themelimin dhe për siguruar lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për të lëvizur vendin drejt pavarësisë ekonomike dhe ekonomisë së tregut. Dhe si Beau, për të mbështetur njerëzit e Kosovës për të ndërtuar institucione qeverisëse, të ngritura mbi vlerat demokratike dhe respektit ndaj sundimit të ligjit", tha Kosnett.

Kjo është hera e dytë që Kosova nderon djalin e presidentit amerikan.

Më 2016, në vitin e fundit të Bidenit si nënpresident amerikan, ai, së bashku me familjen e tij, kanë vizituar Kosovën, për të inauguruar rrugën Beau Biden afër kampit Bondsteel./Rel