Kryeministri Rama bën bilancin e mandatit të dytë, qeveria e re shpallet javën e ardhshme

Kryeministri Edi Rama ka dalë dalë në një konferencë për mediat për të folur për përmbylljen e mandatit të dytë qeverisës.

Kryeministri Edi Rama tha se mandati i dytë mbyllet me një notë pozitive, ku qeveria ia doli të kalonte të dy sfidat atë të tërmetit dhe pandemisë.

Në fjalën përmbyllëse të mandatit të dytë qeverisës Rama tha se “jam krenar që ia dolëm me përkushtim, profesionalizëm pjesës më të vështirë të këtyre dy sfidave ekstreme që shfaqen në rrugë e një qeverie një herë në 100 vjet”.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria e re do të shpallet në javën e ardhshme.

Teksa falenderoi ministrat aktualë, Rama tha se ishte falenderuesë dhe iu bëri me dije se ishte nder për të që të punonte me ta.

Qeveria e re do të shpallet javën e ardhshme. Jemi skuadër kampione, kemi shumë për çdo rol. Ky është në fakt avantazhi ynë i madh përballë rivalëve. Me shumë mirënjohje për të gjithë ju, për secilin nga ju në këtë qeveri, ju falenderoj për këtë periudhë sfiduese që kaluam në tryezën e qeverisë së Shqipërisë. Ishte nder për të gjithë ne! Shumë faleminderit”, tha Rama.

Ai ka pasur edhe një apel të fortë për qytetarët që të vaksinohen pasi sgmangin fatalitetin nga COVID-19 dhe se të gjitha vaksinat janë efektive.

Mbyllet me një notë pozitive besoj unë puna e një mandati të vështirë ku tërmeti dhe pandemia diktuan një forcë të pashembullt ndryshimi e prioriteteve tona qeverisës. Edhe nuk ka mbaruar pandemia dhe as ka përfunduar rindërtimi, por me të dyja kemi marrë një avantazh të konsiderueshëm. Përtej konsideratave dhe kritikave  për menaxhimin e dy krizave do të jetë në gjurmët e historisë së qeverisjes në këto 30 vite. Kemi ende fatalitet nga pandemia fatkeqësisht, por këto janë edhe një mësim domethënës për rëndësinë jetike të vaksinimit. Askush prej atyre që marrin frymë nga respiratorët nuk është i vaksinuar, ndërkohë që disa të vaksinuar nuk shfaqin shenja të rëndimit të gjendjes dhe të kenë nevojë për intubim. Për skeptikët e Sinovac mbase velen e dhëna se të shtruarit ndahen përgjysmë, të vaksinuarit me Pfizer dhe me Sinovac. U bëj apel atyre që të bëjnë vaksinën dhe të  mos humbasin kohë  dhe të heqin mendime te gabuara se Pfizer bën dhe sinovac jo. Vaksina duhet të bëhet patjetër”, tha Rama.

Kryeministri vijoi duke theksuar se ekonomia është lehtësuar nga presioni i jashtëzakonshëm i virusit dhe Shqipëria po mbyll një sezon turistik të hapur për të gjithë duke u konfirmuar edhe një herë si destinacion me potencial të madh për dekadën ku kemi hyrë.

“Fatkeqësisht pandemia dhe hallet e mëdha që erdhën me të dhe tërmetin bashkë nuk na dhanë mundësinë të investojmë aq sa do të donim në fuqizimin e ofertës tonë turistike.
Prandaj mbetet për më tej që ta bëjmë këtë, duke mbajtur mire shënim dhe çka nuk arritëm të bëjmë sa dhe si duhet për mangësitë tona ende të konsiderueshme në aspektin cilësor të sezonit turistik si p.sh në plagën e hapur dhe në disa raste kutërbuese të plehrave dhe të papastërtisë në zonat turistike, ku duhet ndërruar qasja e duhet përqendruar energji dhe forca shumë më të mëdha”, tha Rama.

“Pa harruar administrimin e plazheve që këtë sezon la shumë për të dëshiruar. Po të kthejmë kokën mbrapa nuk ka asnjë krahasim të mundshëm në këtë fushë jo me 8 po as me 4 vjet më parë dhe për këtë mjafton të shikosh ndryshimin rrënjësor të interesit edhe të tonit të mediave prestigjioze ndërkombëtare për Shqipërinë turistike”, theksoi Rama.

“Ashtu siç nuk ka fare diskutim se krahasuar me 8 vjet më parë kur ishte një vend i mbytur nga plehrat dhe papastërtitë ngado ktheje kokën, Shqipëria sot është shumë më ndryshe falë punë së madhe qe kemi bërë në këtë drejtim. Për t’u bërë kampionët e padiskutueshëm e Ballkanit në turizëm në fund të kësaj dekade duhet një shumëfishim domethënës i luftës për mbrojtjen e mjedisit”, tha Rama.

Partia Socialiste nën drejtimin e Edi Ramës është futur në historinë e Shqipërisë, duke marrë një mandat të tretë radhazi, e duke u bërë kështu partia e parë që ka arritur ta sigurojë këtë rezultat në historikun e zgjedhjeve në vend.

Socialistët kanë arritur që të marrin 74 mandate, të mjaftueshme për të qeverisur e vetme, pa pasur nevojën e një koalicioni, e ndërsa PD 59 mandate, kurse LSI vetëm 4 të tilla.

/argumentum.al