Libri i Bardhë mbi të drejtat e njeriut ‘faqja e bardhë’ e Kinës

Genc Mlloja

Nëse shumë të vërteta i kam mësuar gjatë udhëtimeve në vise të ndryshme të Kinës, i pari ndër të cilët në maj të vitit 2012, sikurse u ka ndodhur miliona njerëzve si unë që kanë dëshiruar të shikojnë me sytë e tyre këtë vend modern e ‘mistik’ në zhvillim të vrullshëm, apo të merreshin me biznes e projekte nga më të ndryshmet, praktika e komunikimit dhe informacionit në nivele të ndryshme e Pekinit zyrtar, dhe veçanërisht risia e botimit të Librave të Bardhë mbi çështje specifike sensitive sikurse janë të drejtat e njeriut, i ofrojnë kujtëdo brenda dhe jashtë vendit informacion të bollshëm konkret dhe plot argumente mbi Kinën e djeshme, të sotme dhe të nesërme.

Duke qëndruar larg stereotipeve hermetike të servirura prej qarqeve perëndimore mbi shumë aspekte të këtij vendi e populli, e veçanërisht mbi çështje që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, një praktikë që vazhdon akoma të përdoret në mënyrë dashakeqëse, botimi i dokumenteve të tilla kineze mbi këto tema është pritur gjithnjë me interes.

Pikërisht një interes të madh ka ngjallur Libri i Bardhë nën titullin: "Ndërtimi i shoqërisë së begatë në të gjitha aspektet: një kapitull i lavdishëm në zhvillimin e punës mbi të drejtat e njeriut të Kinës" publikuar nga Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit të Kinës më 12 gusht 2021.

Në fakt botimi i librave të bardhë mbi të drejtat e njeriut në Kinë ka një histori 30- vjeçare duke nisur nga viti 1991.

Dokumenti që sapo ka dalë në dritë ka një vlerë të veçantë sepse trajton një gamë të gjerë çështjesh të lidhura me të drejtat e njeriut dhe këto të ilustruara e argumentuara me fakte e shifra mbi çështje të tilla humanitare si zhdukja e varfërisë ekstreme e garantimi i të drejtës së njerëzve për një standard të përshtatshëm jetese, vendosja e mbrojtjes së jetës mbi çdo gjë në luftën kundër COVID-19, sigurimi i shërbimit mjekësor të barabartë për të gjithë, përmirësimi i ambjentit, mbrojtja e të drejtave civile dhe politike, dhe nxitja e barazisë sociale.

Si ndjekës modest i këtyre çështjeve jam i mendimit se ky dokument përbën një vazhdim të koncentruar të veprimtarisë efikase dhe konstruktive të përfaqësuesve kinezë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara, i cili zhvilloi sesionin e tij të rregullt të 47-të nga 21 qershori deri më 13 korrik 2021.

Rruga e përshkuar nga populli kinez nën udhëheqjen e Partisë Komuniste të Kinës (PKK), e cila në korrik të këtij viti përkujtoi 100-vjetorin e krijimit të saj, për të arrritur pikën e re kulminante të ndërtimit të shoqërisë së begatë në të gjitha aspektet, që shpreh në një stad më të lartë edhe zhvillimin e të drejtave të njeriut në dimensione shumë më të gjëra, nuk ka qenë e sheshtë. Ai është një kapitull i lavdishëm i historisë moderne të këtij vendi të madh aziatik, strehë e 1.4 miliard njerëzve, ku u rrëzuan tre ‘malet’ e imperializmit, feudalizmit dhe kapitalizmit burokratik duke krijuar Republikën Popullore të Kinës më 1 tetor 1949 dhe duke vazhduar më tej me përfundimin e Revolucionit të Ri Demokratik dhe Revolucionin Socialist.

Hap pas hapi, por me vendosmëri e urtësi, u hodhën themelet politike dhe institucionale për të siguruar të drejtat dhe liritë e popullit, dhe është ecur përpara nëpërmjet sukseseve dhe pengesave, reformave të guximshme novatore dhe hapjes duke hyrë në një epokë të re të ndërtimit të socializmit me karakteristika kineze.

Në Kinë konsiderohen të drejtat për mirëqenie dhe zhvillim si të drejtat bazë të njeriut dhe PKK beson se të jetosh një jetë të mirë është e drejta sublime e njeriut, dhe prandaj ajo ka nxitur zhvillimin e gjithanshëm të individit dhe përpiqet ti jap çdo personi një sens më të fortë fitimi, lumturie dhe sigurie. Mund të thuhet se suksesi i PKK-së për promovimin e të drejtave të njeriut në një vend socialist është unikal dhe konkretisht është siguruar të arrihet një barazi sociale dhe të mbrohen si për të gjithë popullin edhe të drejtat e grupeve të veçanta. Kina e sotme na paraqet një vend ku popullsia rurale, gratë, fëmijët, të moshuarit, njerëzit me aftësi të kufizuara dhe grupet e minoriteteve etnike gëzojnë çdo të drejtë.

Në fshat është përforcuar mbrojtja e të drejtave të banorëve vendas ndër të cilat ajo për të drejtën mbi pronën nëpërmjet reformës së tokës dhe kushtet e jetesës janë përmirësuar ndjeshëm. Po kështu janë përmirësuar kushtet për punëtorët migrantë dhe përkujdesja për anëtarët e familjeve të tyre që jetojnë në zonat e veta rurale.

Nga ana tjetër, sikurse tregon Libri i Bardhë, është përforcuar mbrojtja e të drejtave të minoriteteve nëpërmjet një sërë masash duke përfshirë garantimin e të drejtës për të marrë pjesë në administrimin e punëve të shtetit, rritjen e standardit të jetesës, zhvillimin e arsimit e kulturës, dhe mbrojtjen e paqes dhe stabilitetit në zonat e këtyre pakicave etnike, shpjegon dokumenti.

Arritja nga Kina e një begatie të moderuar në të gjitha aspektet, çka u shpall në korrik të këtij viti nga Presidenti Xi Jinping, përbën një hop të madh përpara drejt zbatimit të të drejtave universale të njeriut në atë vend. Kjo arritje, sipas Librit të Bardhë, është një kontribut i ri për çështjen e të drejtave të njeriut në botë.

Zhdukja e varfërisë shuplakë shtrëmbërimeve…

“Varfëria është pengesa më e madhe për të drejtat e njeriut”, vë në dukje dokumenti i sapo botuar, dhe në fakt zhdukja e varfërisë ekstreme është një ndër fitoret më të mëdha dhe sfiduese kundër varfërisë në historinë e Kinës. Në fund të vitit 2020 e gjithë popullsia prej 99 milionë banorësh të varfër në zonat rurale doli nga varfëria.

Beate Trankmann, përfaqësuese rezidente e PNUD-it në Kinë, deklaroi në një veprimtari nën moton ‘Vizioni Kinez’ organizuar më 18 mars 2021 se Kina kishte arritur këtë pikë kulminante nëpërmjet një objektivi të përcaktuar dhe është një referencë e çmuar për kombet e tjera. Sipas saj, rreth 750 milionë kinezët, që dolën nga varfëria absolute gjatë 4 dekadave të fundit, përbëjnë gati tre të katërtat e numrit global gjatë asaj periudhe, një arritje e shquar në përpjekjet për ti dhënë fund varfërisë në mbarë botën.

Trankmann zbuloi se PNUD-i po punon me Kinën për të promovuar përvojën e saj kombëtare lidhur me zbutjen e varfërisë, dhe ajo e konsideronte këtë si një kontribut për zhvillimin e qëndrueshëm global.

Kurse Robert Lawrence Kuhn, kryetar i Fondacionit Kuhn dhe fitues i Medaljes së Miqësisë për Reformën në Kinë, deklaroi se ai kishte treguar dëshmi të realitetit kinez për më shumë se tre dekada duke shpërndarë vëzhgimet e tij mbi përpjekjet kundër varfërisë së këtij vendi.

“Zhdukja e varfërisë në Kinë është dëshmia më e mirë për të eliminuar shtrëmbërimet dhe për ti dhënë fund stereotipeve mbi Kinën”, Kuhn tha në atë veprimtari. Sipas Kuhn, suksesi i Kinës për të vendosur nën kontroll COVID-19 dhe për ti dhënë fund varfërisë ekstreme është bazuar në tre parime- udhëheqja e PKK-së, angazhimi i Sekretarit të Përgjithshëm Xi Jinping dhe mobilizimi I PKK-së.

Axhenda e OKB-së 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm përfshin 6 objektiva – zhdukje e varfërisë, e urisë, shëndet të mirë dhe mirëqenie, arsim cilësor, ujë të pastër dhe higjenë dhe punë të nderuar dhe rritje ekonomike.

Kina kundrejt Perëndimit mbi të drejtën për jetën në kohët kovidiane

Kalimi nga varfëria, që nënkupton uri dhe zhele, në një jetë të denjë me objektiv begati të moderuar përbën një transformim historik të Kinës, një ëndërr e bërë realitet përballë një bote, e cila edhe në vendet më të zhvilluara po përjeton rënie ekonomike, rritje të papunësisë, degradim të shërbimeve sociale dhe pasiguri midis njerëzve.

Është e trishtueshme kur mëson shifra zyrtare se numri i viktimave nga virusi kovidian në shumë vende, përfshi edhe SHBA, ka kaluar numrin e të vrarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Me të drejtë lind pyetja: A nuk është ky numër kolosal viktimash nga COVID-19 një shkelje fatale e thelbit të të drejtave të njeriut apo vazhdohet akoma me dy standarte? Apo shkeljet e të drejtave të njeriut nga akuzuesit perëndimorë nuk merren në konsideratë?

Historia e nganjëdhimit kinez mbi virusin pandemik, që ka goditur tërë botën, me të drejtë është kthyer në legjendë se si fitohet një përballje mbi një murtajë fatale. Nuk ka njeri të të gjitha segmenteve të jetës që t’mos e shikojë shembullin kinez si rrugë eventuale që duhet të kishin ndjekur shumë vende, përfshi edhe ato të zhvilluara si SHBA-ja, Kanadaja, e Evropa, apo ta ndjekin tani, të përfitojnë prej saj.

Mbi bazën e fakteve Libri i Bardhë dëshmon në mënyrë të detajuar se lufta e suksesshme ndaj COVID-19 nuk ishte rastësi dhe nuk u fitua me ‘shkop magjik’. Jo! Shkopi i vërtetë magjik është fakti se Kina ka vënë jetën, interesat e popullit në plan të parë dhe ndërmori masa parandaluese dhe kontrolluese të përgjithshme, rigoroze dhe efektive.

“Kina bëri gjithçka të mundshme që të kurojë të gjithë pacientët”, vihet në dukje në dokument, i cili ndër shumë fakte përmend se më shumë se 3.000 pacientë të moshës mbi 80 vjeç, duke përfshirë 7 të moshës mbi 100 vjeçare u shëruan duke i kthyer në jetë nga kthetrat e vdekjes në provincën qendrore të Hubeit.

Nuk duhet harruar se lufta u fitua sepse shërbimi mjekësor si e drejtë themelore e njeriut ka qenë parësore në platformën e qeverisë kineze e faktet flasin vetë. Numri i institucioneve mjekësore dhe shëndetësore në Kinë është rritur nga 170,000 më 1978 në mbi 1 milion më 2020. Jetëgjatësia mesatare është rritur nga 67.8 vjeç më 1981 në 77.3 vjeç më 2019. Mortaliteti në lindje i nënave ka rënë nga 43.2 për 100.000 më 2002 në 16.9 për 100.000 më 2020.

Ndërkohë nga viti 1978 në 2020, të ardhurat për frymë të GDP-së u rritën nga 385 juan në 72.000 juan. Më 2020, të ardhurat mesatare për frymë ishin 32.189 juan. Një aspekt tjetër i ndjeshëm kinez e mbarëbotëror kur problemet e ndryshimeve klimatike janë bërë kritike: sipërfaqja e mbuluar me pyje në Kinë u rrit nga 12.7 përqind në fillim të viteve 1970 në 23 përqind më 2020. Në fushën e arsimit një shifër inkurajuese për barazinë gjinore: niveli i studenteve femra në shkollat e mesme dhe universitete u rrit nga 24.1 përqind më 1978 në 51.7 përqind më 2019.

Të vëna ballë për balle të dy anët e botës, Kina dhe Perëndimi në dekadën e tretë të shekullit të 21-të në shumë aspekte të të drejtave të njeriut është mjaftueshëm kuptimplotë pohimi i kryetarit të Fondacionit Kuhn, Robert Lawrence Kuhn mbi fallsitetin e shtrëmbërimeve dhe stereotipeve dashakeqe mbi Kinën, që janë shtuar kohët e fundit duke shigjetuar të drejtat e njeriut, kryesisht midis pakicave etnike.

Kësisoj Libri i Bardhë nuk është vetëm një pasqyrim i çfarë ka arritur Kina dhe populli i saj në zhvillimin e të drejtave të njeriut por edhe një përgjigje dinjitoze diplomatike ndaj propagandës perëndimore anti-kineze me fakte e argumente konkrete.

Sipas analistëve të cituar nga globaltimes.cn arritja e ‘xiaokang’, termi në gjuhën kineze që përmbledh të gjithë aspektet e begatisë së moderuar, është ‘një shuplakë në fytyrë’ ndaj SHBA dhe perëndimit, të cilët vazhdimisht kanë fabrikuar çdo gjë për të sulmuar Kinën mbi çështjet e të ‘drejtave të njeriut’. ‘Xiaokang’ është në të njëjtën kohë shprehje e qëndrimit kinez mbi zhvillimin e të drejtave të njeriut për vendet e tjera në zhvillim.

"Përveç publikimit të librave të bardhë mbi zhvillimin e përgjithshëm të të drejtave të njeriut, ne kemi botuar gjithashtu libra të tillë mbi rajonet e Xinjiang-ut dhe Tibetit për ti thënë komunitetit ndërkombëtar çfarë ka bërë Kina në këto fusha, dhe për më tepër për të hedhur poshtë sulmet dashakeqe të bëra prej SHBA e Perëndimi”, vinte në dukje Zhang Yonghe, dekan ekzekutiv i Institutit të të Drejtave të Njeriut të Universitetit Jugperëndimor të Shkencave Politike e Drejtësisë në Chongqing.

Por sipas ekspertëvë politikë, zelli amerikan për të intensifikuar fabrikimet ndaj Kinës lidhur me të drejtat e njeriut lidhet veç të tjerash me realitetin e zhvillimit të shpejtë të saj dhe me faktin se modeli kinez i zhvillimit të të drejtave të njeriut është efektiv dhe i arritshëm, çka mund të tërheq interesin e më tepër vendeve në zhvillim.

Dështimi i modelit të “vetëm” për mbrojtjen e të drejtave të njeriut

Një temë interesante e trajtuar në këtë dokument për të drejtat e njeriut është edhe teoria e vjetëruar tashmë e eksportimit të ‘modelit perëndimor të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut në vendet e tjera të botës.”

Libri i Bardhë vë në dukje se nuk ekziston një model i vetëm i përkryer për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, por duhet të synohen në mënyrë të pandërprerë modele më të mira për mbrojtjen e këtyre të drejtave.

Konkretisht ngjarja e fundit në zhvillim- tërheqja e trupave amerikane dhe disa aleatëve të NATO-s nga Afganistani- është dëshmi tjetër që provon disfatizmin e teorisë së ashtuquajtur të ‘eksportimit të demokracisë’.

SHBA sëbashku më disa aleatë të ngushtë të NATO-s sulmuan Afganistanin nga fundi i vitit 2001 nën moton zyrtare të ‘Luftës mbi Terrorin’. Ky pushtim ka hyrë në historinë diplomatike i mbiquajtur edhe si lufta amerikane në Afganistan ose pushtimi 2001 i Afganistanit.

“Vini re, ne shpenzuam mbi një trilion dollar gjatë 20 viteve… Udhëheqësit afganë duhet të bashkohen. Ata duhet të luftojnë për veten e tyre, të luftojnë për kombin e tyre”, Presidenti Joe Biden u citua nga cnbc.com të ketë thënë në Shtëpinë e Bardhë më 10 gusht 2021. Komenti është i tepërt mbi çfarë SHBA kanë lënë prapa pas luftës në Afganistan, e për më tepër po komplikojnë situata në disa vende aleate ku kërkojnë të dërgojnë pasuesit e tyre afganë të rrezikuar nga kundërshtarët, që janë në prag të hyrjes në Kabul.

Përmirësimi i të drejtave të njeriut nuk ka fund…

Duke përmbledhur përvojën e Kinës për promovimin e të drejtave të njeriut në proces, Libri i Bardhë vë në dukje se vendi ka zbatuar parimin e universalitetit të të drejtave të njeriut në kontekstin e vendit dhe ka ndjekur qëndrimin që vë njerëzit në qendër të të gjithë dimensioneve të këtyre të drejtave legjitime. Por dokumenti në fjalë tërheq vëmendjen se përmirësimi i të drejtave të njeriut si proces nuk ka fund.

Ndërtimi i shoqërisë së begatë të moderuar në të gjitha aspektet është një pikë e re fillimi në përpjekjen e Kinës për të drejtat e njeriut, thekson dokumenti duke vënë në dukje se ajo do të japë një kontribut më të madh për të drejtat globale të njeriut.

Në mënyrë konkrete Libri i Bardhë i paraqet lexuesit, tërë komunitetit ndërkombëtar, një gamë të gjerë të mendimit kinez se ndërtimi i shoqërisë së begatë në të gjitha aspektet hap një fushë të re lidhur me të drejtat e njeriut, çrrënjos varfërinë, forcon të drejtat ekonomike, shoqërore dhe kulturore nëpërmjet zhvillimit dhe mbron të drejtat politike e civile nëpërmjet një sistemi të mirë ligjor, duke garantuar barazinë shoqërore dhe interesat e grupeve të ndryshme.

Në dokument thuhet se PKK-ja do ta drejtojë popullin kinez për një jetë më të lumtur dhe nivel më të lartë të të drejtave të njeriut, ndërsa Kina do të japë kontribut më të madh për zhvillimin e çështjes globale të të drejtave të njeriut.

Presidenti Xi Jinping ka deklaruar se nga mesi i këtij shekulli Kina do të bëhet nje vend i madh modern socialist. Nisur nga arritjet në përputhje me parashikimet e shpallura me urtësi nga udhëheqja kineze nuk ka dyshim se populli kinez do ta realizojë këtë ëndërr tjetër se është e bazuar në realitet, në largpamësine e udhëheqjes dhe vetëmohimin e popullit për të ndërtuar një të ardhme më të begatë për veten e tij, por edhe për të kontribuar globalisht.

Tani në mes të muajit gusht 2021 kur po e përfundoj këtë shkrim nuk mund të mos kujtoj sa me këmbë në tokë e realistë kanë qenë të gjithë ata njerëz që kam takuar në Kinë, Shqipëri e vende të tjera kur shpreheshin me optimizëm për të ardhmen e zhvillimit të vendit të tyre të lidhur ngushtë me respektimin e të drejtave të njeriut që i takojnë një populli të madh, aq i madh sa një e pesta e popullsisë së botës. Por ishin tejet të sinqertë, pa fjalë të mëdha propogandistike, të pranonin çiltas se kishin akoma shumë për të bërë në të gjitha fushat e jetës.

E sa më shumë kohë që kalon me zhvillime konkrete të vrullshme historike në Kinë por edhe në botë aq më shumë përforcohet mendimi se për popullin kinez çuarja përpara e sukseseve të arritura në të gjitha fushat e jetës, përfshi edhe të drejtat e njeriut, është e pandarë pazgjidhshmërisht me mbrojtjen e vendit, të sovranitetit, tërësisë territoriale dhe të lirisë së fituar me shumë sakrifica sublime. ‘Ëndrra kineze’ është në unison të plotë me të drejtat legjitime të 1.4 miliard njerëzve të këtij vendi të madh, të njërës prej fuqive më të fuqishme botërore, e cila është garante e paqes dhe sigurisë në këtë tokë që e ‘ngroh’ i njëjti diell./CRI