Malajzia, Jordania, Azerbajxhani dhe FBIH-ja solidarizohen me Turqinë në luftën me zjarret

Malajzia ka publikuar një mesazh ngushëllimi për viktimat si pasojë e zjarreve pyjore në zona të ndryshme të Turqisë.

“Malajzia shpreh ngushëllime të sinqerta për humbjen e jetëve të shkaktuara nga zjarret në pyjet e Turqisë, përfshi këtu edhe në Antalie – vendlindje e vëllait tim Mevlut Çavusoglu, ministër i Punëve të Jashtme. Mendimet dhe lutjet tona janë me qeverinë dhe popullin e Turqisë në këto kohë të vështira”, shkroi ministri malajzian i Punëve të Jashtme, Hishammuddin Hussein, nga llogaria e tij në rrjetin social “Twitter”.

Bordi Këshillues Malajzian për Organizatën Islame (MAPIM), një OJQ humanitare me seli në Kuala-Lumpur, gjithashtu shprehu solidaritet dhe ngushëllime për Turqinë në lidhje me fatkeqësinë e zjarreve pyjore.

Mohd Azmi Abdul Hamid, president i MAPIM-it, deklaroi se Malajzia ndan dhimbjen e popullit turk.

Edhe Jordania bëri një deklaratë me shkrim për të shprehur solidaritetin e saj me Turqinë, e cila po lufton me zjarret në pyje.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Jordanisë, Daifallah al-Fayez, shprehu ngushëllimet e tij për të afërmit e personave që humbën jetën në zjarret në Turqi.

Al-Fayez tha se Jordania është me popullin vëlla turk në këto ditë të vështira.

Nga ana tjetër, grupi i parë i skuadrave të Ministrisë së Situatave Emergjente të Azerbajxhanit erdhi në provincën jugperëndimore Mugla të Turqisë për të mbështetur luftën kundër zjarreve në pyje.

Azerbaycan-yangın yardım

Grupi prej 100 personash, i cili mbërriti në Aeroportin e Dalamanit me një avion të posaçëm nga Aeroporti “Heydar Aliyev” i Bakusë, do të mbështesë përpjekjet e zjarrfikësve turq për shuarjen e zjarreve.

Federata e Bosnjë-Hercegovinës (FBIH), një prej dy entiteteve që formojnë Shtetin e Bosnjë-Hercegovinës së bashku me Republikën Serbe, njoftoi gjithashtu se do të dërgojë asistencë për të mbështetur vënien nën kontroll dhe shuarjen e zjarreve pyjore në zona të ndryshme të Turqisë./TRT Shqip