Mbërrin në Kosovë avioni i parë me emigrantë afganë

111 shtetasit e parë nga Afganistani kanë arritur në orët e mbrëmjes në Kosovë, të cilët do të vendosen në ish-kampin e Bechtel Encha, pranë Bondstilit amerikan.

Kjo është bërë e ditur sonte nga ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla në një konferencë për media në aeroportin e Prishtinës, pas arritjes së grupit të parë të afganëve të larguar nga konflikti në Afganistan.

Grupi që arriti në Kosovë përmes Aeroportit “Adem Jashari” janë gra, fëmijë e pleq, familjarë te bashkëpunëtorëve të NATO-s në Afganistan. Ky është vetëm grupi i parë ndërkohë nesër pritet të arrijnë edhe afgan te tjerë, të cilët do të strehohen përkohësisht në Kosovë.

Ata u pritën nga presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ky i fundit bëri të ditur se të ardhurve nga Afganistani do t’u bëhet testi për COVID-19 dhe se do të aplikohet karantinimi për personat që dalin pozitivë.

Sveçla: Numri i shtetasve që erdhën sonte në Kosovë janë 111

“Numri i shtetasve që erdhën sonte në Kosovë janë 111. Në mesin e tyre kemi parë një numër të madh të fëmijëve, gra dhe pleq, të cilët janë familjarë të bashkëpunëtorëve të NATO-s në Afganistan. Do të vendosen në ish-kampin e Bechtel Enca dhe do të jenë vetëm grupi i parë i shtetasve afganë që do t’i strehojmë. Fluturimet e ardhshme priten të ndodhin qysh nesër. Kemi konfirmimet e radhës për aterrimet e ardhshme. Është çështje e organizimit të aleatëve tanë sa i takon nisjes së aeroplanëve të tyre për në Kosovë... Numri nuk është përcaktuar saktë, por nuk do të jetë i madh, i cili do të jetë i papërballueshëm për ne”, ka thënë Sveçla.

Ai ndërkaq ka folur edhe rreth ndihmës mjekësore që mund t’iu ofrohet refugjatëve afganë duke pasur parasysh gjendjen me pandeminë koronavirus.

Sveçla: Ekipet tona mjekësore po bëjnë testimin COVID-19 të refugjatëve afganë

“Në momentin që po flasim, tashmë ekipet tona mjekësore po bëjnë testimin për COVID-19 të këtyre refugjatëve dhe nëse kemi ndonjë rast që është me COVID-19 do të procedohet sipas protokolleve të shëndetësisë. Ne kemi përgatitur edhe hapësirat për karantinë. Kemi përgatitur edhe hapësira për vaksinim. Hapësirat janë te terminali i vjetër i Prishtinës dhe do të përcillen te lokacione të tjera”, ka thënë Sveçla.