Ndryshmi i paradigmës! Talibanët mbrojnë ambasadën ruse dhe kineze

Zoran Meter, Gjeopolitika[i]

Lufta për Azinë, luftë për tërë botën.

Ndërsa të gjithë ambasadat e vendeve Perëndimore janë evakuar që më parë nga Kabuli, në kryeqytetin e Afganistanit kanë mbetur të hapura vetëm ambasadat e Federatës Ruse dhe e Republikës Popullore të Kinës. Për këtë foli sot ambasadori rus në këtë vend Dimitrij Zhirnov. Sipas fjalëve të tij, gjendja në Kabul është e qetë, megjithëse ndjehet “konfuzioni”. Në lidhje me personelin diplomatik rus, Zhirnovi tha se atyre “nuk ka për t’iu prekur asnjë fije floku” dhe se ambasadën ruse e ruajnë personalisht talibanët. (burimi: Rusia 24).

“Ushtria afgane, ushtria e forcave afgane të sigurisë kombëtare që deri tani na ka ruajtur, është larguar. Tani vendin e saj e kanë zënë talibanët. Ata na kanë pohuar se diplomatëve rusë nuk do tu preket asnjë fije floku”.

Duke vlerësuar gjendjen në Afganistan në tërësi, ai deklaroi: “Në të vërtetë, qeveria u shëmb si kullë prej kartash. Ky vakuum fuqie, kjo anarki, sollën rrëmujë në qytet. U shfaqën plaçkitës të armatosur. Por në këtë rast duhet kuptuar se në Afganistan njerëzit kanë qënë gjatë gjithë kohës të armatosur”... Më tej theksoi: “Talibanët kanë filluar të popullojnë qytetin. Po rikthehet rendi publik: në natën e 16 gushtit është vendosur ora policore për të penguar plaçkitësit. Sot në mëngjez nuk ka patur të shtëna”, vlerësoi diplomati rus, duke informuar se në qytet shkollat funksionojnë, përfshirë edhe ato për vajzat. Duke folur për atë se çfarë raporti do të ketë Rusia në të ardhmen me talibanët, Zhirnovi vlersoi: “Mendoj se do të ndjekim linjën e reales. Duam që Afganistani të jetë i qytetëruar, të mos ketë terrorizëm, të mos ketë drogë, të respektohen të drejtat e njeriut (...). Talibanët na kanë dhënë neve premtime me rëndësi, shpresojmë se do ti mbajnë. Mendoj se në vartësi të kësaj do të ndërtohet edhe linja jonë. Duhet të presim”.

Ndërkohë, drejtori i drejtorisë së dytë për Azinë në Ministrinë e punëve të jashtme ruse, Zamir Kabullov (gjithashtu edhe i dërguari i posaçëm i presidentit rus në Afganistan) deklaroi se disa nga diplomatët rusë megjithatë do të evakuohen nga Kabuli. Gjithsejt në kryeqytetin afgan ka afro njëqind diplomatë rusë.

Ndërsa kryeministri britanik Boris Xhonson të hënën me 16 gusht 2021 i bëri thirrje Perëndimit për formimin e një qëndrimi të përbashkët për të ardhmen dhe theksoi se asnjë vend Perëndimor në lidhje me këtë çështje nuk duhet të “kërcejë anash”, domethënë të marrë vendime të pavaruara, nga ato që u theksuan më lart është e qartë se Kina dhe Rusia i kanë marrë që më përpara vendimet në lidhje me politikën e bashkëpunimit me talibanët (të cilët së shpejti pritet të marrin nën kontroll të plotë tërë vendin), ndoshta edhe i kanë harmonizuar domethënë koordinuar ato- sikurse punojnë sëbashku prej kohësh për çështjet kyçe ndërkombëtare- para së gjithash në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Nuk duhet dyshuar gjithsesi se këtë do ta bëjë edhe Pakistani, i cili ka vite që është mbrojtësi më i madh i talibanëve.

Turqia në këtë rast përbën një enigmë të llojit të vet. Ankaraja dhe Islamabadi po ndërtojnë prej kohësh marëdhënie të afërta- Turqia mbështet të gjitha lëvizjet e politikës së jashtme të Pakistanit, përfshirë dhe ato më të ndjeshmet në lidhje me çështjen e Kashmirit indian, për shkak të të cilave përballet me raporte të ndërlikuara më Indinë.

Them “enigma turke” për dy shkaqe: i pari, Turqia është antare e aleancës së NATO-s; dhe e dyti ka të bëjë me “bekimin” e Uashingtonit që ushtria turke në të ardhmen do të marrë pjesë në sigurimin ndërkombëtar të aeroportit në Kabul ku në të ardhmen synojnë të operojnë edhe ambasada amerikane dhe ajo britanike të cilat janë evakuar aty nga kryeqyteti. Këtij misioni turk, megjithëse me një karakter të kufizuar, talibanët, sëpaku deri tani, i kundërvihen me forcë edhe përkundër besimit padyshim të madh të qytetarëve të Afganistanit te Turqia dhe politika e saj.  Talibanët vazhdojnë të këmbëngulin fuqimisht në tërheqjen e plotë të të gjithë ushtarëve të huaj nga vendi. Mbetet të shihet nëse këtë synim do të arrijë ta korigjojë Islamabadi. Nuk duhet të harrojmë se muajin e kaluar Turqia, Pakistani dhe Azerbejxhani nënëshkruan të ashtuquajturën deklaratë të Bakusë mbi themelimin e raporteve pothuajse prej aleatësh përfshirë edhe ato ushtarake.

Nga perspektiva e momentit fitohet përshtypja se është duke u formuar një konfiguracion tërësisht i ri marrëdhëniesh me Afganistanin dhe mjedisin rreth tij. Sëpaku në shikim të parë, duket sikur vendet kryesore të Perëndimit po e humbasin përfundimisht pozitën dominuese si në këtë vend ashtu edhe në rajon. Për ata, parë nga perspektiva e tanishme e ikjes “ku sytë këmbët”, do të ishte sukses nëse sigurojnë sëpaku ndarjen e ndikimit me lojtarë të tjerë kyç rajonalë (gjë që është pak e besueshme, ata e kishin këtë shans njëzet vjetët e fundit dhe nuk e shfrytëzuan, gjë që definitivisht e ka lëkundur besimin e shteteve të atjeshme jo vetëm te forca, por edhe të synimet e sinqerta  të tyre, para të gjithëve të Uashingtonit), të cilët, megjithatë, e vënë theksin të dialogu i sinqertë, bashkëpunimi reciprok në të gjithë fushat dhe ndalimin e gjithmonshëm të konflikteve dhe terrorizmit. Koha do ta tregojë sesa do të jenë në gjendje t’ia arrijnë kësaj.

Megjithatë, vetë fakti se ambasada ruse dhe kineze vazhdojnë të qëndrojnë në Kabul dhe se ato i mbrojnë talibanët është padyshim një sinjal i fuqishëm. Sepse vetëm mund ta marrim me mend sesi do të ndjeheshin diplomatët e këtyre dy shteteve të mëdha brenda përfaqësive të tyre diplomatike të rrethuara nga talibanët (deri dje organizatë terroriste; madje në Rusi formalisht janë edhe tani) sikur të mos kishin garanci të fortë dhe marrëveshje të krerëve të shërbimeve sekrete të Kinës, Rusisë dhe të komandës së talebanëve. Vështirë do ta kishte kreu shtetëror rus dhe ai kinez t’ua shpjegonte familjeve të diplomatëve të tyre nëse ndonjë gjë mund të shkonte keq dhe ata të vriteshin- do të pyeteshin përse u kanë besuar në mënyrë kaq naive dhe përse, si puna e kolegëve të tyre perëndimorë, “të cilët përherë dinë diçka më shumë”, nuk i kanë evakuar diplomatët e tyre.

Përveç kësaj, përfaqësuesit e talibanëve ka disa muaj që “bëjnë pelegrinazh” në Moskë dhe para pak kohësh ishin edhe në Kinë, ku MPJ e atjeshme deklaroi se Kina do të bashkëpunojë aktivisht në të gjitha fushat. Nuk do të presin  gjatë investimet infrastrukturore dhe në fusha të tjera të kinezëve në këtë vend, madje ato vazhdojnë edhe tani, disa prej tyre janë të lidhura direkt edhe me aleatin më të madh rajonal kinez- Pakistanin. Këto ditë presidenti pakistanez deklaroi publikisht, duke reaguar ndaj urimit të kinezëve  me rastin e ditës së pavarësisë së vendit të tij, se pakistanezët dhe kinezët janë “vellezër të çeliktë”.

Pas tërheqjes së ngutshme të NATO-s nga Afganistani me të gjithë pasojat e saj, mund të konkludojmë pa shumë probleme për rrezikun e  reputacionit tonë se:

Loja e madhe sapo ka filluar! Vendi i saj është Azia, gjë që do të thotë e tërë bota. Na presin kohë mjaft dinamike dhe procese plotësisht të papritura, gjë për të cilën duhet patur parasysh edhe shfrytëzimi gjithnjë e më i fuqishëm i elementit të pandemisë së Covid-19 për qëllime (gjeo)politike domethënë kalimi i tyre nga duart e mjeksisë dhe shkencës në duart e politikanëve gjë e cila ndjehet gjithsesi.

Përktheu për Argumentum.al: Xhelal FEJZA

[i] https://www.geopolitika.neës/analize/z-meter-promjena-paradigme-talibani-stite-rusko-i-kinesko-veleposlanstvo/