Parlamenti i Kosovës dështoi të miratojë një rezolutë për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit

Parlamenti i Kosovës dështoi të miratojë një rezolutë për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që u nënshkrua më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e ish presidentit amerikan, Donald Trump.

Në mbështetje të rezolutës së propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës votuan 24 deputetë, ndërkaq 57 syresh abstenuan.

Rezoluta i bënte thirrje qeverisë së Kosovës të zbatojë marrëveshjen dhe të përgatis një plan veprimi që do t’i dorëzohej parlamentit.

Marrëveshja e Uashingtonit që u nënshkrua nga ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në pranine e ish presidentit Trump, parashihte një varg veprimesh për normalizimin ekonomik përfshirë edhe studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, që shtrihet në territorin e Kosovës dhe Serbisë.

Më 23 qershor Shtetet e Bashkuara u dorëzuan qeverive të Kosovës dhe Serbisë raportin e Departamentit amerikan për Energji, mbi menaxhimin e ujit të këtij liqeni.

Në fillim të muajit korrik përgjatë një debati për rezolutën që nuk u miratua sot, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se qeveria e tij do të përdorë argumentet nga raporti i Departamentit amerikan për Energji, mbi menaxhimin e ujit të liqenit të Ujmanit, për ta mbrojtur, siç tha, këtë pasuri të Kosovës.

Marrëveshja e Uashingtonit parashihte edhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Izraelit dhe Kosovës, që u realizua me një shkurt të këtij viti, ndërkaq me 14 mars, Kosova hapi ambasadën e saj në Jerusalem. Sipas marrëveshjes një korriku ishte afati që Serbia të zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem, por presidenti serb, Aleksandër Vuçiç deklaroi se “interesat e Serbisë kanë ndryshuar që kur Izraeli njohu pavarësinë e Kosovës”.

/Marrë me shkurtime nga VOA