“Platforma e Krimesë”/ Reagon zëdhënësja e MPJ të Rusisë Maria Zaharova: Ky është një atentat kundrejt tërësisë territoriale të Federatës Ruse

Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zaharaova ka reaguar për Samitin e Platformës së Krimesë në Kiev të zhvilluar pak ditë më parë ku mori pjesë edhe Shqipëria me përfaqësuese ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali.

Ambasada ruse në Tiranë ka shpërndarë në Facebook qëndrimin e Moskës që çështjen e Krimesë e cilëson të mbyllur përfundimisht. Takimin në Ukrainë, Rusia e cilëson populizëm të pastër, spektakël politik të shkëputur nga realiteti, ndërsa pjesëmarrjen e vendeve (ku ishte edhe Shqipëria) në këtë samit,” jemi të detyruar të konsiderojmë pjesëmarrjen e shteteve dhe organizatave ndërkombëtare të caktuara, si edhe përfaqësuesve të tyre, në “Platformën e Krimesë” si një atentat kundrejt tërësisë territoriale të Federatës Ruse, çfarë do të pasqyrohet në mënyrë të pashmangshme dhe pёrkatёse në marrëdhëniet tona”, thuhet në reagim.

Kujtojmë se Samiti miratoi një deklaratë të përbashkët për mbështetjen e Ukrainës kundër agresionit rus në rastin e Krimesë. “Mbështetje e palëkundur për integritetin territorial, sovranitetin dhe tërësinë e Ukrainës;

Dënimi i aneksimit të Krimesë si kërcënim serioz i paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Theksova rëndësinë që Kryeministri Rama si Kryetar i OSBE për 2020 i dha zgjidhjes me dialog të situatës në Krime, si dhe pozitën e palëkundur të Shqipërisë përkrah aleatëve tanë ShBA dhe BE: Krimea është Ukrainë” tha ndër të tjera Spiropali gjatë takimit.

Postim i plotë i Ambasadës Ruse në Tiranë:

Koment i zëdhënëses së MPJ të Rusisë znj. Maria Zaharova lidhur me zhvillimin në Kiev të të ashtuquajturës “Platforma e Krimesë”

I kushtuam vëmendje aktivitetit të mbajtur në Kiev më datë 23 gusht nën emërtimin “Samiti i Platformës së Krimesë”. Qëllimi i deklaruar i këtij projekti politik, i hartuar me pjesëmarrjen aktive të ekspertëve qeveritarë të SHBA-ve, Mbretërisë së Bashkuar, Bashkimit Evropian dhe i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), është “deokupimi i Krimesë dhe rikthimi i saj Ukrainës”.
Pjesëmarrësit e kёtij samiti ishin kryesisht vendet e NATO-sё dhe disa organizata ndërkombëtare të bashkuar me njё mendim tё gabuar se gadishulli i Krimesë duhet të jetë pjesë e shtetit të sotëm ukrainas dhe se mund të shkëputet nga Federata Ruse përmes shtimit të presionit politik, ekonomik ndaj vendit tonë.
Në lidhje me këtë do të donim të vërenim sa më poshtë.
Çështja e kthimit të Krimesë në përbërje të Federatës Ruse u mbyll përfundimisht në mars 2014. Ky vendim, rezultat i sprovave të rënda, u ndërmor nga banorët e gadishullit në referendum, pas grushtit të shtetit antikushtetues të ndodhur në Kiev në shkurt 2014. Një veprim i tillë u lejoi krimeasve të ruanin vërtetësinë e historisë së tyre, kulturën ruse, të drejtën për të folur në gjuhën amtare, përfshirë gjuhën ukrainase dhe tartare krimease, dhe në të njëtën kohë, të shmangnin operacionin ndëshkues e luftën civile, e cila më vonë u ndez në Donbass nga regjimi i Kievit, si edhe barbarizmin fashist, me të cilin u përballën banorët e Odesës në maj të vitit 2014.
Në të tilla kushte projekti i sotëm ukrainas nuk është gjë tjetër veçse një populizëm i pastër, një spektakël politik i shkëputur nga realiteti që ka për qëllim vetëm ruajtjen, në hapësirën informative, të tematikës së qëndrimit të përkohshëm të Krimesë në përbërje të Ukrainës.
Përveç kësaj, ashtu si edhe paralajmëruam, jemi të detyruar të konsiderojmë pjesëmarrjen e shteteve dhe organizatave ndërkombëtare të caktuara, si edhe përfaqësuesve të tyre, në “Platformën e Krimesë” si një atentat kundrejt tërësisë territoriale të Federatës Ruse, çfarë do të pasqyrohet në mënyrë të pashmangshme dhe pёrkatёse në marrëdhëniet tona.
Edhe një moment tjetër. Deklarata përfundimtare e “samitit” përmban një thirrje drejtuar Federatës Ruse për t’u “përfshirë” në pjesëmarrje në punimet e “Platformës së Krimesë”. Ne nuk shohim mundësi për pjesëmarrje në këtë projekt politik, duke marrë parasysh orientimin e saj cinik antirus.
Në të njëjtën kohë, ne jemi plotësisht të hapur për bashkëpunim me të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë në lidhje me zbulimin e potencialit unik të Krimesë ruse. Për këtë ftojmë në gadishull miqtë tanë të huaj për të marrë pjesë në platformat e vërteta krimease për bashkëpunim ekonomik, humanitar dhe kulturor.

/argumentum.al