Rama për ANSA-n: Anëtarësimi në BE me çdo kusht, “Ballkani i hapur” mjet për nxitjen e integrimit

“Unë nuk jam optimist apo pesimist, thjesht realist. E di, të gjithë e dinë se kjo nuk varet nga ne, por nga Bashkimi Evropian”, tha sot kryeministri shqiptar Edi Rama në një intervistë për ANSA-n, duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me vonesat e vazhdueshme në hapjen e negociatave të pranimit në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë e Veriut, si edhe për pasojat e mundshme në Ballkan dhe BE në rast ngurrimi të mëtejshëm.

“Ne kemi bërë, për më shumë se dy vjet tashmë, gjithçka që ka qenë e nevojshme për fillimin formal të negociatave të pranimit. Por ata ende nuk e kanë mbajtur “premtimin” e tyre për shkak të problemeve të tyre dhe sepse Bullgaria po bllokon Maqedoninë e Veriut”, u shpreh ai

“Kështu, në mënyrë krejt të pashpjegueshme, Shqipërisë gjithashtu i duhet të presë që Bullgaria të heqë veton kundër Shkupit”, vijoi Rama.

“Në çdo rast, unë mendoj se kjo përpjekje na ndihmon të kuptojmë se duhet të ecim përpara sa më shumë që të jetë e mundur, pa e mashtruar veten dhe pa hequr dorë kurrë nga ndjekja e ëndrrës së shumë brezave, ajo për të qenë pjesë përbërëse e Evropës, me çdo kusht”, shtoi Rama, duke kujtuar shprehjen e famshme “me çdo kusht”, e thënë nga Mario Draghi kur ai drejtonte BQE-në.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, që plotësuan të gjitha kriteret dhe kërkesat nga Brukseli, kryen reforma të vështira, por ngërçi vazhdon”, tha Rama.

“Dy vendet tona, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, janë bërë si personazhet në “Në pritje të Godosë” dhe BE-ja duket shumë si Samuel Beckett”, vijoi ai

“Italia ka qenë mbështetësja jonë besnike gjatë gjithë kohës. Fillimisht Renzi, pastaj Gentiloni, Conte dhe veçanërisht Di Maio nuk mund të angazhoheshin më shumë se kaq në ripohimin se Shqipëria meriton hapjen e negociatave. Por BE -ja është shumë larg lëvizjes strategjike dhe, shumë shpesh, zgjedhjet elektorale në një vend apo në një tjetër janë më të rëndësishme, sesa objektivat për të ardhmen e brezit të ardhshëm të Evropës”, theksoi kryeministri.

“Megjithatë, anëtarësimi në BE nuk ka alternativa. Iniciativa “Ballkani i Hapur”, i mbështetur nga Beogradi, Tirana dhe Shkupi, që rifilloi në fund të korrikut, sigurisht që nuk është. Nuk ka dhe nuk mund të ketë zëvendësim për integrimin evropian. Përkundrazi, nisma “Ballkani i Hapur” është një mjet i ri për të nxitur procesin e integrimit më shpejt, duke zbatuar katër liritë themelore të BE-së në rajonin tonë: Liria e lëvizjes për njerëzit, mallrat, shërbimet dhe kapitalin. Ky është një projekt për paqen dhe bashkëpunimin e qëndrueshëm”.

“Vetëm jemi tregje të vogla, së bashku mund të jemi një treg i vetëm tërheqës ”, shtoi Rama.

Por me ngadalësimin e procesit të zgjerimit, fuqitë si Rusia, Kina, Turqia dhe disa vende arabe kanë zgjeruar ndikimin e tyre në Ballkan. Rrezik apo mundësi?

“Rritja e ndikimit kinez, rus, turk dhe arab në Ballkan është më shumë një mit, sesa një realitet për Shqipërinë dhe shqiptarët. Nuk ka asnjë ndikim që mund të ndryshojë anëtarësimin tonë evropian. Evropa është një fe për ne dhe, përtej çdo zhgënjimi, ne duam të jemi pjesë e saj në të gjitha aspektet, si zgjedhja dhe profesioni ynë”, u përgjigj Rama.

Por Shqipëria ka edhe një thirrje tjetër, siç u demonstrua duke hapur dyert e saj për mijëra afganë që largohen nga talebanët.

“Zgjedhja për t’i pritur në Shqipëri ka të bëjë me atë që jemi dhe cilët duam të jenë fëmijët tanë. Historia dhe jeta na kanë mësuar se ka një kohë për të dhënë dhe ka një kohë për të pasur”.

“Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë me më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore se më parë; ishte ajo që priti gjysmë milioni refugjatë lufte, që i largoheshin spastrimi etnik në Kosovë”.

“Shqiptarët ishin afganët e 30 viteve më parë, me pamje nga brigjet italiane. Ne u mirëpritëm dhe u ndihmuam atëherë dhe sot falë Italisë dhe të tjerëve, që bënë që jeta jonë të ndryshonte përgjithmonë”, kujton lideri shqiptar.

“E di që nuk është një problem i lehtë për t’u përballur dhe nuk ka përgjigje të lehtë, por më lejoni t’ju them këtë: Deri para pak ditësh, të gjithë ne, ashtu si edhe NATO, ishim engjëjt e tyre mbrojtës. Ne nuk mund të kthehemi në hije, duke u zhdukur së bashku me idealet, vlerat, parimet dhe vetë premtimin e lirisë dhe demokracisë. Nuk mund të ndodhë që ne, aleanca më e fortë ushtarake në tokë, të bëhemi një organizëm i pafuqishëm, i pashpresë, pa kuptim, jo vetëm në sytë e popullit afgan, por edhe në sytë e botës, të miliona qenieve njerëzore që dëshirojnë lirinë, luftojnë për drejtësi, ëndërrojnë për shoqëri demokratike në atdheun e tyre”.

“Nuk mund të ndodhë që bashkësia jonë e vendeve të mos japë shpresë dhe strehim, një jetë të re për të gjithë ata që na besuan, punuan për ne dhe luftuan për premtimin e së ardhmes që përfaqësuam”, përfundon Rama.