Riatdhesohen në Shqipëri 14 fëmijë dhe 5 gra nga Siria, Rama: Nuk do të ndalemi këtu

19 shtetas të tjerë shqiptarë, gra dhe fëmijë nga kampi Al Hol në Siri janë kthyer sot në Shqipëri. Për kurorëzimin e këtij operacioni të vështirë drejt Libanit udhëtoi të shtunën edhe kryeministri Edi Rama i shoqëruar edhe nga Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi. Këtë të dielë 14 fëmijë dhe 5 gra mbërritën në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas.

Ne nuk do ndalemi këtu. Ka edhe një operacion potencialisht tjetër për të zhvilluar me një numër që nuk e dimë ende për të gjetur personat në ato vrima të zeza ku gjenden. Llogarisim një numër pak a shumë të njëjtë me këtë të sotmin, në mos pak më të vogël, duke menduar se më shumë se sa gjysma, tanimë është marrë dhe është në vendin tonë. Një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe struktura e antiterrorit e ministrisë së Brendshme”, tha Rama.

Ky është operacioni i tretë që realizohet në bashkëpunim mes ministrisë tonë të Brendshme dhe autoriteteve libaneze e shërbimet sekrete të disa vendeve partnere për të shpëtuar shtetasit shqiptarë që mbahen peng në këtë kamp. Më parë është mundur të riatdhesohet Alvin Berisha dhe më pas edhe Floresha Rasha dhe 4  fëmijë të tjerë.

14 fëmijë dhe 5 gra u riatdhesuan nga kampi fatkeq i Al-Hol në Siri. Ata mbërritën në Tiranë këtë të dielë dhe shoqëroheshin nga kryeministri Edi Rama, i cili shkoi në Liban për të ndjekur operacionin e shpëtimit të tyre. Kreu i qeverisë pati një prononcim për gazetarët, ku u pyet se si do të integrohen në shoqëri këta persona.

“Tani ata janë marrë nga strukturat tona të posaçme të kombinuara të Policisë së Shtetit dhe Mirëqenies sociale. Do t’i drejtohen një strukture enkas të përgatitur për ta në Durrës ku do të bëhen të gjitha ekzaminimet e nevojshme mjekësore dhe ato psikologjike, ku do të kenë një periudhë të shkurtër karantinimi dhe pastaj sipas rastit sepse një pjesë e tyre kanë familjarë dhe adresa këtu, do të çohen ose nëpër shtëpi, ose pastaj do të qëndrojnë në struktura të posaçme. Bëhet fjalë për gra dhe fëmijë. Kjo e bën, të lehtë këtë punë, nga pikëpamja e sigurisë. Nga pikëpamja psikologjike dhe shoqërore kjo kërkon rëndësinë e vet dhe ne jemi përgatitur siç jemi përgatitur më parë”.  

Operacioni për shpëtimin e 19 bashkatdhetarëve ka pasur vështirësi dhe ka qenë shumë kompleks. Rama deklaroi se gjenerali që ka ndjekur operacionin ka treguar se ka pasur rrezik për jetët e personave që kanë qenë përfshirë në operacion.

“Operacionet e kësaj natyre janë të vështira sepse nuk zhvillohen në një terren miqësor, por zhvillohen në një terren forcash që janë dhe në luftë me njëra-tjetrën përveç të tjerash dhe kampet nuk janë kampe pushimi, jo e jo, or as kampe shtetërore të sistemuara sipas një rregulli të caktuar. Janë kampe lufte me autoritetet që variojnë. Në këtë drejtim puna që bëhet e dyfishtë, me ata që administrojnë kampet dhe me personat e infiltruar për të mbledhur informacion. Brenda kampit ka dinamika të ndryshme. Ka njerëz që nuk shfaqen fare. Ka njerëz që janë pengje të të tjerëve aty brenda. Është vërtetë një situatë ferri. Të gjitha këto e bëjnë operacionin shumë kompleks. Dhe siç e tha sot gjenerali, ka pasur vërtetë rrezik edhe për jetën e personave të përfshirë në operacion”.