Rindërtimi i shkollës në lagjen “5 Maji”, Rama: Shëmbëlltyra e ambicies sonë për Shqipërinë 2030

Shkolla e re në lagjen “5 Maji” po ngrihet me standarde bashkëkohore, në një zonë të re urbane në kryeqytet, që po rindërtohet pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga shkolla e re në lagjen “5 maji”, ku do të mësojnë 1500 nxënës.

“Edhe shkolla e re në lagjen “5 Maji”, po ngrihet për 1 500 nxënës së bashku me parashkollorin, 9- vjeçaren dhe gjimnazin, në një zonë të re urbane, që si të gjitha ato ku po rindërtojmë pas tërmetit do të jetë shëmbëlltyra e ambicies sonë për Shqipërinë 2030″, tha Rama.

Lagjja e re është projektuar nga arkitekti i famshëm italian Stefano Boeri, e cila po ndërtohet nga themelet për 11 mijë banorë, do të kthehet në një qendër të re policentrike të Tiranës.

Zona do të ketë qasje të re të zhvillimit urban, ekonomik e social, me infrastrukturë moderne dhe akses të garantuar në shërbime cilësore publike e private, nga shkollat e kopshtet tek njësitë tregtare, me parqe e mjedise sportive, si edhe institucione shtetërore.