Xi dhe Erdogan i dërgojnë njëri-tjetrit letra urimi për 50-vjetorin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve

Më 4 gusht, presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij turk Rexhep Taip Erdogan i dërguan njëri-tjetrit letra urimi për 50- vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve mes të dy vendeve.

Xi thekson në letrën e tij se gjatë 50 vjetëve, marrëdhëniet diplomatike midis Kinës e Turqisë janë zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme. Pas vendosjes së marrëdhënieve të bashkëpunimit strategjik mes të dy vendeve, bashkëpunimi në fusha të ndryshme po zhvillohet më tej. Që nga viti i kaluar, të dy palët kanë mbështetur njëra-tjetrën në luftën kundër epidemisë dhe bashkëpunimi në fushën e vaksinave ka arritur rezultate, duke thelluar miqësinë midis dy popujve. Kreu i shtetit kinez thekson se ai i kushton rëndësi zhvillimit të marrëdhënieve midis Kinës e Turqisë dhe dëshiron që të punojë me presidentin Erdogan, me rastin e 50-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike, që të dy vendet të kuptojnë dhe mbështesin njëri-tjetrin në çështjet që lidhen me interesat dhe shqetësimet kryesore të tyre, të përshpejtojnë harmonizimin e strategjive të zhvillimit dhe të promovojnë qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit strategjik Kinë-Turqi për të mirën e dy vendeve dhe popujve të tyre.

Erdogani u shpreh në letrën e tij të urimit se marrëdhëniet midis Turqisë dhe Kinës kanë bazë të mirë për të realizuar zhvillimin me leverdi të ndërsjellë. Gjatë gjysmëshekullit të kaluar, bashkëpunimi Turqi-Kinë në fusha të ndryshme, si tregtia, investimet, transporti dhe turizmi, ka arritur një zhvillim të jashtëzakonshëm. Të dy vendet kanë promovuar bashkëpunimin strategjik të bazuar në respektin e ndërsjellë, duke sjellë ndikim pozitiv në shkallë rajonale dhe globale. Përballë epidemisë së pneumonisë së koronavirusit të ri, të dy vendet janë bashkuar dhe e kanë ndihmuar njëri-tjetrin për të mbrojtur shëndetin e njerëzve. Turqia i jep rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe do të vazhdojë të çojë përpara bashkëpunimin strategjik me Kinën./CRI shqip