Zaev: BE ka detyrim moral ndaj Maqedonisë së Veriut

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, sot mori pjesë në Forumin Evropian Alpbach, i cili këtë vit i kushtohet tre temave: "Sigurimi i së ardhmes së Evropës", "Financimi i së ardhmes së Evropës" dhe "Ndryshimet klimatike", transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, përmes video-konferencës, Zaev mori pjesë në panelin "Perspektivat e Maqedonisë së Veriut" së bashku me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe Ballkanin Perëndimor.

Në fjalën e tij hyrëse ai theksoi se anëtarësimi i vendit në BE është perspektivë dhe pa alternativë, pavarësisht zhgënjimit me bllokimin e procesit të integrimit evropian nga Bullgaria.

"Jemi plotësisht të përkushtuar ndaj këtij procesi sepse udhëhiqemi nga vlerat evropiane të cilat janë edhe vlerat tona dhe të cilat me të gjitha politikat që zbatojmë e realizojnë evropianizimin dhe ky është motivimi ynë më i fortë. Qëllimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk është anëtarësimi për hir të anëtarësimit, por për hir të arritjes së standardeve dhe zbatimit të atyre standardeve në të gjitha sferat e shoqërisë sonë", theksoi Zaev.

"Se vendi është në rrugën e duhur dhe se i ka përmbushur të gjitha kriteret, shtoi kryeministri Zaev, u konfirmua me vendimin dhe rekomandimin e Komisionit Evropian drejtuar Këshillit Evropian më 20 mars të vitit 2020, mbështetur nga të gjithë shtetet anëtare të BE-së, për të mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut, që u bllokua më pas nga Republika e Bullgarisë", theksohet në njoftim.

"BE-ja ka një detyrim moral ndaj Maqedonisë së Veriut. Të gjitha reformat në vend janë zbatuar ose janë në rrjedhë, me fqinjët tanë kemi zgjidhur çështjet që ishin hapur me nga disa dekada, të tilla si Marrëveshja e Prespës me Greqinë, ose Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë. Maqedonia e Veriut është një model i suksesshëm i një bashkësie funksionale multietnike dhe lider i bashkëpunimit rajonal, ndërsa me anëtarësimin në NATO ne jemi bërë një faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor", theksoi Zaev.

Ai shtoi se të gjitha shtetet anëtare janë njëzëri se Maqedonia e Veriut ka arritur detyrat dhe se BE-ja mbetet e detyruar të përmbushë vendimin e saj për fillimin e negociatave.

Zaev shfaqi shpresën se kjo do të bëhet realitet sapo Bullgaria të formojë një qeveri funksionale politike dhe shfaqi shpresën se Samiti i Ballkanit Perëndimor në Lubjanë më 6 tetor do të ketë një shtysë serioze në zgjerimin e ngecur të BE -së.

Ndër pyetjet e auditorit të forumit, një vëmendje e veçantë iu kushtua nismës për Ballkanin e Hapur, për të cilën kryeministri Zaev theksoi se nuk është alternativë për anëtarësimin në BE, por një proces që përshpejton proceset e integrimit në BE në rajon, që lidh Ballkanin Perëndimor sipas parimeve të BE-së dhe që jep një kontribut të madh në forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit.​​​​​​​