Zv/ambasadori Smith në diplomimin e kandidatëve të BKH-së: Pandëshkueshmëria e të pasurve dhe të fuqishmëve ka mbaruar

“Byroja Kombëtare e Hetimit do t’i tregojë Shqipërisë se askush nuk është mbi ligjin dhe se ai zbatohet njësoj për të gjithë. Ditët e pandëshkueshmërisë së të pasurve dhe të fuqishmëve kanë mbaruar”.

Kështu deklaroi sot, zëvendësambasadori i SHBA-së në Tiranë, Demian Smith, duke iu drejtuar kandidatëve për hetues të BKH-së, në aktivitetin për përfundimin e programit të trajnimit të FBI-së nga ky grup.

Zv/ambasadori Smith nënvizoi se “Shqipëria ka ngritur tashmë që të dyja institucionet që përbëjnë SPAK-un: Prokurorinë e Posaçme dhe BKH-në”.

“Prokuroria e Posaçme ka qenë duke punuar pa ju, por tashmë ju do të bashkoni forcat kundër korrupsionit dhe krimit. Vetëm me BKH-në, me të gjithë ju, SPAK-u do të jetë një sukses i plotë. Qëndroni pjesë e luftës. Partnerët tuaj rreth e rrotull botës mund të hedhin dritë mbi aktorët e këqij, por do të jetë SPAK-u që do të bëjë punën e vështirë: hetimin dhe ndjekjen penale, duke punuar dorë për dorë për të përmbysur korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ndërsa dilni nga ky diplomim, ju do të jeni pjesë e një kapitulli të ri të institucioneve të pavarura, të besuara, efikase dhe të besueshme të gjyqësorit. I sotmi është një hap i rëndësishëm përpara në luftën e Shqipërisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, deklaroi Smith.

Duke iu drejtuar kandidatëve për hetues të BKH-së, Smith tha se “dhënia e drejtësisë për bashkëqytetarët tuaj është një mision i rëndësishëm dhe sfidues”.

“Nga 700 kandidatë, ju jeni 27 që ia dolët mbanë, jeni më të mirët e më të mirëve. Vendi juaj ka nevojë për ju. Do të hetoni disa nga krimet më të rëndësishme në këtë vend,  korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ju jeni shembull guximi dhe përkushtimi që bëtë përpara për t’i shërbyer vendit tuaj gjatë kësaj kohe të rëndësishme”, tha ai.

Smith vlerësoi se “Reforma në Drejtësi në Shqipëri nuk ka qenë e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por ju e bëni sepse është e vështirë dhe tani po shohim rezultate”.

“Të gjitha institucionet e krijuara nga miratimi i Reformës në Drejtësi në vitin 2016 janë tashmë plotësisht funksionale. Vjet në këtë kohë, Ambasadorja Yuri Kim e uroi Shqipërinë për emërimin e Aida Hajnajt si Drejtoresha e parë e BKH-së, duke shënuar një gur kilometrazhi kyç në zbatimin e Reformës në Drejtësi”, tha ai.

Zv/ambasadori Smith siguroi se “si gjithmonë, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të gatshme për t’ju mbështetur qoftë për ta zhvilluar BKH-në si institucion, qoftë për të rritur aftësitë profesionale, apo për t’i ofruar ndihmë BKH-së”.