Alarm që t'mos shikojmë tanket serbe në Prishtinë e Tiranë!

Editorial

Kosova e kërcënuar përsëri nga një agresion real prej ish- pushtuesit të vjetër shekullor shovinist të Serbisë, që prej disa ditësh ka mobilizuar armaten e tij të tërë armeve në kufi me një vend sovran e të pavarur në Ballkan, fqinj edhe i Shqipërisë.

Në veri të Kosovës ku jeton një komunitet serb gjendja është tejet e tensionuar nga krahu anti- shqiptar vuçinian. Duket Beogradi zyrtar i ka urdhëruar të kalojnë në veprime të dhunshme falangistët siç ishin ato në Zubin Patok.

Përballë kësaj situate me një vetëpërmbajtje shembullore në konsultim me aleatet qeveria e Prishtinës po përpiqet të stabilizoje gjendjen.

Veç masave në terren Kryeministri Albin Kurti i ka ftuar liderët e subjekteve opozitare në Kuvend dhe të dielen në mëngjes ka pritur në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, takimi është zhvilluar me qëllim të njoftimit të partive opozitare për gjendjen e sigurisë në vend, në veçanti në veri të Kosovës.

“U bisedua për situatën dhe zhvillimet në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, si dhe u theksua përkushtimi i institucioneve të Republikës së Kosovës në shërbim të paqes dhe sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend”, thuhet në njoftim.

Krerët opozitarë Krasniqi dhe Abdixhiku shprehën mbështetjen për sundimin e ligjit në mbarë territorin e Kosovës dhe për mbrojtjen e kufijve të shtetit. Ata po ashtu theksuan mbështetjen për Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera shtetërore.

Urtësi kosovare për tu bashkuar përballe kërcënimit të pushtuesit serb kur është dita e tetë e bllokimit të rrugëve që çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Rrugët drejt këtyre pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë janë bllokuar me kamionë dhe automjete të tjera nga qytetarë serbë të Kosovës, të cilët kështu kanë vendosur të protestojnë kundër vendimit të institucioneve shteterore për zbatimin e masës së reciprocitetit për targat e automjeteve të Serbisë.

Një vendim i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili rrjedh nga Marrëveshja e Brukselit, parasheh që të gjitha automjetet me targa të Serbisë që hyjnë në Kosovë të pajisen me targa të përkohshme të Republikës së Kosovës, njëjtë siç veprohet me automjetet e Kosovës që hyjnë në Serbi.

Dërgimi i njësive speciale në pikat kufitare në veri të Kosovës ka ngjallur protesta të banorëve serbë, të cilët kanë bllokuar  rrugët drejt dy pikave kufitare.

Deri më sot situata është e acaruar se nga Serbia ka pasur përshkallëzim të tensioneve pasi për dy ditë radhazi ka pasur fluturime me helikopterë dhe aeroplanë luftarakë deri afër kufirit me Kosovën.

Gjithashtu, gjatë të shtunës naten në qytetet në veri të Kosovës ka pasur incidente, të cilat ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe kryeministri Albin Kurti, i kanë cilësuar si vepra me elemente terroriste.

Për shkak të situatës së krijuar në veri, dhe sidomos pas provokimeve nga Serbia me helikopterë e aeroplanë, është mbledhur Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Kosovës të shtunën në mbrëmje, kurse presidentja Vjosa Osman ka ndërprere pjesëmarrjen në sesionin e 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-se ne Nju Jork dhe është kthyer në Kosovë.

BE e SHBA bëjnë thirrje të përsëritura për vetëpërmbajtje të dy paleve dhe i këshillojnë që t'mos ndërmarrin 'veprime të njeanshme'.

Menjeherë lind pyetja: po ç'veprime mund të ndërmarrin Kosova veç mbrojtjes kur me mijëra paqëruajtës ndërkombëtare janë të dislokuar në territorin e saj?

Më duket se ndërkombëtaret nuk po duan të shikojnë realitetin që është skema e krijimit të 'Botës Serbe'.

Presidentja Osmani dha alarmin që të ndalohet 'rregjimi i Vucicit për të krijuar 'Botën Serbe'. Madje e ngriti zërin në OKB në sesionin e kësaj organizate mbarëbotërore.

Gjuha e përdorur nga Presidenti Vuçiç, pinjolli i Sllobodan Milloshevic, satrapit të Ballkanit e kryegjakatarit të popullit të Kosovës, është militariste e mbushur me shantazhe ndaj popullit martir të Kosovës.

Kushdo pyet në Tiranë e Prishtinë: A thua ky paska qenë objektivi i “Ballkanit të Hapur” promovuar nga Vuçiç e Rama?

Askush si harron vitet e përgjakshme 1998-1999 të trupave serbe kundër popullit kosovar dhe ishte ndërhyrja e NATO-s që Kosova shpalli pavarësinë më 2008.

Po çfarë thotë Shqipëria. E ndërsa i bën thirrje Serbisë të tërheqë forcat e armatosura të dërguara pranë kufirit me Kosovën dhe të punojë për de-përshkallëzim të menjëhershëm të situatës, Ministria e Jashtme të djelen në një deklaratë i nxit të gjithë aktorët të tregohen të përmbajtur dhe të drejtohen menjëherë drejt dialogut, si e vetmja mënyrë për të ecur përpara dhe për të zgjidhur çështjet e mbetura pezull me frymën e bashkëpunimit, ndaj të cilave Shqipëria është angazhuar në mënyrë të pakthyeshme, në përpjekjet e saj dypalëshe dhe shumëpalëshe.

Eureka! "Te gjithë aktorët të tregohen të përmbajtur dhe të drejtohen menjëherë drejt dialogut!", këshillon diplomacia shqiptare.

Tirana Zyrtare flet qartë e shkurt edhe me vëllezërit kosovare e serb: Përmbajtje e Dialog!

Mirëpo a e kanë menduar 'pacifistet' tiranas se shovinistet serb, që nuk janë vëllezërit e shqiptarëve, mund të ndërmarrin akte agresive kundër popullit tamam vëlla kosovar se tonin e kanë tejet kërcënues.

A është ushtria shqiptare e aftë të ndihmoje vëllezërit kosovarë në një përballje tjetër me pushtuesin serb që është bërë më i egër me Kosovën (tokën e saj të pretenduar)? Sot gjërat shihen nga cdo drejtim e kësisoj siç ndodh në situata krize politike e ushtarake populli ka të drejtë të pyese në çfarë statusi është ushtria jonë.

Apo kufijt janë të hapur (Ballkani i Hapur) e ndonjë ditë famëkeqe të shikojmë tanket serbe në Prishtinë e Tiranë!

/ Argumentum.al