Ambasadorja Kim takon 15 prokurorët e SPAK: Do hetohen të gjithë individët që pasurohen përmes krimit e korrupsionit

Ambasadorja Yuri Kim zhvilloi një takim me 15 prokurorët e SPAK të cilët i inkurajoi t’i japin përparësi dhe fokus çështjeve më të rëndësishme për vënë para përgjegjësisë ata dëmtojnë shqiptarët dhe pasurojnë vetveten përmes krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Diplomatja e lartë e SHBA e cilëson lajm të mirë për Shqipërinë që 28 hetuesit e parë të BKH do t’i bashkohen SPAK në luftën kundër krimit dhe korrupsionit për t’i dhënë ‘fund kohës së pandëshkueshmërisë’.

“Është lajm i mirë për Shqipërinë që klasa e parë e hetuesve të BKH po iu bashkohet atyre në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Klasa e BKH me 28 hetues të përkushtuar dhe të trajnuar mirë do të sigurojë ndërtimin e çështjeve të forta nga SPAK. Së bashku, ata do u japin përparësi dhe fokus çështjeve më të rëndësishme dhe do modelojnë pavarësi dhe përgjegjshmëri. Së bashku, ata do të ndjekin penalisht dhe do bëjnë përgjegjës ata që dëmtojnë shqiptarët dhe pasurojnë vetveten përmes krimit të organizuar dhe korrupsionit. Askush nuk është mbi ligjin. Koha e pandëshkueshmërisë po merr fund”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA.