Escobar takohet me përfaqësuesit serb dhe kosovarë në Bruksel: Tensionet janë shumë të larta, duhet të ulen

Zëvendësndihmës sekretari amerikan për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar, të mërkurën u takua në Bruksel me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe me shefin e zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Escobar, që njëherësh është i dërguar i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, tha se ai po mbështet përpjekjet e Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar në veri të Kosovës.

“Prioritet numër një është që të ulen tensionet. Ato janë shumë të larta tash dhe duhet të ulen menjëherë”, tha Escobar.

Zyrtari amerikan tha se duhet që urgjentisht të gjendet zgjidhje për çështjen e targave të automjeteve dhe që palët t’i kthehen dialogut, përmes të cilit do të zgjidhen çështjet e hapura.

Takimet me BE-në për situatën në veri

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha se ka zhvilluar takime të ndara me dy kryenegociatorët, me të cilët ka biseduar për gjetjen e mënyrave për tejkalimin e krizës aktuale.

“Këtë mëngjes zhvillova dy takime të ndara me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar për mënyrat sesi të zgjidhet kriza aktuale. Ne do të vazhdojmë bisedimet tona gjatë ditës”, shkroi ai në Twitter.

Takimet në Brukel vijnë në ditën e dhjetë të bllokimit të rrugëve që çojnë në dy pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Qytetarët serbë, me kamionë dhe mjete të tjera të rënda kanë bllokuar këto dy rrugë nacionale në atë pjesë në shenjë proteste për vendosjen e masës së reciprocitetit për automjetet me targa nga Serbia.

Në Bashkimin Evropian shpresojnë se do të ketë takim të përbashkët mes Bislimit, Petkoviqit dhe Lajçakut dhe që ai do të prodhojë edhe rezultate konkrete që do të ndihmonin në uljen e tensioneve. Brukseli ka thënë se pret që kryenegociatorët, jo vetëm të jenë të gatshëm të diskutojnë, por edhe të kenë mandat të qartë që të arrijnë ndonjë rezultat në takim.

Më herët zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka pohuar që Gabriel Escobar, nuk pritet të marrë pjesë në takimet trepalëshe sepse ato janë format që përfshijnë vetëm delegacionet e Kosovës dhe Serbisë si palë biseduese dhe BE-në në cilësinë e lehtësueses.

Edhe në ditën kur pritet të mbahen takimet në Bruksel, BE-ja ka përsëritur thirrjet që të ulen tensionet dhe të shfrytëzohet dialogu si platforma e vetme për të kërkuar zgjidhje për të gjitha çështjet e hapura mes palëve.