INTELEKTUALË, ËSHTË KOHA TË FLISNI

Shpendi TOPOLLAJ

Pasi Presidenti i nderuar e lëshoi Urdhërin Ekzekutiv, Sekretari për punët e jashtme e dha verdiktin dhe ambasadorja u lodh duke kërcënuar gjysmën e shqiptarëve se për hir të një njeriu mund të hanë bar, ja ku doli në skenë zëvendësambasadori Smith i cili pa asnjë kortezi diplomatike dha ultimatumin. Askush të mos çuditet kur fjala t`i jepet në ndonjë konferecë shtypi portierit të ambasadës dhe të dëgjojmë nga ai se do të na shihni se ç`do t`u punojmë! Ca më shumë, askush të mos çuditet, kur politikanët tanë të struken si burracakë dhe gjithë “trimërinë” e tyre ta tregojnë duke iu kërpushur njeri - tjetrit: “Me ty e kanë!” Hajde shtet, hajde! Jo në Evropë, por as në Afrikë nuk do të na pranojnë kështu si jemi katandisur në sy të botës.

Pikërisht ky nënshtrim i turpshëm ndaj të huajve është dhe krimi më i madh i atyre që kanë marrë përsipër të drejtojnë këtë vend. Ata për këtë, mbi gjithë gjynahet e tjera, duhen ndëshkuar rëndë, gjë që kujtesa historike do ta bëjë pa tjetër. Ndonjëri mund të pyes: po ky ç`po na thotë? A e di ai se si e pësoi ushtari i thjeshtë Tersiti kur qortoi Odisenë dhe prijësit e tjerë grekë që të largoheshin nga Troja dhe të mos e kishin mendjen te plaçka e luftës? Po, do t`u përgjigjesha, e di se hëngri sikurse tregon Homeri një skeptër kurrizit. E di edhe se disa e tallën, por ushtarët që ishin shumica e përgëzuan. Gjithashtu, do t`u kujtoja se sa herë vjen ajo festa e SHBA - së, jam unë i pari që shkruaj gjatë e gjerë në gazeta dhe në librat e mi dhe organizoj veprimtari në Pallatin e Kulturës “A. Moisiu” Durrës, me simpati, admirim e mirënjohje për vlerat demokratike të atij vendi të madh, për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë qysh para një shekulli për lirinë, sovranitetin dhe pavarësinë tonë.

Por kjo nuk do të thotë të mbyll sytë dhe gojën si qytetar i këtij vendi, kur shoh se dinjiteti ynë po merret nëpër këmbë nga të huajt dhe se veprimet e tyre, qofshin ato dhe pragmatiste, po e shpien Shqipërinë drejt një kaosi në emër të luftës kundër korrupsionit. Më ka mbetur në mendje një shprehje e Gamal Abdel Naserit se “Talenti i diplomatëve amerikanë qëndron në atë se nuk bëjnë lëvizje idiote, por lëvizje të ndërlikuara idiote, që na bëjnë të pyesim veten, mos vallë ata dinë diçka që ne nuk e dimë?” A nuk po ngjet kjo edhe me ne? Po si mundet që një diplomate, qoftë dhe e yllit të largët Sirius, të urdhërojë largimin nga Parlamenti të deputetëve të zgjedhur nga populli. Dhe keni dëgjuar ndonjë nga ata të pozitës apo opozitës të kujtohet për atë që kritiku dhe poeti francez Pol Valeri, politikën e përkufizonte si arti që të pengosh botën të fusë hundët në çështjet që s`i përkasin. Po përse i u kemi krijuar aq favore dhe i paguajmë ne ata? Për të mbajtur sehir. Apo për të fërkuar barkun kur shohin se kundërshtarin e tyre po e largojnë me duart e të tjerëve.

Po pse, të tjerët do e ndreqin drejtësinë tonë. Apo kështu e kanë më të lehtë të na heqin për hunde duke na quajtur lolo. Vërtetë u dimbset atyre atdheu ynë më shumë se neve? Pastaj, administratat që ndërrohen çdo katër vjet atje, nuk do të thotë se janë vetë SHBA - ja. Lloj - lloj lobesh e influencash mund të ketë dhe ato nuk janë se dalin sheshit. Prandaj njeriu përdor deduksione dhe induksione në analizat e tij. Jo të gjithë rreth e qark na e duan të mirën. Të diskutosh, t`i kundërshtosh, t`u bësh vrejtje për çështje ku e kanë gabim është krejt normale. Dhe ne andej e kemi mësuar nevojën e debatit e polemikës të mençur e dashamirëse. Dhe nuk e kam thënë unë, por Henry John Temple Palmerston se “Nuk kemi armiq shekullorë, nuk kemi miq shekullorë.

Vetëm interest tona janë shekullore dhe detyra jonë është t`u shërbejmë”. E po ne do t`u shërbejmë të tjerëve jo deri në nënshtrim i cili në mos sot, nesër merr përmasat e pushtimit. Mundet që ka zënë vend mes nesh këto tre dekada ajo thënia latine “Ab assuetis non fit passio”, pra “Gjërat me të cilat jemi mësuar nuk na bëjnë përshtypje”. Mirë politikanëve zemërpula që u është mpirë shikimi, ose ua do puna të mbajnë atë qëndrimin që përdorin ndonjëherë kavajasit “pse me lazëm”, por opinionistët dhe gazetarët, me përjashtime të rralla, si deklarojnë se edhe gabim kur ta kenë aleatët tanë strategjikë (Pika strategjisë tonë pa ushtri!), ne nuk do bzajmë. Shekspiri një herë ka thënë se “Një dënim që zgjidhet me vullnet të lirë është gjithmonë i drejtë”. Bukur! Ata si duket kanë zgjedhur të mbeten skllevër, se nuk u mjaftoi skllavëria komuniste. Po ne të tjerët që jemi të shumtit, ç`taksirat kemi.

Ne që kemi shpresuar dhe shpresojmë te miqësia e sinqertë e SHBA - së, ne që të ardhmen tonë e shohim tek ai vend i cili duhet ta dijë se te populli shqiptar do të ketë ata njerëz mirënjohës të cilët kanë bindjen se atje do gjejnë përkrahje edhe ndaj lojës jo gjithmonë të ndershme të evropianëve. Mos është koha që tani e tutje ta thonë fjalën e tyre intelektualët e shquar të vendit. Mendoj se edhe heshtja e gjeniut tonë Ismail Kadare, i cili e ka treguar atdhetarizmin e tij të pashoq, sidomos te vepra e tij “Mëngjeset në kafe Ronstand”, flet shumë. Por, ai që gjeti mënyra të japë mendimet e tij gjatë diktaturës më të egër, edhe një herë duhet ta thotë trimërisht mendimin e tij të urtë. Nuk zemërohem nëse do të dalë dikush të më godasë me skeptër, pas këtyre fjalëve. Shpina ime është mësuar, pasi gjithmonë jam udhëhequr nga parimi: “Vitam impendere vero”.

/Argumentum.al