Ish-kryeprokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla dënohet me 2 vite burg,

Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, duke dënuar me 2 vite burgim ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Vendimi, i formës së prerë u dha sot (22 shtator) nga Gjykata e Posaçme e Apelit, kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, për ish-kryeprokurorin duke e dënuar përfundimisht me 2 vite burg.

Gjithashtu Llalla për 5 vjet përjashtohet nga funksionet publike, pasi e gjeti fajtor për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.

Gjykata vendosi dhe konfiskimin e disa pronave të tij, të vëna paraprakisht nën sekuestro, konkretisht: 4 sipërfaqe toke, në 22 mijë metra katrore dhe 1 apartament në Durrës.

Vendimi i Apelit pritet të ekzekutohet duke dërguar në burg ish kreun e akuzës. Zyrtarisht nga Prokurorira e Posaçme bëhet me dije se urdhëri do i dërgohet policisë për ekzekutim ndërsa nese nuk gjendet ne Shqipëri do te shpallet e tij në kërkim.

Adriatik Llalla, bëhet i pari zyrtar i lartë që dënohet për korrupsion nga Gjykata e Posaçme e Apelit, kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit

Njoftim i SPAK:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr.24, datë 22.09.2021 vendosi: “Lënien në fuqi të vendimit nr.40, datë 20.05.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.40, datë 20.05.2021 ka vendosur: Deklarimin fajtor të pandehurit Adriatik Llalla për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a, paragrafi 2 i Kodit Penal, 3 (tre) herë, dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.

Në bazë të nenit 35 të Kodit Penal heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin Adriatik Llalla për një periudhë 5 (pesë) vjeçare.

Pasuritë e paluajtshme të sekuestruara ku përfshihen: Pasuria e paluajtshme apartament, me sipërfaqe 67.2 m2, e ndodhur në Durrës. Pasuritë e paluajtshme të llojit tokë arë, 4 (katër) pasuri, me sipërfaqe gjithsejt 22.300 m2 të ndodhura në Tiranë. Konfiskohen dhe kalohen në favor të shtetit.

Bazuar në faktin se vendimi i mësipërm i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është i formës së prerë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ditën e sotme, me datë 22.09.2021 ka nxjerrë urdhëron për ekzekutimin e këtij vendimi penal, duke ngarkuar Policinë e Shtetit për ekzekutimin e tij.

Yuri Kim: Askush nuk është mbi ligjin,

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka reaguar për dënimin e ish-kryeprokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Në një postim në Twitter, ambasadorja vlerëson punën e drejtësisë kundër korrupsionit. Ajo shprehet se askush nuk është mbi ligjin.

Është mirë të shihet drejtësia e vënë kundër zyrtarëve të korruptuar. Prokurorët duhet të vazhdojnë të ndërmarrin veprime kundër zyrtarëve, pa marrë parasysh sa të lartë apo të fuqishëm,  të cilët keqpërdorin pozitën e tyre për t’u pasuruar. Askush nuk është mbi ligjin,” shkruan Kim.

/Argumentum.al