Kaos në tregun e gazit të BE-së dhe Britanisë së Madhe: rriten edhe çmimet e energjisë elektrike.

Zoran Meter[i]

Politika energjetike dhe ajo e sigurisë së BE-së varen nga shikimi i prognozës së kohës në fund të lajmeve (mund të themi me shaka varen nga ato që thotë spikeri), gjë që është e papranueshme për një bashkësi shtetesh që pretendon të bëhet lojtar global. BE-ja, përveç që nuk ka potencialet e tij ushtarake për një gjë të këtillë, ajo nuk ka të siguruar as stabilitetin energjetik, e për këtë shtrohet pyetja se nga po shkon ajo, duke patur parasysh përpjestimin dukshëm të zhdrejtë mes ambicjeve me mundësitë e saj.

Çmimet europiane të energjisë elektrike kësaj jave arritën rekord të ri, dhe një nga arësyet e këtyre çmimeve rekord është edhe çmimi rekord i gazit natyror si dhe magazinat gjysëm të zbrazura pikërisht tani para fillimit të sezonit të ngrohjes. Ju kujtojmë se sezoni i ngrohjes në BE vitin e kaluar filloi me 11 tetor.

Edhe mediat  Perëndimore, si puna e Bloomberg-ut amerikan, si dhe ato ruse e kanë përqëndruar interesimin e tyre te divi rus i gazit Gazprom-i i cili plotëson pjesën tejet më të madhe të nevojave vjetore të BE-së për gaz, rreth 35% syresh. Gjendja është serioze jo vetëm për shkak të zvoglimit të kapaciteteve vetjake të prodhimit të gazit në BE, si në Norvegji apo në Britaninë e Madhe, por edhe për shkak të politikës aktuele të transformimit energjetik të BE-së, domethënë procesit të nisur të kalimit në përdorimnin e burimeve të rinovueshme të energjisë, domethënë të atyre pa emetim të gazit karbonik të dëmshëm C02 në atomosferë- gjë që është ide e kotë duke patur parasysh se bëhet fjalë për karburantin fosil tejet më të pastër i cili edhe si i tillë mund të pastyrohet akoma më shumë. Politikës energjetike të BE-së i është përbashkuar me të njëjtën masë edhe Britania e Madhe e cila pikërisht tani po “korr frytet e hidhura” të krizës së gazit që është pas shfaqur me kohë mbi Ishullin dhe e cila kërcënon me kriza serioze, gjë për të cilën lajmërohej dje nëpërmjet një artikulli të botuar në median e atjeshme Daily Express.

Sa e kotë është politika e Brukselit dhe e Londrës flet edhe fakti se ajo nuk do të ketë dhe nuk ka sesi të ketë kurrfarë efekti konkret në cilësinë e ajrit dhe të mjedisit në Europë nëse një politikë të këtillë nuk e pranon dhe aplikon edhe “pjesa tjetër” e botës, para të gjithëve konsumatorët më të mëdhenj të lëndëve djegëse fosile si India, ShBA-të, Kina dhe Rusia. Për hir të së vërtetës, këto tre të fundit e pranojnë formalisht këtë politikë, por kurrsesi dhe në afatin që ka caktuar Brukseli- zvoglimin e emetimeve të dëmshme me 50 përqind deri në vitin  2030 dhe plotësisht deri në vitin 2050.

Por kjo nuk është temë e këtij shkrimi për ngjarjet kyçe energjtike në truallin europian, përveç kësaj, që më përpara këtë temë e kemi analizuar në detaje në analizat tona të mëparshme.

Pora, sikurse thamë, e tërë vëmendja tashmë është përqëndruar te Gazprom-i dhe mundësia e tij për të mbushur magazinat europiane të gazit. Por kjo sipërmarrje nuk është në gjendje të rrisë seriozisht eksportin e gazit në Europë madje edhe sikur deri në fund të këtij viti të nisë nga funksionimi gazsjellësi Rryma e Veriut-2 sepse edhe Rusia është duke u përgatitur edhe vetë aktivisht për sezonin e ardhshëm të ngrohjes. Mbi shkaqet (gjeo)politike, si dhe për atë nëse ekzistojnë ato në përgjithësi në këtë rast, tani për tani nuk kemi sesi të gjykojmë, por vetëm  mund të hamendësojmë. Natyrisht, kemi të drejtë të mendojmë se ato ekzistojnë që ç’ke me të dhe se, përveç politikës së kotë të Brukselit për problemin e energjetikës, rol të madh në tërë këtë punë ka edhe politika e tij e kotë dhe e intensifikuar antiturke e viteve të shkuara, e cila nuk është asgjë tjetër veçse “prerje e degës ku qëndron ulur”.

Çmimet me shumicë të energjisë elektrike në Europën Veriperëndimore dhe në Skandinavinë e Jugut janë rritur në shifrën130 euro për Megavat. Në Gjermani çmimi i energjisë elektrike për vitin e ardhshëm është rritur mbi 90 euro. Sinjali i vërtetë për alarm u shfaq në Britaninë e Madhe ku çmimet e  tregut u rritën befas në shifrën 255 funt për megavat, dhe për këtë, ky vend u detyrua të rivinte në punë  dy termocentrale me qymyr që më parë ishin braktisur. Për më shumë, qeveria e kryeministrit Boris Xhonson ishte e detyruar të paguante 6,85 mijë dollarë për megavat të termocentralit me gaz në mënyrë që të ruante ekuilibrin energjetik për gjithsejt 30 minuta. Një prej shkaqeve të rritjes së përmendur të çmimeve në Britaninë e Madhe është edhe rënia e prodhimit nga centralet me erë, por gjithsesi shkaku kryesor janë çmimet rekord të gazit.

Mjafton të themi se me 4 shtator 2021 në nyjen britanike të gazit NBP është tregtuar gaz me çmim 667 dollarë për njëmijë metër kub, ndërsa në atë hollandeze TTP, afro 650 dollarë.

Analistët e Bloomberg-ut nënvizojnë se një rritje e tillë e çmimeve mund të çojë në rritjen e shpenzimeve për energjinë elektrike të europianëve të zakonshëm në masën 20%.

“Ardhja e dimrit mud ti japë botës mësimin e dhimbshëm mbi atë sesa i rëndësishëm është gazi natyror. Çmimi i tij tashmë është në kulm dhe ndoshta edhe mund të rritet, duke kërcënuar kësisoj rimëkëmbjen  ekonomike globale”, shkruan komentatori i Bloomberg-ut Stefan Stapzinski në llogarinë e tij në tviter.

Vitin e kaluar, në magazinat europiane të gazit, në fillim të sezonit të ngrohjes, kishte më shumë se 101 miliardë metër kub gaz (info: ENTSOG). Me datë 5 shtator të këtij viti rezervat e gazit ishin 73 miliardë metër kub gaz. Po të kemi parasysh se injektimi mesatar ditor në muajin shtator do të jetë 320 milionë metër kub, atëherë deri në mesin e muajit tetor rezervat mund të rriten deri në 85 miliardë metër kub, gjë që është ndryshim i madh në krahasim  me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Po ashtu ka rëndësi të përmendet se ekzistojnë ndryshime të mëdha në lidhje me shpërndarjen e barabartë të kapaciteteve të gazit, e kësisoj magazinat në Itali janë mbushur me 82 përqind, në Gjermani 60 përqind, ndërsa në Austri gjithsejt 45 përqind.

Një gjendje e tillë definitivisht do të ndikojë në çmimin e gazit i cili me siguri që nuk ka për tu ulur. Mund të thuhet se ndoshta një situatë e këtillë do të bëhet nxitje për investime në burime të rinovueshme të energjisë në truallin e BE-së, por në këtë rast kemi të bëjmë me plane afatgjatë, e për të (mbi)jetuar duhet patjetër tani.

Nga ana tjetër, një dimër iu butë mund të ndikojë në kthimin e gazit të lëngshëm (LNG) nga Azia drejt terminaleve europiane, gjë që atëherë mund të ndikojë në rënien e çmimit. Me fjalë tjera, politika energjetike dhe ajo e sigurisë së BE-së varen nga shikimi i prognozës së kohës në fund të lajmeve (mund të themi me shaka varen nga ato që thotë spikeri), gjë që është e papranueshme për një bashkësi shtetesh që pretendon të bëhet lojtar global. BE-ja, përveç që nuk ka potencialet e tij ushtarake për një gjë të këtillë, ajo nuk ka të siguruar as stabilitetin energjetik, e për këtë shtrohet pyetja se nga po shkon ajo, duke patur parasysh përpjestimin dukshëm të zhdrejtë mes ambicjeve me mundësitë e saj.

Gjermania, si nxitësi kryesor dhe motori i BE-së, me siguri nuk dëshiron të jetë peng i një konfigurimi të tillë të raporteve (energjetike) në Europë dhe do të këmbëngulë të bëjë një politikë të pavarur energjetike sa të jetë e mundur një gjë e tillë, gjë për të cilën dëshmon qëndrimi i papërkulur i Berlinit në lidhje me gazsjellësin Rryma e Veriut -2 në raport me Uashingtonin, me të cilin Gjermania përfundimisht zgjidh problemet e saj energjetike për një periudhë të gjatë. Por Berlini duhet të mbajë parasysh edhe tranzicionin energjetik të lartpërmendur, të cilin  Brukseli gjithsesi nuk e ka planifikuar vetë dhe pa ndikimin gjerman.

Vënia në punë e gazsjellësit Rryma e Veriut - 2 është e garantuar, por kjo nuk do të thotë se ai do ti zgjidhjë problemet e lartpërmendura europiane me gazin.

Analistët e Bloomberg-ut nënizojnë se mbushja rekord në magazinat ruse, gjë që aktualisht është duke u bërë, mund të ndikojë seriozisht në furnizimin e Europës nga Gazprom-i.

“Përgatitja për sezonin e ngrohjes në Rusi është prioritet absolut për shtetin dhe natyrisht edhe për Gazprom-in. Për këtë në një muaj e gjysëm ose dy të ardhshëm do të vijojë injektimi intensiv në objektet ruse për magazinimin e gazit”, thotë zëvendësdrejtori i Shërbimit federal rus për sigurinë energjetike (FNEB) Aleksej Grivaç.  Ai thekson se furnizimi i Europës është punë me rëndësi dhe se do të kryhet në përputhje me detyrimet kontraktuale dhe interesat tregtare të blerësve. Ai thotë edhe këtë, duke aluduar qartazi në kufizimet që vendos BE-ja në lidhje me problemin e shfrytëzimit të Rrymës së Veriut-2, duke e vendosur në direktivën europiane për gazin: “Megjithëse gjithçka ecën sipas asaj që në Europë, e ndoshta edhe në Azi do të mungojë gazi me të gjithë pasojat që sjell kjo, do të ishte çmenduri që europianëve tu përkeqësohej gjendja për shkak të kufizimeve artificiale në funksionimin e infrastrukturës së ndërtuar”.

Dhe në fund për LNG. Faktori i gazit të lëngshëm në Europë është lënë plotësisht pas dore. Në muajin gusht sasitë e dorëzuara janë zvogluar në minimumin vjetor. Edhe gjatë tetë muajve të parë, mungesa në dorëzim në raport me vitin e kaluar, arriti në pothuajse 18 miljardë metër kub. Europa arriti ta mbulojë humbjen e kësaj sasie vetëm nëpërmjet eksportit nga Rusia, Algjeria dhe Azerbejxhani.

LNG është orientuar drejt tregjeve më me përfitim të Azisë dhe Amerikës së Jugut ku arrin çmime më të larta se në Europë. Për këtë Gazprom-i “godet” akoma më fort egon e të mençurve të Europës me deklaratën sipas së cilës në vitin 2021 parashikon ta rritë çmimin e gazit të tij sipas marrëveshjeve afatgjatë me vendet jashtë Bashkësisë së Shteteve të Pavarura (shumica republika të ish-BRSS-së) me 30%, domethënë se ai do të arrijë rreth 170 USD. Kjo natyrisht është shumë më pak sesa kaosi që mbretëron akltualisht në tregun europian  të gazit. Këtë kaos përpiqen ta zgjidhin në mënyrë të pavarur disa shtete të BE-së, duke lidhur kontrata të përshtatshme me Rusinë për sasitë e gazit, si puna e Hungarisë.

Gjeopolitikë ose jo (por me siguri po, sepse ajo është sot e pranishme në gjithçka dhe kudo) në këtë rast nuk ka rëndësi. Më e rëndësishme për çdo vend është siguria energjetike dhe stabiliteti, si kyç i zhvillimit ekonomik, ndërsa të mëdhenjtë le të konkurojnë dhe të “gërricen” sa të duan mes tyre.

Për fat të keq Bashkimi Europian është rrëzuar në këtë provim dhe, nëse shumë shpejt nuk fillon të mendojë me kokë dhe jo me zemër, domethënë me emocione, kjo nuk mund të rezultojë aspak mirë për të.

Përktheu për Argumentum.al: Xhelal FEJZA

[i] https://www.geopolitika.news/analize/z-meter-kaos-na-plinskom-trzistu-eu-i-v-britanije-rastu-i-cijene-struje/