Maqedoni e Veriut/ Jep dorëheqjen ministri i Shëndetësisë në Maqedoni, Venko Filipçe

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, në një dalje për shtyp para pak çastesh para selisë së Qeverisë, ka bërë me dije se i ka dërguar kryeministrit Zoran Zaev propozimin për dorëheqjen e tij nga posti i ministrit të Shëndetësisë. Dorëheqja e tij  vjen pas tre dorëheqjeve paraprake pasditen e sotme, atë të dy drejtorëve të spitalit të Tetovës dhe zëvendësit të tij, Ilir Hasani. Edhe ai, si kolegët e tij paraprakë që dhanë dorëheqjen, e justifikon atë me përgjegjësitë morale që ai mban si ministër për tragjedinë që ndodhi në spitalin e Tetovës. Kujtojmë se para 2 ditësh në spitalin modular të Tetovës humbën jetën 14 pacientë të shtruar me Covid-19 si shkak i rënies së zjarrit brenda në objekt. Deri më tani, për këtë, nuk është vënë akoma asnjë person para përgjegjësisë, ndërkohë Prokuroria Themelore ka bërë me dije se ka hapur procedurë paraprake për rastin në fjalë.

Të premten (10 shtator) dorëheqje kanë dhënë edhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani, drejtori i spitalit të Tetovës, Florin Besimi dhe shefi ekonomik i Spitalit, Artan Etemi.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani, në profilin e tij në Facebook ka shkruar se dorëheqjen e ofron si një akt moral.

“Edhe përkundër faktit se nuk kam asnjë lidhje me procedurat vënjes së spitalit modular, edhe pse nuk kam asnjë lidhje as me pjesën organizative, dorëheqja është akti më i vogël që mund ta bëj në këto momente, për të respektuar viktimat, të lënduarit, opinionit dhe më së shumti veten”, ka shkruar Hasani.

Ndërsa drejtori i Spitalit, Florin Besimi, në profilin e tij në Facebook ka shkruar se si mjek që tërë jetën ia ka kushtuar shërimit të bashkëqytetarëve të tij, dhe si njeri i parë i Spitalit Klinik të Tetovës, me të cilin udhëheq gjatë viteve të fundit, ndjen përgjegjësi morale nga ngjarja e tmerrshme në të cilën u shuan jetë njerëzish.

“Me dhimbje të pashuar për çdo viktimë dhe çdo familjarë të tyre, ju informoj se për shkak të kësaj përgjegjësie morale që e ndjej, jap dorëheqje nga pozita e drejtorit të Spitalit Klinik në Tetovë. Pas kësaj ngjarje të tillë tragjike dhe fatkeqe, ky vendim është i pashmangshëm", ka thënë Besimi.

Ai ka thënë se shpreson që të përfundojë hetimi i plotë sa me shpejtë dhe të zbardhen arsyet e zjarrit në Qendrën modulare të Klinikës së Tetovës për pacientët me COVID-19.

Dorëheqja e zyrtarëve mësohet të jetë si rrjedhojë e protestave të cilat janë paralajmëruar për ditën e shtunë në qytetin e Tetovës.

Të premten në orët e pasditës një numër i madh i qytetarëve u kanë dhënë lamtumirën e fundit 14 viktimave nga tragjedia që ndodhi të mërkurën në mbrëmje.

Megjithëse drejtuesit e institucioneve, paraprakisht kishin deklaruar se nuk është koha për dorëheqje, ata kanë nënvizuar se nuk do t’i shmangen përgjegjësisë, por njëherë do të presin përfundimin e hetimit.

“Vlerësoj se tash është koha të marrim përgjegjësinë mbi supe dhe ta menaxhojmë situatën, duke qenë të gjithë në ballë të kësaj situate”, kishte deklaruar thënë zëvendëskryeministri Artan Grubi.

Por partitë politike në opozitë, kanë theksuar se përgjegjësia morale nuk është diçka që konstatohet nga hetimet, por ajo është një çështje që e ndjejnë, siç kanë theksuar, vetëm ata që janë të njerëzishëm.

/argumentum.al