Mbërrin në Tiranë kancelarja gjermane Angela Merkel

Ka mbërritur në Rinas avioni i kancelares gjermane Angela Merkel dhe delegacioni i saj, që do të zhvillojë vizitën në Tiranën zyrtare. Kancelarja gjermane do të takohet në Tiranë edhe me liderat e Ballkanit Perëndimor.

Ajo është pritur në aeroportin e Rinasit nga Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka dhe ambasadori gjerman Petter Zingraf.

Sipas axhendës së publikuar nga zyra e shtypit e Kryeministrisë, në orën 10:20 do të zhvillohet ceremonia e mikpritjes në Pallatin e Brigadave.

Në orën 10:30 do të zhvillohet takimi kokë më kokë mes Kryeministrit Edi Rama dhe Kancelares Angela Merkel në Pallatin e Brigadave.

Në vijim, në orën 11:00 do të zhvillohet takimi bilateral mes dy delegacioneve në Pallatin e Brigadave.

Në orën 11:50 parashikohet mbërritja e Kryeministrit dhe krerëve të qeverive të Ballkanit në Tirana Business Park, ndërsa në 11:55 do të jetë mbërritja e Kancelares Merkel në Tirana Business Park.

Fotolajm/ Momenti kur Angela Merkel zbret në Rinas, ja kush e priti

Në orën 12:00 do të realizohet Foto Familjare me krerët e delegacioneve në Tirana Business Park.

Në orën 14:35, Kryeministri Rama dhe Kancelarja Merkel do të japin një konferencë për shtyp po në ambientet në Tirana Business Park.

Policia e Shtetit njoftoi se në kuadër të masave për sigurimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të takimit të kancelares së Republikës Federale të Gjermanisë dhe kryeministrave të Ballkanit Perëndimor nesër në vendin tonë, në disa segmente rrugore, për motive sigurie, do të ketë bllokime dhe devijime të lëvizjes së automjeteve, konkretisht në aksin Rinas-Unaza e Re, Sauk, Rruga e Elbasanit deri tek Pallati i Brigadave.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të automjeteve që të shmangin lëvizjen në këto segmente rrugore, me qëllim moskrijimin e mbingarkesës në trafik nga ora 09:00 deri në orën 13:00 të datës 14 shtator, si dhe të përdorin rrugë alternative për të shkuar në destinacionet e tyre.

Shërbimet e Policisë do jenë prezente në të gjitha akset rrugore hyrëse dhe dalëse të qytetit të Tiranës dhe në rrugët e tjera në brendësi të kryeqytetit, me qëllim marrjen e masave për të siguruar dhe rregulluar trafikun në rrugët alternative, si dhe për t’iu ardhur në ndihmë përdoruesve të rrugës që do kenë nevojë.