Menaxhimi i zjarreve, Rama: Modernizim deri në fund i Mbrojtjes Civile

Kryeministri Edi Rama, në një aktivitet të zhvilluar sot në bazën ajrore të Farkës, vlerësoi menaxhimin e situatës së zjarreve në vend, ndërsa theksoi rëndësinë e ndëshkimit të zjarrvënësve.

Ndërsa falënderoi të gjitha forcat e angazhuara në këtë operacion, Kryeministri Rama nënvizoi rëndësinë e nevojës për të çuar para një proces modernizimi të Mbrojtjes tonë Civile që ka nisur dhe ka dhënë rezultatet e veta të para të prekshme dhe të qarta, por që duhet vazhduar deri në fund.

“Çka kemi parë deri tani si rezultat i reformës të gjithë sistemit të emergjencave civile është shumë inkurajuese për të parë me optimizëm rezultatin përfundimtar të këtij procesi”, tha Rama.

Në këtë drejtim, Rama garantoi se “ne do të bëjmë atë që duhet për të rritur dhe pagën, që nuk do jetë asnjëherë e mjaftueshme për këto trupa që përballen me sfida që kërcënojnë jetën”.

“Ne na takon të bëjmë shumë më tepër për të gjithë ju, që t’ju vëmë në dispozicion gjithçka ju duhet për ta bërë këtë punë heroike me cilësinë më të lartë”, tha ai.

Kryeministri theksoi se në këtë situatë zjarresh që përfshiu botën, për herë të parë ndodhi që vende si Italia, Turqia dhe Greqia nuk kishin asnjë mundësi të na jepnin ndihmë, përkundrazi kishin nevojë për ndihmë.

“Tre vende me struktura nga më të jashtëzakonshmet të Mbrojtjes Civile, me eksperiencë të madhe dhe shumë plagë nga zjarret në historinë e tyre dhe që u janë gjetur Shqipërisë gjithmonë kur ka ardhur nevoja për të pasur mjete, këtë herë e kishin të pamundur dhe kishin nevojë vetë për ndihmë. Ky është një nga shembujt kuptimplotë të rëndësisë së madhe që ka marrëdhënia jonë me BE-në dhe rëndësisë që ka BE për jetën tonë, jo thjesht në aspektin e standardeve, fuqizimit demokratik dhe institucional, pro edhe në aspektet jetësore që prekin drejtpërdrejtë jetën dhe që kërcënojnë drejtpërdrejtë fizikisht, si tërmetet, përmbytjet e zjarret”, tha Rama.

Ndaj ai tha se nuk është e rastësishme që BE ka ngritur një mekanizëm të brendshëm për të asistuar shtetet e familjes së vetë që janë në emergjencë dhe katastrofat e mëdha, pasi asnjë shtet nuk i përballon dot i vetëm”. Aq më tepër, shtoi Rama, në rastin tonë ne kemi ende mangësi më të mëdha se sa shumë shtete të tjera në këtë kontinent.

Kryeministri falënderoi veçanërisht ambasadorin e Delegacionit të BE-së në Tiranë, Luigi Soreca dhe ambasadoren e SHBA-së, Yuri Kim, të cilët sipas tij, gjatë gjithë periudhës së gushtit kanë qenë vijimësisht të vëmendshëm dhe të interesuar për situatën.

“Prania këtu e ambasadorit të Holandës dhe atij të Republikës Çeke, janë simbol i kësaj fryme solidariteti për ditët më të vështira, të SHBA-së dhe BE-së me popullin shqiptar”, tha Rama, ndërsa vlerësoi ndihmën e dhënë nga këto shtete me mjetet speciale që lehtësuan punën në terren.

Kryeministri u ndal edhe te aspekti kriminal i situatës së zjarreve. “Vatrat e zjarreve në një pjesë të madhe janë rezultat i rritjes dramatike të temperaturave kudo në botë, por në një pjesë të konsiderueshme janë rezultat i barbarisë së atyre që me një shkrepëse e shishe benzine vrasin shpirti e atdheut, plagosin trupin e atdheut dhe hedhin në erë mundimet djersën e shumë e shumë gjeneratave”, tha Rama.

Më vjen mirë, vijoi ai, që Policia e Shtetit ka pasur një aktivitet intensiv dhe rezultativ dhe ka çuar prapa hekurave një numër jo të vogël barbarësh, të cilët nuk meritojnë të jenë të lirë.

“Ata meritojnë të kalben prapa hekurave. Shpresoj shumë që gjykatat do të japin vendimet e duhura dhe gjykatësit që do të japin këto vendime të jenë në lartësinë e dhimbjes për kaq shumë vlera natyre të dëmtuara dhe pemë e burime jete të shkatërruara. Këta kriminelë barbarë jo vetëm duhet të kalben në burg, por t’u japin mesazh të qartë të tjerëve si ata”, shtoi ai.