Ngjyrime të ndryshme të fundamentalizmit

Boshko Jakshiç, Politika[i]

Linjë e re e modës talibane.

Para dy dekadash terrorizmi hyri në skenë në mënyrë eruptive duke shenjuar kësisoj një epokë të re të kësaj dukurie të vjetër, por idetë e të cilit ende edhe sot e kësaj dite nuk janë zhdukur në sajë të rritjes së fundamentalizmit që është instaluar në themelet e tij ideologjike. Të gjitha format e fundamentalizmit-hebré, i krishterë ose musliman- kanë një veçori të përbashkët: këmbëngulin në mënyrë të papajtueshme dhe ekskluzive në një, dhe vetëm një, të vërtetë legjitime të mënyrës së jetës.

Përse atëherë mungesa e çfarëdolloj fleksibiliteti religjoz në mënyrë paradoksale shoqërohet nga pragmatizmi, gatishmëria e ortodoksisë më të egër fetare për të hyrë në aleanca me grupimet më pak religjioze, madje edhe me politikanë që janë më të afërt me fundamentalizmin shekullar?

Si ndodhi që hebrenjtë ultraortodoksë Haredi të jenë aleatët më të afërt të kryeministrit izraelit të deri para pak kohëve Benjamin Netanjahu, i cili injoron shabatin dhe ushqimin kosher? A nuk duket disi jo e natyrshme që fundamentaliustët amerikanë- evangjelistë të bardhë të krishterë- të bashkëpunonin kaq mirë me Donald Trampin i cili nuk e çan fort kokën për religjonin?

Kisha ortodokse Ruse sillet sikur ka gjetur shpëtimtarin e saj të madh te Vladimir Putini, ish agjent i KGB-së në kohët kur shteti sovjetik ndiqte egërsisht besimtarët?

Përse ajatollahët e Republikës Islamike të Iranit pranuan  të hyjnë në bisedime me “Satanain e madh” që në këtë rast janë amerikanët, ndërsa talibanët, në fundin e vitit 2020, u morën vesh në Doha me përfaqësuesit e administratës së Trampit e cila sipas gjithë gjasave duhej të ishte shëmbëlltyrë e “mosbesimtarëve” dhe shkaku i të gjitha të këqijave të kësaj bote? Si ndodhi që kryeministri indian Nerendra Modi ta ndërtojë bazën e tij te nacionalizmi tejet i djathtë hindù i njohur si indutva?

Nga ana tjetër, një numur i madh peshkopësh amerikanë është për atë që të mos i njihet krezmimi katolikut sipas kishës romake Xho Bajden sepse ai ka mbështetur ligjin për abortin. Kryeministri izraelit shumë fetar Naftali  Benet është në shënjestër të ultraortodoksëve hebrej të cilët shprehen për qeverinë e kryesuar prej tij se “përdhos emrin e zotit”.

Çfarë kontrasti! Përkushtrimi fetar i Bajdenit duhet të tërheqë të krishterët, por refuzohet. Beneti duhej tu imponohej besimtarëve hebrej, por ata pohojnë se ai “po çrrënjos judaizmin”. Dy liderë të cilët afinitetet e tyre fetare i marrin shumë seriozisht, kanë trashëguar dy paraardhës shekullarë- por me lidhje të fuqishme me fundamentalistët e krishterë dhe hebrej. Bajdeni dhe Beneti fitoret e tyre nuk i kanë vënë në kontekstin fetar, por fundamentalistët gjithsesi po.

Teokracitë fundamentaliste janë diçka e rrallë në shekullin 21, gjithsesi po tregohet se përputhja e interesave mes grupeve fundamentaliste dhe grupimeve më pak religjoze, madje edhe politikanëve shekullarë, janë një dukuri e shumë e shpeshtë. Nëse fundamentalistët nuk mund të realizojnë fuqinë absolute nëpërmjet kooptimit të të korruptuarve dhe nënështrimit të servilëve, ata janë të gatshëm të bëhen partnerë në pushtet me populistë nga më të ndryshmit, sadoqë ata mund të jenë shekullarë. Ajo që i bashkon është gatishmëria për bashkëpunim me të gjithë ata që janë kundër vlerave të demokracisë liberale.  I çfarëdo lloji që të jetë, fundamentalizmi është shumë efikas kur kombinohet me sfida të tjera të demokracisë liberale. Sot fundamentalizmi i krishtertë apo ai hebré duket si babaxhanë  në krahasim me kohët kur heretikët digjeshin në zjarr dhe tradhëtaret bashkëshortore goditeshin me gurë, por idetë e tyre nuk e kanë humbur aspak rrezikshmërinë.

Në thelb fundamentalizmi është autoritarizëm i mveshur me kostum religjoz dhe i paraqitur me gjuhën e besimit fetar, ndërsa diktatorët dhe autokratët, si rregull, gjejnë me ata gjuhë më të përbashkët dhe më efikase sesa me demokratët. Mënyra më e shpejtë për të vënë nën kontroll ndonjë grup etnik apo mbarë një popull është nëse në fillim siguroni kontrollin e sëpaku njërës gjysmë të tij.

Nuk ka dyshim se dy dekada pas invazionit amerikan në Afganistan- që duhej të ishte shpagimi i drejtësisë për sulmin e Al Kaedës që e kishte vatrën te talibanët- fundamentalizmi fetar është në rritje e sipër. Nga Teksasi, ku është miratuar ligji që ndalon numurin më të madh të aborteve pas gjashtë javësh- që është një periudhë kohore në të cilën shumica e grave nuk e dinë nëse janë shtatzëna- deri në Kabul ku talibanët e Emiratit Islamik të Afganistanit paralajmërojnë kthim në interpretimin e ashpër të besimit islam.

Historia ka treguar se fundamentalizmi të çon ekskluzivisht në stanjacion. Nën ndikimin e zilotëve izraelitë në shekujt para Krishtit, Izraeli i lashtë mbeti prapa politikisht dhe materialisht në krahasim me qytetërimet fqinjë, duke provokuar kësisoj okupimin romak  që i shpërndau hebrenjtë nëpër diasporë për një periudhë prej dy mijëvjeçarësh.

Për dekada me radhë, Amerika udhëhiqte “shkencën e madhe” dhe pothuajse çdo fushë të shkencës, por dhjetëvjeçarët e fundit lidershipi i saj ka filluar të zbehet. Gjithçka përputhet me rritjen e fundamentalizmit fetar dhe politik që ka brejtur vitalitetin intelektual amerikan.

Historia e Europës moderne nga universitetet e para në shekujt 12-13- revolucioni shkencor, Rilindja apo modernizimi në shekullin 19- përfaqëson fitoren e racionalizmit dhe shkencës mbi dogmatizmin fetar dhe kishën autoritare. Edhe në këtë shekull Europa përfitoi nga rasti për të treguar se çfarëdolloj fundamentalizmi mund të jetë shkatrrimtar. Numuri i punimeve shkencore nga Europa ia kaloi atyre nga ShBA-të. Pas 11 shtatorit 2001, numuri i studentëve kinezë dhe indianë në Amerikë është përgjysmuar- ata tani shkojnë më me dëshirë në Europë.

Fundamentalizmi është i fuqishëm dhe i rrezikshëm, për shkak të kontrollit që vendos ndaj idealeve më të thella dhe identitetin e besimtarëve. Historia është e mbushur me demagogë që kanë përvetësuar kurthet e fesë për ta paraqitur politikën e tyre amorale si vullnet të zotit. Për më tepër, ata mbështeten në impulsin primitiv sipas të cilit të drejtët “ne” jemi ata që u kundërvihemi “atyre” demoniakëve, duke përhapur herë pas here madje edhe pohime të kundërta me ato të pjestarëve të tre besimeve fetare Abrahamike se gjoja ata janë të zgjedhur nga zoti.

Përktheu për Argumentum.al: Xhelal FEJZA

[i] https://www.politika.rs/sr/clanak/487445/Pogledi/Razne-boje-fundamentalizma