Nuk do të ketë takim Kurti-Vuçiç këtë muaj

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë që zhvilluan takime në Bruksel gjatë dy ditëve, nuk mundën të përafrojnë qëndrimet për një takim të paralajmëruar të nivelit të lartë.

Dy delegacionet teknike në dialogun Kosovë Serbi, gjatë dy ditëve diskutimesh në Bruksel nën ndërmjetësimin e të ngarkuarit të BE, Mirosllav Lajçak, nuk arritën ndonjë përparim të theksuar. Për pasojë këtë muaj nuk do të ketë takim të nivelit të lartë politik. Këtë e konfirmoi udhëheqësi i delegacionit të Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili tha se "gjatë këtij muaji nuk do të ketë takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç”.

"Nuk ka përparim të mjaftueshëm të prekshëm për të organizuar një takim të udhëheqësve”, tha Bislimi. Temë e vetme në Bruksel, gjatë takimit trepalësh Lajçak, Bislimi, Petkoviç, ka qenë çështja e të pagjeturve, ku palët siç thotë zëvendëskryeministri, "kanë shprehur gatishmërinë për të pasur qasje në arkivat shtetërore”.

"Në një moment zoti Petar Petkoviç është pajtuar që ne të kemi qasje të plotë në të gjitha arkivat, përfshirë edhe arkivat ushtarake në Beograd si dhe të ketë qasje në arkivat e UÇK-së. Kosova nuk ka arkiva të UÇK-së, por ka arkiva shtetërore për UÇK-në dhe ne jemi dhe kemi qenë të hapur për të ndarë këto informacione", tha Besnik Bislimi. Ai konfirmoi se "janë pajtuar që grupet e punës për çështjen e të pagjeturve të takohen rregullisht dhe trupat e pajetë të gjetur në varrezën e dyshuar masive në Kizhevak të Serbisë t'iu dorëzohen familjeve”.

Udhëheqësi i delegacionit të Kosovës në bisedime me Serbinë, tha se takim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në nivel negociatorësh do të ketë në fund të tetorit, për të parë nëse palët do të arrijnë ndonjë përparim.

Lajçak: Pres të gjendet gjuhë e përbashkët për të ecur përpara

Një ditë më herët, delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka diskutuar për temat e të pagjeturve, energjetikës, targave të veturave dhe për vizitat zyrtare, në një takim me të ngarkuarin e BE në dialog Mirosllav Lajçak. Kjo pasi Prishtina zyrtare dy ditë më parë ia ndaloi hyrjen në Kosovë shefit të delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviç. Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Petkoviçit i është ndaluar hyrja për shkak të "deklaratave provokuese” që ka bërë ai gjatë tri vizitave të fundit.

Gjatë ditës së djeshme ndërkaq, Mirosllav Lajçak shkroi se pret nga palët që të gjejnë gjuhë të përbashkët."Sot dhe nesër, do të mbaj takime me delegacionet e Kosovës dhe Serbisë të udhëhequra nga Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç. Ka shumë çështje urgjente që duhet të diskutohen dhe unë pres që të gjendet gjuhë e përbashkët për të lëvizur përpara", shkroi Lajçak.

Serbia nga ana e saj sërish ka insistuar që të diskutohet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që për Prishtinën zyrtare është e papranueshme. Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë. Këto komuna janë Mitrovica e Veriut, Kllokoti, Parteshi, Ranillugu, Graçanica, Zveçani, Zubin Potoku, Novobërda, Leposaviqi dhe Shtërpca. Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të atyre komunave, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Takimi i fundit në nivelin e lartë politik, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç është zhvilluar më 19 korrik. Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE ka nisur më 2011. Ky proces thuhet se ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve. Shefi i tashëm i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se "marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të zgjidhë, ndër të tjera, edhe çështjen e përfaqësimit ligjor të Kosovës në nisma të ndryshme rajonale”.