Politika Shqiptare në Udhëkryq ndërsa Aleati Strategjik kryqëzon Ish-Aleatin Themelues të PD-së

Nga Genc MLLOJA*

Nuk është se nuk ndjehej në opinionin e gjerë publik shqiptar që kryetari i aktual i Partisë Demokratike (PD) Lulzim Basha kishte kohë që po punonte nën rrogoz kundër promovuesit të tij Sali Berishës, ndër themeluesit kryesore të kësaj forcë të parë opozitare në fillim të viteve 90. Por nuk kuptohej qartë, kishte hamendësime se Berisha po lejonte një gjë të tillë për oportunitet, që ti shpëtonte çfarë flitej për të e familjen e tij gjerësisht - rreziku i ndëshkimit nga SPAK, krijesë e SHBA-së në kuadër të vendosjes së sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Spastrimet e forta të figurave me emblematike të PD-së si Jozefina Topalli, Bujar Nishani, Astrit Patozi e dhjetra të tjerë nga udhëheqja ishin ngjarje që pjesa më e madhe e demokrateve por edhe ne të tjerët i shikonim me habi. Deri këtu duket se marrëdhëniet Berisha – Basha kanë qenë në ujdi.

Por veterani demokratas Berisha duket nuk kishte kuptuar se ambicja e Bashës kishte kaluar në një stad të ri dhe e vetmja rrugë ishte duke u afruar me kryeministrin Edi Rama, të cilen ky i fundit e kërkonte publikisht në emër të bashkëpunimit për interesat e vendit, sigurisht duke patur bekim të aleateve SHBA e BE.

Kurse vete figura e Bashës nuk ka paraqitur kurrë një udhëhëqes karizmatik për të çuar PD-në në fitore prandaj Rama ishte dhe është komod me të. Zgjedhjet e 25 prillit ishin shembulli më domëthënës. Ndërkohë vazhdonte fushata socialiste kundër Berishës, i cili për hir të së vertëtës nuk fitoi reputacion në mes socialistëve dhe asaj shtrese që po e quajmë asnjanëse. ‘Gogoli’ Berisha, hija e tij, ishin mjaftueshëm për të goditur PD. E Berisha e pranon se ka bërë gabime në fillimet e pushtetit të tij në këtë vend, veçanërisht duke spastruar specialistët që tash po kërkohen e lavdërohen nga të majtë e të djathtë.

Pikërisht kjo pikë me sa duket është lakmuar nga Basha dhe mund të jetë baza e tij e fortë: urrejtja kundër Berishës bënte, sipas tij, domosdoshmëri largimin e tij nga skena politike por në rradhë të parë nga PD.

Por si gjithnjë në Shqipëri skenare të tilla i manipulojnë SHBA, të cilat u kapen pas variantit një Shqipëri vasale por këtë rradhë nën Ramën e Bashën, PS e PD. Të gjithë bateritë ata i përqëndruan tek ky skenar. Dhe nuk është çudi që ia arritën se akoma këtu mbizotëron ndjenja se po të vuri në shenjestër Uashingtoni të bën gjëmën.

Lind pyetja: përse SHBA-të nuk e donin me Berishën kur dihej që ai kishte qenë benjamini i tyre dhe jam dëshmitar se ata e zgjodhën në fillim të viteve 90, dhe e mbështetën jashtëzakonisht. Në atë kohë isha në Nju Jork në misionin shqiptar.

Berisha ka qenë pjesë e çdo plani të tyre në Ballkan, shërbyes i zellshëm por edhe amerikanët i besonin atij. Roli i tij në çështjen e Pavarësisë së Kosovës është i padiskutueshëm.

Këtu fillon drama amerikane sepse nuk e kanë njohur deri në fund karakterin malësor të Berishës, që nuk është aq i lakueshëm dhe i shantazhueshëm sa të gjithë liderët e tjerë shqiptarë. Krenaria prej malësori me sa duket i ka mbetur,  jo se nuk dihej.

Si pjesë elitar i rrethit amerikan Berisha di shumë, ka informacione tepër sekret amerikane dhe sipas praktikës ka patur një zyrë informacioni prej dhjetra specialistësh që mblidhnin të dhëna e informacione nga më të ndryshmet për këdo e çdo vend, përfshi edhe aleatin strategjik.

Eshtë rritur frika që Berisha një ditë të bukur të filloj të rrjedh ngjarje dhe fakte komprometuese!!!

E ia filloi me 'elegance' më 16 shtator në maratonën katarsiste të mbiquajtur “Foltore” në Tiranë.

Departamenti i Shtetit në mënyrën më shantazhuese por edhe mendjemadhe e shpalli atë persona non- grata, përfshi edhe familjen, gjë që nuk e ka dëmtuar Berishën; përkundrazi kjo ngjarje ia ka rritur autoritetin në rradhet e PD-së, por edhe ndër intelektuale dhe njerëz të thjeshtë me integritet. Konsiderohet një veprim alla- amerikan prej të forti që nuk e ka parashikuar rrezikun (si në Afganistan, shembulli më i fundit) dhe duket Rama i ka ndihmuar në këtë drejtim duke i nxitur ta ndërmarrin këtë veprim.

Berisha nuk tërhiqet: ne do të shikojmë me tej pas Tiranës ‘shfaqje’ të vertëtë të nxjerrjes së të fshehtave, në fillim me Bashën e pastaj me rradhë.

Berisha në fakt ka filluar me intervista në TV por taktika e tij do të jetë të flasë me bazën e partisë ku duket se nuk e ka humbur mbështetjen sidomos në Tiranë dhe veri të vendit sepse Basha nuk u bë lideri i tyre i shpresës për fitore. Tre humbje rrjesht në zgjedhje që nga 2013 janë shumë drobitsëe për rradhet e demokratëve.

Në këtë lojë makiaveliste për pushtet më i rrezikuari dhe i demaskuari është Basha. 'Ndihma' e Ramës  për të është e kufizuar sepse me këto që ndodhen i doli ‘era’ komplotit të tyre anti-Berishë. Zërat kundër Bashës po shtohen nga të gjitha drejtimet. Mendimi shqiptar: Basha nuk doli burrë!

Por e gjitha kjo i shkon për shtat Ramës sepse e tërë vemëndja tani është përqëndruar tek PD e lufta e saj e brendshme. Rama do të bëhet më autoritar me Ambasadorën amerikane Yuri Kim në krah, e cila për mendimin tim e ka mbaruar misionin dhe diplomacia amerikane do të bëjë një tërheqje të butë të saj nga Shqipëria.

Gjithsesi për SHBA kjo që ka ngjarë dhe më tepër çfarë se do të ngjase në të ardhmen janë një humbje e madhe. Në popull po rritet ndjenja e mosbesimit tek politikanët e atij vendi. E shpesh bëhet pyetja: çfarë kanë bërë për popullin dhe përmendin muxhahedinët iraniane e tashmë edhe dyndjen e refugjatëve afgane si një barrë e rëndë për popullin. Madje e krahasojnë Shqipërinë në një ‘kazan plehrash’ të SHBA-së. Pra po lakohet emri i SHBA-së si kurrë më parë çka tregon se miti amerikan ka rënë në Shqipëri pavarësisht deklaratave formale të të gjithë udhëheqësve.

Ndërkohë populli është i drobitur e mosbesues ndaj opozitës, dhe nuk pritet asnjë revolte ndaj askujt. Shqiptarët e kanë humbur nervin e krenarisë; pranojnë poshtërimin që po u bëhet.

Për shembull në vend që të bëhej protestë kundër qeverisë për të drejtat e tyre kur filloi parlamenti më 10 shtator u bë proteste solidariteti për  Berishën duke sharë Bashën… Luftë brenda llojit në rrugë. Demokratët i kujtojnë Bashës tradhëtinë me protestën e papërsëritshme të çadrës para zgjedhjeve të 2017.

Kryeministri Rama është në situatën më të mirë politike megjithë gjendjen e rënduar ekonomike të vendit, pandeminë që po godet më fort dhe probleme të tjera që do të shtohen. Ai nuk gëzon popullaritet por e di që nuk kanë çfarë ti bëjnë. Kështu që parashikohet një mandat i qetë i shoqëruar me dekorin ndërkombëtar që e ka në  favor plotësisht.

Sa i përket politikës së jashtme nuk shikoj ndonjë ndryshim- do të ketë një vazhdimësi pro amerikane e evropiane. Kurse sa u përket marrëdhenieve me vende të tjera si Turqia, Kina e ndonjë vend tjetër, amerikanet do ti bëjnë Ramës ndonjë tolerim por të kontrolluar. Uashingtoni do të luaje me kartën që ‘ja Rama edhe vepron nganjëherë kundër rrymës’. Ky me duket makiazh, pa shpresë për të sjell një ndryshim për mirë për interesat e vendit. E kam parasysh se Rama ka kufizime për një politikë të jashtme pragmatiste të nivelit të paangazhuar si për shembull Kroacia, Serbia, Polonia për të mos përmendur Gjermani e Francë.

Hija amerikane do ti ndjek gjithnjë si Ramën si Bashën, kurse ‘plangprishësi' Berisha mendoj se nuk do të tërhiqet. E mori vesh kushdo më 16 shtator në "Foltore".

Sado që Kim e diplomacia amerikane duken të gëzuar për momentin, ata ia kanë frikën Berishës prandaj do të jenë të kufizuar e të kujdesshëm në veprimet e mëtejme kundër tij e bashkëpunëtorëve të tij më shumë reputacion.

Popullarizimi në Shqipëri dhe për më tepër ndërkombëtarizimi i çështjës ‘Berisha i Shqipërisë vs US Blinken’ në sistemin e drejtësisë në Francë, fanari i demokracisë së vërtetë, është shqetësim për Uashingtonin, veçanërisht pas poshtërimit në Afganistan e humbjes së besimit në BE për rolin e tij në plan global.

/Argumentum.al

*Z. Mlloja, ish diplomat dhe Zëvendës Përfaqësues i Përhershëm i Misionit të Përhershëm të Shqipërisë në OKB në New York,