Presidentja e KE-së Ursula von der Leyen viziton sot Tiranën: Ndajmë një të ardhme të përbashkët evropiane

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen viziton sot Tiranën, ku do të ketë takim me kryeministrin Edi Rama dhe do të jetë e pranishme në disa aktivitete.

Kryeministria publikoi sot axhendën e vizitës së presidentes së KE-së.

Von der Leyen do të pritet me ceremoni mirëseardhjeje në Pallatin e Brigadave.

Më pas do të ketë takim me kryeministrin Edi Rama.

Ajo do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të shkollës dhe kopshtit “Korb Muça”, Qerekë.

Në fund të vizitës së saj, presidentja e KE-së do të dalë në konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama.

Para nisjes së vizitës në Shqipëri dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Presidentja e Komisionit Europian deklaron se “sot filloj vizitën time në gjashtë partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor përpara Samitit tonë javën e ardhshme. Mesazhi im është i qartë: ne ndajmë një të ardhme të përbashkët evropiane. Ne jemi duke e përgatitur atë tani. Duke kapërcyer COVID, së bashku. Duke investuar në mënyrë strategjike. Duke u dhënë mundësi të rinjve tanë”.