Punë të Mbarë!

Editorial

Punë të mbarë Qeveria e re e Shqipërisë! Është ky urimi që duhet të përcjellin të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen pavarësisht bindjeve të tyre politike, pasi nga sot kjo është qeveria legjitime që do udhëheqë Shqipërinë dhe shqiptarët për katër vitet e ardhshme.

Kryeministri Rama dhe kabineti i tij qeveritar janë betuar sot para Presidentit të Republikës së Shqipërisë Z. Ilir Meta duke kaluar kështu dhe hallken e fundit institucionale para nisjes së punës të kësaj qeverie.

Tashmë qeveria e re e Shqipërisë, më në krye Kryeministrin Edi Ramën, për herë të tretë ka nisur zyrtarisht punën. Çdo retorike e vjetër politike para dhe pas 25 prillit, sot duhet të marrin fund për ti hapur rrugë një tjetër beteje të vërtetë opozitare. Atë të avokatit në mbrojtje të interesit qytetar para çdo ligji dhe vendimi që merret për Shqipërinë dhe shqiptarët nga qeveria “Rama 3”.

Është ky fokusi kryesor ku duhet të përqëndrohet sot opozita pas një mungese të gjatë të saj në parlament. Po ashtu secili prej nesh, qoftë si media, institucione joqeveritare, gazetarë, analistë, intelektualë, apo thjeshtë si qytetarë të Shqipërisë duhet të jemi vigjilent dhe ti japim zë shqetësimeve, problematikave që ka vendi ynë. Natyrisht duke i kërkuar llogari dhe transparencë kësaj qeverie për çdo vendimmarrje. Gjithashtu duke mos rënë në batakun e kundërshtisë për gjithçka (për inerci), le ti japim zë po ashtu çdo arritjeje që bëhet në këtë vend.

Nga sot e gjithë vemëndja duhet të shkoje te programi qeverisës, për të ndjekur implementimin e saj për vitet 2021-2025. Duke mos harruar se fundja kjo qeveri si çdo qeveri tjetër që zgjidhet nga populli, është në fakt administratore e këtij vendi dhe si e tillë duhet të japë llogari para Sovranit.

Jemi këtu për të ua kujtuar herë pas herë këtë fakt!

/Argumentum.al

© Argumentum