Shqipërisë i duhet një “Maxiprocesso”

Nga Marjana DODA

 30 vite mbas rënies së “perdes së hekurt” Shqipëria është vendi i vetëm nga të gjitha vendet postkomuniste që nuk ka dalë nga tranzicioni.

E duke u nisur nga thënia e Politologut Jacques Rupnik  se “Fundi i tranzicionit nënkupton mbarimin e një cikli që  “kombinon vendosjen e demokracisë, tregut të lirë dhe integrimit evropian”, kuptojmë se Shqipëria duke mos plotësuar asnjë nga këto kritere është ende larg mbarimit të këtij cikli.

Përgjatë dekadës së fundit janë bërë disa përparime duke u konsoliduar si shtet,  siç është përshembull anëtarësimi në NATO dhe liberalizmi i vizave me BE-në, por sa i përket  procesit të integrimit, ende nuk kemi një vendim për mbajtjen e konferencës ndërqeveritare që të shënonte zyrtarisht çeljen e negocitave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Pavarësisht plotësimit të kushteve, kryerjes së detyrave të shtëpisë, realizmit të  reformave me sukses, (të quajtur kështu nga vetë ndërkombëtarët) Shqipëria  sërish “ngel në klasë ”. Zhgënjimi ndaj këtij procesi rritet çdo ditë e më shumë. Sikundër në çdo fushë tjetër, qoftë kjo politike, ekonomike dhe social-kulturore.

E gjendur përballë një panoramë kaq dëshpëruese, me një Shqipëri vendnumëro në rastin më të mirë, dhe në disa raste duke bërë hapa pas, them me bindje se vendit tim i duhet një gjyq  alla “Maxiprocesso” një spastrim të atyre që kanë marrë peng zhvillimin normal të këtij vendi.

Kujtoj se 36 vite më parë në Itali u zhvillua gjyqi “Maxiprocesso”, i cili ishte gjyqi më i madh në historinë botërore kundër mafias. Një proces penal  me pjesëmarrjen  edhe të “gjyqtarëve nga populli” (njerëz të nderuar dhe të pakorroptuar në fushat e tyre ) kundër Mafias Siciliane që u zhvillua në Palermo, Sicili. Gjyqi zgjati nga 10 shkurt 1986 (dita e parë e Corte d'Assise) deri më 30 janar 1992 (dita e fundit e Gjykatës Supreme të Kasacionit) dhe u mbajt në një gjykatë të stilit bunker të ndërtuar posaçërisht për këtë qëllim brenda muret e burgut Ucciardone.

Ndërsa  dita  e fundit e gjyqit historik “Maxiprocesso” do të përfundonte në vitin 1992 me Gjykaten e Lartë Italiane, duke  mbyllur  kështu faqen më famëkeqe në historinë e fundit kriminale, Shqipëria po hapte një kapitull të ri, Pluralizmin politik, lirinë e tregut...hapjen drejt një botë të panjohur e të paprekur për shqiptarët, do të prekte lirinë e dëshiruar për 45 vite me radhë.

Liri që fatkeqësisht disa e keqpërdoren, duke bërë që shumë shpejt Shqipëria të përballej  nga afër me krimin e organizuar i cili  për 30 vite ka prekur deri në organet më të larta te ketij vendi.

Ndonëse në pamje të parë ky paralelizem nuk shkon, duke marrë parasysh se po flasim për mafien famëkeqe të Siçilisë, mafien e rrugës dhe familjet mafioze të viteve 90-të. Megjithatë  sot krimi është më i sofistikuar. Fatkeqësisht krimi është ulur “këmbëkryq ” në zyrat shtetërore, në institucionet më të larta në vend, drejtuesit e të cilave paguhen me taksat tona, të këtij populli që vetëm vegjeton, të paktën deri më tani.

Po, Shqipërisë i duhet patjetër një “maxiprocesso”. Një “gjyq mbarëpopullor, ” për të luftuar krimin shtetëror në pushtetin legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, të cilat janë 3 shtyllat kryesore të qeverisjes në një shtet Sovran dhe Demokratik.

“Maxiprocesso” në Drejtësi 

E them këtë sa herë shoh Ambasadorën e SHBA-së në Tiranë, Znj.Yuri Kim e cila çdo javë rend në zyrat e SPAK, BKH, apo në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë për tu dhënë shtysë drejtë marrjeve të vendimeve të vështira siç e thekson vete znj. Ambasadore. Sepse këta zyrtare të paguar nga taksapaguesit shqiptarë janë aty thjesht si marioneta përsa kohë nuk arrijnë ti marrin vetë këto vendime, por duan herë pas here garanci dhe mbështetje nga ndërkombëtarët. Kjo për të kuptuar se sa të thella i ka rrënjët krimi.

Rikthehemi te “Reforma në Drejtësi , një nga reformat më të mëdha që ndërmori kjo klasë politike nën drejtimin  e  SHBA-së dhe BE-së, e cila 5 vite me parë solli një rreze shprese për çdo shqiptarë. Po, Shqipëria po bëhet!

Miratimi i kësaj reforme 5 vite më parë u konsiderua si sukses kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Një gur themeltar i drejtësisë në vend. Nje proces që do të godiste njëherë e mirë korrupsionin në të gjitha hallkat përgjatë këtyre tre dekadave.

Megjithatë duhet thënë se i gjithë procesi deri në votimin e saj nga deputetet tanë, të të gjitha forcave politike, lë për të dëshiruar. Secili prej tyre po luftonte fort për të mbrojtur interesin personal duke garantuar se nuk do të prekeshin nga drejtësia që vetë ata do të votonin.

Diskutime dhe takime pafund me ndërkombëtarët qofshin këto publike dhe private.  Praktikisht u harrua çdo fushë tjetër dhe çdo interes që prekte drejtpërdrejtë qytetarët në emër të reformës në drejtësi. Dhe u mirëkuptua, duke e besuar si domosdoshmëri për vetë shqiptarët dhe shtetin shqiptar.

Forcat politike u bënë pengesa kryesore të reformës në drejtësi, opozita (PD) akuzonte maxhorancën për kapjen e drejtësisë dhe për elemente kriminale të saj në parlament. Nga ana tjetër maxhoranca( PS+ LSI) drejtonte gishtin nga opozita duke e bërë fajtore për gjendjen e drejtësisë.

Po ashtu nga Ambasada e SHBA-së dhe BE-së iu drejtua me gisht disa deputetëve të Partisë në pushtet si të lidhur me krimin, si trafikantë të drogës dhe qenieve njerëzore. Një akuzë e rëndë aq më tepër kur bëhet fjalë për përfaqësues të zgjedhur nga populli.

Pas shumë përpjekjesh, akuzash, madje dhe shantazheve ndërkombëtarë, 5 vjet më parë, në korrikun e 2016 u votua me 140 vota të plota nga parlamenti, reforma ne drejtesi. Historike! Sukses!

Por jo, në fakt këtu ra "perdja" e drejtësisë, të paktën në këndvështrimin tim.

Si ka mundësi që këta deputetë që pak orë më parë, ishin të anatemuar si njerëz të lidhur me krimin  nga Ambasadori amerikan z.Donald Lu dhe Ambasadorja e BE-së , Znj.Vllahutin, sot( 2016) përgëzohen se votuan reformën në drejtësi(?!)

-Sa e besueshme do të jetë kjo reformë e votuar nga njerëz me të kaluar kriminale sipas ambasadorit amerikan të asaj kohe z. Donald Lu?

-A mund ti besohet një reforme në drejtësi që lind pikërisht nga një vepër penale, ajo të shantazhuarit ?

Sepse të  tillë mu duken 140 deputetë e parlamentit në atë kohë, ndërsa  në orën 00:46 minuta të 22 korrikut të 2016 votonin reformën në drejtesi. Të shantazhuar...

Sot 5 vite më pas, suksesi i kësaj reforme përkthehet me largimin e disa gjyqtarëve dhe prokurorëve nga sistemi i drejtësisë, por që shumë prej tyre e kanë quajtur vendim të padrejtë duke u drejtuar institucioneve ndërkombëtare të Drejtësisë. Aktualisht janë me dhjetra dosje në Strasburg  nga gjyqtarë dhe prokurorë të larguar padrejtësisht të paktën sipas pretendimeve të tyre.

Janë me qindra procese gjyqësore të mbetur pezull dhe qindra njerëz që rendin lart e poshtë dyerve të gjykateve pa marrë ende një vendim.

Një kolaps në pushtetin gjyqësor dhe si i tillë duhet të ndërtohet nga e para. Vallë a nuk e meriton një “maxiprocess” kjo “drejtësi e re” me mendësi të vjetër?!

“Maxiprocesso” ndaj klasës politike,

Sa herë degjoj akuza e kundërakuza nga të gjitha forcat politike kundrejt njëri-tjetrit për lidhje me krimin e  organizuar, marrje peng nga krimi, apo të lidhur dhe të drejtuar nga “oligarket “ në Shqipëri, them se të gjithë keta duhet të  dalin para drejtësisë.

Një “maxiprocesso” për politikanët e  djathtë dhe të majtë të cilët sot pas 30 vitesh pluralizëm politik  janë plotësisht të shantazhueshëm, jo vetëm nga njëri-tjetri por tashmë dhe nga ndërkombëtarët të cilet “detyrohen” ti shantazhojnë politikanët tanë sa herë këta te fundit rebelohen dhe dalin nga rruga e tyre.

Për të konkretizuar sa më sipër, kujtojmë se pas vendimit të shpalljes “non ngrata” nga DASH për Z.Berisha ish- Presidentin dhe ish-kryeministrin e Shqipërisë, kryetari aktual i PD-së do të reagonte me një vendim, duke thyer heshtjen disa mujore vetëm një ditë para seancës parlamentare, (sërish si rastin e votimit të reformës në drejtësi  në limitin e kohës pas mesnate), Z.Basha mori një vendim personal  për përjashtimin e z.Berisha nga grupi parlamentar i PD-së. Vendim që u mor në kushtet e një presioni dhe shantazhi të pashembullt nga Ndihmëssekretari amerikan i shtetit z.Phileep Reeker dhe Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë Znj.Yuri Kim, sipas pohimit të vetë Z.Basha.

Por lind pyetja: A është i besueshëm për popullin shqiptarë një lider opozite i shantazhueshëm që nesër pretendon të udhëheqë këtë vend?

-A është legjitime që një vend sovran, një institucion legjitim në një vend demokratik të gjendet nën kërcënim dhe presion për mbarëvajtjen politike nga Ambasada Amerikane apo nga DASH?

Ndaj duhet një "maxiprocesso" nga populli për largimin e gjithë klases politike të përfshirë në afera që i kthejnëata në të shantazhueshëm.

Një “maxiprocesso” ndaj Ndërkombëtarëve 

Është e vërtetë! Për 30 vite kemi të njëjtën klase politike, të njëjtët figura që në të shumtën e  rasteve riciklojnë njëra-tjetrën ose ua lënë me “trashëgimi ” fëmijëve/ familjarëve të tyre. Por nga ana tjetër çdo pushtet në Shqipëri i majtë apo i djathtë, është drejtuar dhe udhëzuar nga ndërkombëtarët. Në disa raste më shumë e në disa raste më pak.

Viteve të fundit praktikisht ndërkombëtarët janë ata që na kanë udhëhequr, ndaj një pjesë e dështimit tonë u atribuohet edhe atyre. Si përshembull rasti ku disa politikanë vijnë në emër të përkrahjes dhe mbështetjes nga SHBA, siç ishte rasti më i fundit i  Znj.Hajdari e cila u bë faktor në opozitën parlamentare si element i përzgjedhur nga SHBA ( të paktën ky është perceptimi publik).

Si në asnjë vend tjetër diplomatët e huaj në Shqipëri janë ata që përcaktojnë ecurinë e jetës politike në vend, si nga BE po ashtu dhe SHBA e cila ka “ Veton” e saj për ngjarjet vendimtare në Shqipëri.

Përmend rastin e “Reformës zgjedhore” e cila megjithëse do duhej të ishte një marrëveshje e thjeshtë e partive politike, mori përmasa ndërkombëtare aq sa u përshëndet nga sekretari amerikan i shtetit. Tryeza politike me përfaqësuesin socialist Damian Gjiknuri, atë demokrat Oerd Bylykbashi, dhe me dy anëtarët e tjerë të Këshillit politik, Petrit Vasili dhe Rudina hajdari u mbyllen në Ambasadën amerikane në Tiranë për 3 netë rradhazi, ku nën survejimin e ndërkombëtarëce partitë politike nënshkruan mbrëmjen e vonë të (5.05.2020) marrëveshjen që do të garantonte  zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri.

Çuditërisht të gjitha vendimet nën diktatin ndërkombëtar janë marrë në limitin e kohes, në mesnatë ose mbrëmjeve të vona. Ndoshta nata është “oguri i keq”, duke sjellë dështimin e tyre me sukses.

E megjithatë Shqipëria mbetet vendnumëro!

Mbetet e tillë përsa kohë merren vendime në emër të Demokracisë duke shkelur Demokracinë.

Merren vendime në emër të Sovranit duke shkelur të drejtën e Sovranit.

Merren vendime në emër të të drejtave  dhe lirive të njeriut duke  shkelur çdo nen të  Kushtetutës së Shqipërisë.

Ndaj sot Shqipëria duhet të çlirohet nga pengmarrësit dhe pengjet e tyre. Duke i thënë JO skllavërimit, në çfarëdolloj  forme që shfaqet ajo, qoftë e veshur edhe me “kostum diplomatik”.

/ Argumentum.al

© Argumentum