Takimi në Stamboll Erdogan-Vuçiç: Diskutuam tema të rëndësishme për rajonin

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se kanë diskutuar tema të rëndësishme për gjithë rajonin me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan në Stamboll sot.

Erdoğan dhe Vuçiq u takuan në Pallatin Vahdettin të Stambollit, kurse pas vizitës në Turqi, presidenti serb për agjencinë Tanjug tha se Turqia është një mik i Serbisë dhe se ai është i bindur se marrëdhëniet midis dy vendeve mund të jenë edhe më të mira, transmeton  media turke Anadolu Agency.

"Ne mund të bëjmë më shumë përpjekje për t'i bërë këto marrëdhënie edhe më të mira dhe për të shtuar besimin. Kjo është një nga gjërat e mëdha dhe të rëndësishme për ne, një kusht pa të cilin nuk mund të ruajmë stabilitetin në rajon", theksoi Vuçiq.

Vuçiq më tej zbuloi se Presidenti i Turqisë mbështet dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës dhe se ai beson se është e rëndësishme të arrihet një zgjidhje kompromisi.

Duke theksuar se marrëdhëniet miqësore me Turqinë janë një lloj garantues i sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, Vuçiq njoftoi se Erdoğan do të vizitojë Serbinë deri në fund të vitit.

“Ne folëm gjithashtu për ekonominë dhe investimet turke në Serbi. Diskutuam tema rajonale dhe bilaterale. Turqia është një fuqi e madhe në rajon", tha Vuçiq.

Duke rikujtuar se qëllimi është rritja e tregtisë së jashtme midis Serbisë dhe Turqisë nga 1,3 miliard në dy miliardë dollarë, Vuçiq tha se ai gjithashtu bisedoi me Erdoğan se si të sigurohet që kufijtë e të dy vendeve të kalohen sa më lehtë dhe me sa më pak dokumente të jetë e mundur.

“Bisedimet e mia me Erdoğan janë gjithmonë të dobishme. Edhe sot dola nga takimi shumë i kënaqur”, përfundoi Vuçiq.