Tensionet në Veri/ Ndërkombëtarët: Të tërhiqen menjëherë njësitë speciale. Kurti e Vuçiç përgjegjës për çdo rrezik për sigurinë e komuniteteve lokale.

Ndërkohë që për të shtatën ditë me radhë pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në Jarinjë dhe Bërnjak, vazhdojnë të jenë të bllokuara tensionet janë në gjithnjë e në rritje.

Njësitë speciale të Policisë së Kosovës vazhdojnë të qëndrojnë atje të përqëndruara në një numër më të madh pas dy incidenteve në Zubin Potok dhe Zveçan.

Ndërsa në anën tjetër të kufirit, Serbia ka zbarkuar ushtrinë, me armatime të rënda, helikopterë dhe tankë, gati për luftë.

Një demonstrim force ushtarake e pajustifikuar duke marrë parasysh se po flasim për reciprocitetin e targave, marrëveshje e  lindur në Bruksel nga dialogu Prishtinë-Beograd.

Duhet theksuar se ky zbarkim ushtarak i Serbisë në kufi me Kosovën, është provokim edhe për vete NATO-n, aleanca ushtarake që është në përballje të drejtpërdrejtë me ushtrine serbe nëpërmjet KFORI-i.

Ndërkombëtarët kanë reaguar duke iu kërkuar qoftë Kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbise që ti ulin tensionet ndërmejt dy vendeve duke tërhequr menjeherë njësitë speciale dhe të largojnë barrikadat

Njëkohësisht duke iu rikujtuar se për çdo incident të mundshëm do të ishin përgjegjës Kurti dhe Vuçiç

Stoltenberg bisedon me Kurtin dhe Vuçiqin për situatën në veri

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veri-atlantike, NATO, Jens Stoltenberg tha se ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq që të ulin tensionet në veri të Kosovës.

Ai po ashtu u bëri thirrje palëve që t’i kthehen dialogut.

“Kam biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq lidhur me nevojën për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Është vitale që Prishtina dhe Beogradi të tregojnë përmbajtje dhe t’i kthehen dialogut. Mandati i misionit të NATO-s, KFOR-it mbetet që të sigurohet që të ketë ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë”, ka shkruar në Twitter, Stoltenberg.

Po ashtu Shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të ulin tensionet duke “tërhequr menjëherë njësitë speciale të policisë dhe duke hequr bllokadat rrugore” në veri të Kosovës.

“Çdo provokim i mëtejmë apo veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara janë të papranueshme”, tha Borrell në një deklaratë për media.

Sipas shefit të diplomacisë së BE-së, Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë zgjidhje për të shtensionuar situatën, duke shtuar se Brukseli mbështet këto përpjekje.

“Si liderët e Kosovës, ashtu edhe ata të Serbisë janë përgjegjës për çdo rrezik për sigurinë e komuniteteve lokale. Këtë qëndrim ia kam bërë të ditur edhe presidentit (serb, Aleksandar) Vuçiq dhe kryeministrit (të Kosovës, Albin) Kurti gjatë bisedave të zhvilluara kësaj jave”, tha ai.

Borrell tha se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është platforma e vetme për të adresuar të gjitha çështjet e hapura mes palëve, përfshirë edhe çështjet që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes.

“Të dy kryenegociatorët do të vijnë në Bruksel në ditët në vijim, dhe ky është hapi i parë pozitiv. Është thelbësore që ata të vijnë dhe të kenë mandat që të diskutojnë për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme që është në interesin e qytetarëve”, tha Borrell.

Shefi i diplomacisë së BE-së tha se pret që Kosova dhe Serbia të krijojnë një mjedis të favorshëm për pajtim dhe stabilitet rajonal, pasi sipas tij, kjo është thelbësore për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme për normalizimin e raporteve mes dy shteteve.

Gjermania e Austria bëjnë thirrje për dialog

Komuniteti ndërkombëtar ka thirrje për shtensionim të situatës dhe kanë kërkuar dialog mes dy palëve për këtë çështje.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe të gjejnë zgjidhje përmes dialogut.

“Situata në veri duhet të shtensionohet. I bëj thirrja të dyja palëve që të flasin me njëra-tjetrën dhe jo për njëra-tjetrën. Rruga më e mirë përpara: takohuni në Bruksel dhe gjeni zgjidhje sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka shkruar ai në Twitter.

Ministria e Jashtme e Austrisë ka dënuar incidentet që kanë ndodhur në veri të Kosovës më 25 shtator dhe ka bërë thirrje që palët të zgjidhin problemet përmes dialogut dhe jo dhunës.

“Dënojmë fuqishëm incidentet e natës së kaluar në Kosovë. Zgjidhja për çështjet e hapura qëndron te bisedimet, jo dhuna. Të gjitha palët duhet të përmbahen nga hapat ndarës dhe nga frikësimi. Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është mënyra e vetme për një të ardhme paqësore dhe për integrimin në BE”, tha MPJ e Austrisë përmes një postimi në Twitter.

Rikujtojmë se prej një jave, dy rrugët që çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak mbeten të bllokuara, për shkak të kundërshtimeve të serbëve lokalë lidhur me masën e reciprocitetit për targat.

Nga 20 shtatori, të gjitha automjetet nga Serbia që hyjnë në Kosovë, duhet të largojnë targat dhe të përdorin targa të përkohshme të lëshuara nga autoritetet e Kosovës, kjo sipas marrëveshjes së arritur nga të dy palet në Bruksel.

/ Argumentum.al