Trazirat në Mal në Zi/ Abazoviç i drejtohet Krivokapicit: Nëse do të ketë ministër të ri të brendshëm, unë do të rrëzoj qeverinë

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se nuk do të lejojë që policia malazeze të menaxhohet nga Serbia dhe paralajmëroi se nëse ministri i Brendshëm, Sergej Sekulloviq, shkarkohet, ai do ta përmbysë Qeverinë e kryeministrit malazez, Zdravko Krivokapiq.

"Nëse do të kemi një ministër të ri të Policisë, atëherë do të kemi edhe një kryeministër të ri në Mal të Zi", kështu së paku ka pohuar zëvendëskryeministri malazez, Dritan Abazoviq për “Vijesti“.

“Unë nuk kam ardhur për ta dërguar drejt ndarjes Malin e Zi, por për të kontribuar në pajtimin e qytetarëve. Unë i kam thënë disa herë Kryeministrit dhe kolegëve të mi në Qeveri, dhe e përsëris që nëse kalohet vija e kuqe, dhe me ngjarjet e fundit, mendoj se ata e kanë kaluar atë vijë. Një hap tjetër përpara dhe nuk është e pamundur që të kemi një ministër të ri të Brendshëm, por nuk është e njëjta mundësi që të kemi një kryeministër të ri. Pas kësaj, unë do të përmbys Qeverinë, do të ndaloj së mbështeturi Qeverinë nëse mendoj se ata po bëjnë diçka që është e padrejtë”, tha Abazoviq.

Politikani shqiptar pohoi se nuk e qartë se pse është hapur një krizë e re e pushtetit dhe se kjo nuk është çështje për të.

“Ne dolëm nga situata në Cetinje, shumë kritike, sipas mendimit tim me një rezultat fenomenal. Asnjë viktimë njerëzore, lëndime të rënda, me probleme të shumta që shoqëruan këtë ngjarje”, tha Abazoviq.

Zëvendëskryeministri tha se ishte arritur një marrëveshje me kryeministrin në krijimin e një komisioni pesë anëtarësh për të analizuar koordinimin e sektorit të sigurisë gjatë ngjarjeve në Cetinje.

“Policia nuk do të menaxhohet nga Beogradi dhe kjo nuk do të ndodhë mbi kurrizin tim”, tha Abazoviq në një intervistë për televizionin lokal në Mal të Zi, Vijesti.

Shkarkimin e Sekulloviqit dhe të drejtorit të Policisë së Malit të Zi, Zoran Bërgjanin, Krivokapiqit ia kërkon partia më e madhe e koalicionit qeverisës: Fronti Demokratik. Ky subjekt ka lidhje të ngushta me Beogradin zyrtar.

Kërkesat për shkarkim janë bërë pas trazirave që kanë përcjellë shugurimin e mitropolitit të Kishës Ortodoske Serbe në Mal të Zi, Joanikije, më 5 shtator.

Protestuesit malazezë kanë bllokuar hyrjet në qytetin e Cetinës, për të penguar ceremoninë. Joanikije është dërguar në Manastirin e Cetinës me helikopter ushtarak.

Bërgjanin dhe Sekulloviq thuhet se kanë kundërshtuar përdorimin e forcës policore për të thyer bllokadat dhe protestat, për shkak të rrezikut të lartë për paqen.

Megjithatë, protestat, që kanë nisur një ditë para shugurimit, janë shpërndarë nga forca të shumta të policisë në ditën e ceremonisë.

Më shumë se 50 persona janë plagosur në përleshjet midis policisë dhe protestuesve. Abazoviq, i cili është përgjegjës për koordinimin e shërbimeve të sigurisë në Mal të Zi, është drejtues i Lëvizjes Qytetare URA.Kjo e fundit është partia më e vogël e shumicës qeverisëse malazeze, pas Frontit Demokratik pro-serb dhe Demokratëve.