Vendimet e zëvendësdrejtorit të RTSH/ Reagon Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Unioni i gazetarëve shqiptarë ka reaguar në lidhje me situaten që po  kalon sot Radio Televizioni Publik Shqiptar.

Duke filluar që mungesa e një drejtuesi institucioni dhe deri tek vendimet  jo ligjore që po bëhen nga nëndrejtori Martin Leka në strukturat e RTSH, janë këto disa nga shqetësimet që ngre Unioni i gazetarëve shqiptarë.

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
Për pengimet, përdorimet dhe lojrat që bëhen me Radio Televizionin Publik Shqiptar –
Tiranë 23 shtator 2021
Ka disa muaj që RTSH ka mbetur pa Drejtorin e Përgjithshëm dhe funksionet administrative i kryen zëvendësdrejtori i këtij institucioni. Martin Leka.
Mbarimi i mandatit të zotit Thoma Gëllçi, si drejtor i Përgjithshëm i RTSH, në kushtet normale, do të duhej të bashkëshoqërohej me procedurat paraprake të zgjedhjes së Drejtorit të ri pasardhës.
Arsyet pse kjo procedurë nuk është kryer në kohë mbeten vetëm dijeni e Këshillit Drejtues të RTSH, por periudha e tranzicionit, që vijon në drejtimin e institucionit më të rëndësishëm të medias publike në vend, është kohë e një keqpërdorimi, deformimi dhe përdorimesh.
Ditën e sotme, më 23 shtator 2021, Këshilli Drejtues ka njoftuar mbledhjen e radhës. Ndërkohë që sipas pohimeve të gazetarëve të këtij enti mediatik, zv/drejtori i Përgjithshëm Martin Leka merr guximin t’i propozojë Këshillit Drejtues të RTSH-së: “Ndryshime në strukturën organizative, ndryshime në librin e pagave, etj.
Ditët e fundit pranë UGSH ka pasur disa ankesa dhe denoncime shkeljesh, abuzimesh, dhe përdorimesh të politikave administruese dhe menaxhuese të RTSH-së, një pjesë e të cilave janë publikuar edhe në disa media të vendit.
Propozimet nga drejtuesi në tranzicion i institucionit për ndryshim të strukturës organizative të RTSH-së përbën një nonsens dhe karshillëk ndaj një së drejte morale dhe administruese që duhet të ketë Drejtori i Përgjithshëm i mandatuar sipas ligjit.
Publikimi bashkë me deklaratën tonë i propozimeve të zëvendës-drejtorit Martin Leka për ndryshim strukture dhe librin e pagave janë thjesht një përdorim i pastër, mundësi e qartë për selektime dhe politika favorizuese ndaj individësh dhe kategorish, sipas preferencës individuale apo klienteliste.
UGSH i drejtohet Këshillit Drejtues të RTSH-së dhe posaçërisht kryetarit, zotit Leka Bungo, ta ndalë procedurën e miratimit të vendimeve që ndryshojnë strukturën aktuale organizative të institucionit, të mos i shkaktojë kosto dhe fatura institucionit me lëvizje, shkurtime dhe emërime të cilat do të duhet të përballen me platformën e re të detyrueshme që duhet të sjellë Drejtori i ri i Përgjithshëm.
UGSH shpreh shqetësimin se vonesa e kësaj zgjedhjeje të re është e lidhur më qëllime, preferenca dhe arsye të pastra politike. Për këtë arsye, organizata jonë i tërheq vëmendjen edhe OSBE-së si organizata ndërkombëtare që është e angazhuar prej vitesh me monitorimin dhe garantimin e standarteve të medias publike në Shqipëri, të reagojë pa humbur kohë dhe të monitorojë gjithë marrëdhëniet e brendshme në institucionin e medias publike për të cilin derdhen përvit miliona euro nga taksapaguesi shqiptar.
Në ditët e ardhme, UGSH do të denoncojë shumë fakte dhe dokumenta abuzive që kanë lidhje me administratorët dhe menaxhuesit e RTSH-së.
Ne vërejmë se ky institucion në periudhat tranzite të zgjedhjes së titullarit të saj shndërrohet në mundësi përfituese për emërime klienteliste, të porositura politikisht dhe me shërbimet e ndryshme brenda tij ka shkelje dhe përfitime që shkaktojnë kosto dhe lenë hapësira për korrupsion.
Zyra e Informimit
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë