Vizita e Erdogan në Rusi, Putin: Takimi ishte shumë i dobishëm dhe gjithëpërfshirës

Presidenti rus Vladimir Putin tha se takimi i tij me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan ishte shumë i dobishëm dhe gjithëpërfshirës, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit në Soçi, Putin pati një bisedë të shkurtër me homologun nga Turqia Erdoğan teksa e përcolli nga rezidenca presidenciale.

“Falemnderit për vizitën. Takimi ishte shumë i dobishëm dhe gjithëpërfshirës. Do të jemi në kontakt”, tha Putin teksa shtrëngoi duart me presidentin Erdoğan.

"Hapat që kemi hedhur bashkë lidhur me Sirinë paraqesin një rëndësi të madhe. Edhe paqja atje është e lidhur sërish me marrëdhëniet e Turqisë dhe Rusisë", tha presidenti Erdoğan.

Nga ana tjetër, presidenti Putin tha se investimet e Turqisë në Rusi arritën në 1.5 miliardë dollarë, ndërsa investimet ruse në Turqi 6.5 miliardë dollarë. Ai theksoi se të gjitha projektet vazhdojnë në mënyrë të planifikuar.

"Vëllimi tregtar dypalësh Turqi-Rusi u rrit përafërsisht 50 për qind në 9 muajt e parë të këtij viti", tha ai.

Duke folur për Malësinë e Karabakut, Putin theksoi se "bashkëpunimi ynë është një element i rëndësishëm si në arritjen e armëpushimit ashtu edhe në arritjen e një paqeje më të qëndrueshme në të ardhmen".

Më tej, presidenti rus lidhur me marrëdhëniet e vendit të tij me Turqinë theksoi se bashkëpunimi vazhdon me sukses në arenën ndërkombëtare, duke shtuar se, "Këtu e kam fjalën për qëndrimet tona mbi Sirinë dhe Libinë".

/ argumentum.al