Yang Jiechi i kërkon ShBA-së që t’i kthejë marrëdhëniet kino-amerikane në rrugën e duhur

Anëtari i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) dhe drejtori i Zyrës së Komisionit të Punëve të Jashtme të Komitetit Qendror të PKK-së Yang Jiechi e nxiti të enjten ShBA-në që të ndreqë sa më shpejt gabimet e saj dhe të bëjë përpjekje për t’i kthyer marrëdhëniet dypalëshe në rrugën e duhur.

Gjatë një bisedë virtuale me të dërguarin e posaçëm të presidentit amerikan për klimën John Kerry, Yang theksoi se marrëdhëniet kino-amerikane janë përballur me disa vështirësi për shkak të një sërësh gabimesh nga ShBA-ja, që ka ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës dhe ka dëmtuar interesat e Kinës.

Kina i kundërshton prerazi këto veprime dhe është përgjigjur në mënyrë të vendosur, shtoi ai.

Yang e nxiti ShBA-në që t’i shikojë marrëdhëniet kino-amerikane në mënyrë objektive dhe racionale, të respektojë sistemin politik dhe rrugën e zhvillimit të Kinës, dhe të ndjekë një politikë pragmatike ndaj Kinës.

Kina është e hapur për bisedime dhe bashkëpunim pragmatik me ShBA-në, vuri në dukje Yang, duke shtuar se Pekini dhe Uashingtoni mund të forcojnë komunikimin, bashkërendimin dhe bashkëpunimin në fusha më të gjera të bashkëpunimit dypalësh, si ndryshimi i klimës, parandalimi dhe kontrolli epidemik, ringjallja ekonomike, si dhe çështjet e tjera ndërkombëtare dhe rajonale.

"Në të njëjtën kohë, bashkëpunimi duhet të jetë i dyanshëm dhe me përfitime të ndërsjella," tha Yang.

"Ne jemi të gatshëm të forcojmë shkëmbimet në fushën e politikave mbi ndryshimin e klimës dhe bashkëpunimin konkret me palën amerikane për të promovuar zbatimin e plotë dhe efektiv të Marrëveshjes së Parisit," shtoi ai.

Kerry tha se marrëdhëniet ShBA-Kinë janë shumë të rëndësishme për të dy vendet dhe botën, dhe të dy vendet kanë punuar së bashku për ta arritur Marrëveshjen e Parisit.

ShBA-ja dëshiron forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit me Kinën mbi bazën e respektit të ndërsjellë, për të trajtuar së bashku ndryshimet e klimës dhe për t’i dhënë hov përmirësimit dhe zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe, shtoi ai./cri