Zëvendëskryeministri i Kosovës: Finalizohet një draft dokument për zgjidhjen e çështjes së targave mes Kosovës dhe Serbisë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se është arritur një marrëveshje në parim mes palëve për situatën sa i përket targave.

Në Bruksel është finalizuar një draft dokument për zgjidhjen e çështjes së targave mes Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja është arritur me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, mirëpo të dyja delegacionet, ai i Kosovës dhe i Serbisë nuk kanë zhvilluar takim të përbashkët.

“Kemi arritur te një draft përfundimtar i cili dakorduar pothuajse në tërësi ka mbetur që vetëm që pala serbe të jap dakordimin final, nëse po, mund të fillojë zbatimi i marrëveshjes shumë shpejt”, tha shefi i delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi.

Marrëveshja, sipas tij, parasheh tri elemente: i pari është që nga dita e hënë si Serbia ashtu edhe Kosova të avancojnë dhe të përdorin "letrat ngjitëse" në vend të tabelave. Kjo zgjidhje, sipas tij, do të jetë e përkohshme pasi në të njëjtëjn kohë do të krijohet edhe një grup punues i cili brenda gjashtë muajsh do të gjejë një zgjidhje të përhershme të problemit të lëvizjes së lirë.

Pika e tretë, sipas tij, ka të bëjë me heqjen e barrikadave. Sipas dokumentit ditën e shtunë do të vendosej KFOR-it që do të zëvëndësonte njësitë speciale të policisë së Kosovës të cilat do të tërhiqeshin bashkë me barrikadat e vendosura nga serbët lokalë.

Ndërkohë zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se dialogu mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga BE-ja nuk ka përfunduar dhe se negociatat vazhdojnë për të gjetur një zgjidhje për krizën aktuale në veri të Kosovës.