Zjarret, Alizoti: Ligji të veprojë kundër zjarrvënësve dhe shpërdoruesve të detyrës

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti deklaroi sot se është e domosdoshme që ligji të veprojë kundër zjarrvënësve, por edhe më e rëndësishme është që përpara ligjit të japin llogari ata që kanë shpërdoruar me detyrën.

Alizoti reagoi pas deklaratave të Kryeministrit Edi Rama lidhur me menaxhimin e situatës së zjarreve në vend.

“Sot, qytetarët dëgjuan edhe një herë propagandën që prej shumë kohësh përmbys të vërtetën, për t’iu fshehur përgjegjësive dhe për ta shitur dështimin si sukses. Është e qartë për të gjithë, braktisja e forcave të ushtrisë dhe skuadrave të emergjencave civile. Ata u përballën me zjarret me mjete rrethanore, ndërsa Rama shëtiste me helikopterin që duhej të ndihmonte në përballjen me zjarret”, tha ai.

Alizoti u shprehu mirënjohje partnerëve tanë euroatlantikë dhe Kosovës, ndërsa shtoi se “pa ndihmën dhe pa vullnetin e personelit të ushtrisë dhe emergjencave, të braktisur dhe lënë në mëshirë të fatit, kostot e keqmenaxhimit, paaftësisë dhe korrupsionit të këtij regjimi, do të ishin edhe më të frikshme për qytetarët dhe pasurinë tonë natyrore”.